Bota

Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë

Shkruar nga Anabel

5 Mars 2025

Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë

Trump mban fjalën e tij të parë para Kongresit

Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë

Gjashtë javë pas marrjes së mandatit të dytë si president i SHBA-ve, Donald Trump mban fjalën e tij të parë para Kongresit. Fjalimi i Trump u përqendrua pothuajse tërësisht në çështjet e brendshme.

Në fund të fjalimit diskutoi për luftën në Ukrainë, Lindjen e Mesme apo sigurinë kombëtare në përgjithësi. Ai përsëriti qëllimin për të fituar Grenlandën dhe Kanalin e Panamasë, ndërsa shtoi se lufta në Ukrainë duhet të ndalet.

Trump tha se mori një letër më herët gjatë ditës nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, duke thënë se ai ishte gati të nënshkruante një marrëveshje të propozuar për mineralet midis dy kombeve.

Meloni refuzon propozimin e BE-së për dërgimin e trupave italiane në Ukrainë

Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ka refuzuar në mënyrë kategorike propozimin e Francës dhe Britanisë së Madhe për dërgimin e trupave ushtarake në Ukrainë. Ajo theksoi se ka dyshime sa i përket efektivitetit të këtij propozimi, ndërsa theksoi se vendi i saj nuk do të dërgojë ushtarë në Ukrainë.

Po ashtu, ajo theksoi rëndësinë e unitetit perëndimor në këtë çështje. Megjithatë, Meloni shtoi se Italia është e hapur për të bërë ndërmjetësim mes Ukrainës dhe SHBA-së, duke “sheshuar” konfliktet e krijuara mes Trump dhe Zelensky.

Von der Leyen prezanton planin e 800 miliardë eurove për të forcuar mbrojtjen e BE-së

Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka paraqitur një plan prej 800 miliardë eurosh me pesë hapa për të riarmatosur Bashkimin Europian dhe për të mbështetur Ukrainën. Ajo theksoi se siguria e Europës është nën kërcënim dhe se “duhet bërë më shumë”.

“Europa është e gatshme të marrë përsipër përgjegjësitë e saj”, tha Von der Leyen.

Procesi i miratimit për planin do të përfshijë diskutime brenda institucioneve europiane, duke përfshirë Komisionin Europian, Këshillin Europian dhe Parlamentin Europian.

Kanadaja njofton tarifat hakmarrëse ndaj SHBA-ve

Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë

Kanadaja i është përgjigjur menjëherë SHBA-ve sa i përket tarifave shtesë prej 25%. Kryeministri kanadez, Justin Trudeau njoftoi sot një taksë prej 25% për importet amerikane me vlerë 30 miliardë dollarë, që hyn në fuqi menjëherë.

Tarifat për 125 miliardë dollarë të tjerë në mallra amerikane do të hyjnë në fuqi brenda 21 ditësh, shtoi ai.

Ekonomistët kanë paralajmëruar se lëvizjet e presidentit Trump mund të shkaktojnë pasoja negative globalisht, duke përfshirë nxitjen e inflacionit që mund të dëmtojë konsumatorët.