Franca dhe Britania propozojnë armëpushim të pjesshëm njëmujor në Ukrainë
Franca dhe Britania po propozojnë një armëpushim të pjesshëm një-mujor midis Rusisë dhe Ukrainës, i cili nuk do të mbulonte luftimet tokësore, tha presidenti francez, Emmanuel Macron, për mediat.
Megjithatë, Macron tha se armëpushimi do të mbulonte sulmet ajrore, detare dhe të infrastrukturës energjetike.
“Në rast të një armëpushimi, do të ishte shumë e vështirë të verifikohej se (luftimet) përgjatë frontit po respektoheshin”, tha Macron për “Le Figaro”, duke shtuar se vija e frontit ishte e barabartë me distancën midis Parisit dhe Budapestit.
Zelensky: “Ukraina është e gatshme të nënshkruajë marrëveshje për mineralet pas incidentit me Trump”
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u tha gazetarëve të dielën vonë se vendi i tij është "gati" të nënshkruajë marrëveshjen SHBA-Ukrainë për mineralet.
Vetëm pak ditë pasi u largua nga Shtëpia e Bardhë pa e nënshkruar marrëveshjen, Zelensky tha:
"Unë thjesht dua që qëndrimi ukrainas të dëgjohet. Ne duam që partnerët tanë të kujtojnë se kush është agresori në këtë luftë".
Marrëveshja ishte planifikuar të nënshkruhet pas një takimi mes presidentit të SHBA, Donald Trump, dhe Zelensky të premten.
Izraeli kritikohet pas bllokimit të ndihmave humanitare dhe mallrave në Gaza
Izraeli është përballur me kritika të ashpra pasi vendosi të ndalojë hyrjen e të gjitha ushqimeve dhe furnizimeve të tjera në Gaza, duke paralajmëruar për "pasoja shtesë" për Hamasin nëse armëpushimi i ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, Katari dhe Egjipti nuk zgjatet.
Kajro dhe Doha akuzuan Izraelin për shkelje të ligjit humanitar duke përdorur urinë si armë.
Ministri i Jashtëm egjiptian, Badr Abdelatty, u bëri thirrje të gjitha palëve që të përmbushin përfundimin e marrëveshjes dhe të respektojnë kushtet e marrëveshjes që hyri në fuqi më 19 janar. Faza e parë e një marrëveshjeje tre-pjesëshe skadoi ditë më parë, por nuk është arritur asnjë marrëveshje mes dy palëve për vazhdimin e fazës së dytë.
Papa Françesku: "Ndihem i mbrojtur nga ju"
Të dielën është ndarë një mesazh tjetër pozitiv nga zyra e shtypit e Vatikanit për gjendjen shëndetësore të Papa Françeskut, i cili është shtruar në spital për më shumë se dy javë në poliklinikën Gemelli në Romë për pneumoni.
“Nata ishte e qetë, Papa është ende duke pushuar”, raportuan burimet e Vatikanit në përditësimin e mëngjesit të së dielës. Sipas raportimeve nga brenda spitalit, Papa hëngri mëngjes dhe priti Sekretarin Kardinal të Shtetit Pietro Parolin dhe zëvendësuesin, Imzot Edgar Pena Parra. Trajtimi i tij vazhdon.
Ndërkohë, në buletinin mjekësor, gjendja klinike e Atit të Shenjtë ishte cilësuar si e qëndrueshme.