Ushtarët ukrainas thonë se nevojiten kompromise teksa reflektojnë mbi përplasjen mes Trump dhe Zelensky
Ushtarët e Brigadës së 92-të Sulmuese të Ukrainës reflektuan të shtunën mbi përplasjen e hapur mes presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.
Një ushtar i njohur me nofkën “Edo” i tha Associated Press se “shumë politikanë as nuk e dinë çfarë po ndodh këtu, prandaj ndodhin konflikte si ai i djeshmi.”
“Edo” theksoi se secili duhet të bëjë pjesën e tij, ushtarët të përqendrohen te lufta, ndërsa politikanët të udhëtojnë dhe të negociojnë për të siguruar që trupat të kenë gjithçka që u nevojitet për të shkatërruar armikun. Ai shtoi se Zelenskyy e ka bërë mirë këtë punë.
“Unë qëndroj plotësisht në krah të komandantit të përgjithshëm (Zelensky),” përfundoi ai.
Grupi militant PKK shpall armëpushim pas 40 vitesh kryengritje kundër Turqisë
Partia e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) ka shpallur një armëpushim me Turqinë, duke iu përgjigjur thirrjes së liderit të saj të burgosur, Abdullah Ocalan, për të lënë armët. Deklarata e grupit të jashtëligjshëm, e publikuar nga agjencia pro-PKK Firat (ANF) të shtunën, shihet si një hap i rëndësishëm drejt përfundimit të një konflikti 40-vjeçar me shtetin turk.
“Për të hapur rrugën drejt zbatimit të thirrjes së liderit Apo (Ocalan) për paqe dhe një shoqëri demokratike, ne shpallim një armëpushim që hyn në fuqi nga sot,” thuhej në deklaratën e komitetit ekzekutiv të PKK-së, cituar nga ANF.
Franca do të ‘rishqyrtojë’ paktin e migracionit të vitit 1968 me Algjerinë
Kryeministri francez François Bayrou njoftoi të mërkurën se qeveria e tij do të “rishqyrtojë” një pakt migracioni të vitit 1968, i cili historikisht e ka bërë më të lehtë për algjerianët të vendosen në Francë. Ministria e Jashtme e Algjerisë reagoi ashpër të enjten, duke paralajmëruar se vendi nuk do të pranojë të trajtohet “me ultimatum, paralajmërime apo kërcënime”.
Tensionet mes Parisit dhe Algjerit u përshkallëzuan që nga e shtuna e kaluar, kur një shtetas algjerian, i cili kishte marrë një urdhër dëbimi nga Franca, vrau një person dhe plagosi disa të tjerë në një sulm me thikë në qytetin e Mulhouse. “Tragjedia në Mulhouse ndodhi sepse ky shtetas algjerian ishte nën urdhër dëbimi dhe u paraqit për riatdhesim 14 herë… dhe çdo herë u refuzua,” deklaroi Bayrou në një konferencë për shtyp të mërkurën.
Izraeli ndalon hyrjen e të gjitha mallrave dhe ndihmave në Gaza
Zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, nuk dha detaje mbi vendimin, por paralajmëroi për “pasoja shtesë” nëse Hamas nuk pranon atë që Izraeli e cilëson si një propozim amerikan për zgjatjen e armëpushimit. Ndërkohë, Hamas e akuzoi Izraelin se po përpiqet të prishë armëpushimin e brishtë dhe e quajti vendimin për ndërprerjen e ndihmave “shantazh të ulët, krim lufte dhe një sulm të hapur ndaj marrëveshjes së (armëpushimit)”.
Izraeli kontrollon të gjitha pikëkalimet kufitare të Gazës, përfshirë atë me Egjiptin. Faza e parë e armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit, e cila përfshinte rritjen e ndihmës humanitare, përfundoi të shtunën. Palët ende nuk kanë arritur një marrëveshje për fazën e dytë, në të cilën Hamas pritej të lironte dhjetëra pengje të mbetura në këmbim të tërheqjes ushtarake izraelite dhe një armëpushimi të qëndrueshëm.