Trump ndalon ndihmën ushtarake amerikane për Ukrainën
Presidenti amerikan, Donald Trump ka urdhëruar një "pezullim" për ndihmën ushtarake të SHBA-së për Ukrainën, ndërsa kërkon të bëjë presion ndaj presidentit ukrainas që të angazhohet në bisedimet e paqes me Rusinë.
Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se Trump është i përqendruar në arritjen e një marrëveshjeje paqeje për t'i dhënë fund luftës më shumë se trevjeçare të shkaktuar nga pushtimi gjithëpërfshirës i Rusisë në Ukrainë dhe dëshiron që Zelensky të "angazhohet" për këtë qëllim.
Zyrtari shtoi se SHBA-ja "po ndalonte dhe rishikonte ndihmën e saj për të "siguruar se po kontribuon në një zgjidhje".
Kina i kundërpërgjigjet importeve amerikane pasi tarifat e reja të Trump hyjnë në fuqi
Kina u hakmor me shpejtësi ndaj tarifave të reja amerikane, duke njoftuar rritje 10%-15% për taksat e importit që mbulojnë një sërë produktesh bujqësore dhe ushqimore amerikane, duke i çuar dy ekonomitë kryesore të botës një hap më pranë një lufte tregtare gjithëpërfshirëse.
Pekini vendosi gjithashtu 25 firma amerikane nën kufizime të eksportit dhe investimeve për arsye të sigurisë kombëtare, por u përmbajt nga sanksionimi i emrave të njohur, siç bëri kur u hakmor kundër tarifave të administratës Trump të 4 shkurtit.
Von der Leyen njofton planin "Riarmatimi i Europës"
Presidentja e Komisionit të Bashkimit Europian, Ursula von der Leyen tha se do të informojë vendet anëtare për planet për të forcuar industrinë europiane të mbrojtjes dhe aftësitë ushtarake të BE-së.
“Nesër do të informoj vendet anëtare përmes një letre për planin Riarmatimi i Europës. Nuk ka asnjë dyshim se ne kemi nevojë për një rritje masive në mbrojtje. Ne duam paqe të qëndrueshme, por paqja e qëndrueshme mund të ndërtohet vetëm përmes forcës, që fillon me forcimin e vetes sonë," tha ajo.
Udhëheqësit e Bashkimit Europian do të zhvillojnë bisedime urgjente të enjten për të siguruar mbështetje ushtarake për Kievin.
Përkeqësohet sërish gjendja shëndetësore e Papa Françeskut
Papa Françesku ka pësuar dy episode të vështira të frymëmarrjes, të shkaktuara nga akumulimi i mukusit dhe ngushtimi i rrugëve të frymëmarrjes, sipas raportimit të Vatikani. Ai iu nënshtrua dy bronkoskopive ku mjekët hoqën sekrecione. Pas procedurës, Papa përdori një maskë oksigjeni për të ndihmuar në frymëmarrje, por ishte i vetëdijshëm gjatë gjithë kohës.
Pas kësaj, Vatikani tha se Papa është në gjendje të mirë, por do të vazhdojë të monitorohet nga mjekët.