Si jetojmë

9 aroma dhe zhurma të makinës që nuk duhet t’i injoroni kurrë

Shkruar nga Anabel

9 Mars 2025

9 aroma dhe zhurma të makinës që nuk duhet t’i injoroni

Një makinë e shëndetshme duhet të funksionojë pa probleme, por sapo të ndjeni një aromë të çuditshme apo të dëgjoni një zhurmë të pazakontë, është koha të tregoheni të vëmendshëm. Këto janë sinjale paralajmëruese që diçka nuk shkon dhe, nëse i injoroni, mund të përballeni me një problem më të madh.

1. Aroma e vajit të djegur

Kjo aromë ka një nuancë industriale dhe mund të tregojë rrjedhje vaji në motor ose në ndonjë komponent tjetër të makinës. Nëse nuk e kontrolloni, mund të çojë në dëmtime serioze të motorit.

2. Aroma e gomës së djegur

Nëse ndjeni këtë erë, mund të ketë një problem me frenat. Në disa raste, mund të ndodhë që frenat të bllokohen, duke shkaktuar fërkim të tepërt të gomave me asfaltin. Kjo jo vetëm që dëmton gomën, por mund të jetë edhe e rrezikshme për sigurinë në rrugë.

3. Aroma e plastikës së djegur

Një aromë e tillë mund të vijë nga një qese plastike që është ngjitur në sistemin e shkarkimit të makinës, gjë që nuk përbën rrezik të madh. Megjithatë, nëse burimi i aromës është një kabllo apo një tel që po digjet, mund të bëhet një problem serioz elektrik.

4. Aroma e mykut

Nëse makina juaj ka erë si një palë çorape të lagura, mund të jetë shenjë se filtri i ajrit të kabinës është i ndotur ose që në sistemin e ajrit të kondicionuar ka grumbullim lagështie. Ky problem mund të zgjidhet thjesht duke ndërruar filtrin e ajrit, që zakonisht është i vendosur pas kroskotit.

5. Aroma e vezëve të prishura

Nëse ndjeni një erë squfuri nga tubi i shkarkimit, ka shumë mundësi që katalizatori i makinës është i dëmtuar ose ka humbur efikasitetin. Në raste më ekstreme, mund të tregojë që katalizatori është vjedhur, gjë që ka ndodhur shpesh vitet e fundit për shkak të metaleve të çmuara që përmban.

6. Zhurmat e frenave

Frenat janë një nga pjesët më të rëndësishme të sigurisë, ndaj çdo zhurmë e çuditshme duhet marrë seriozisht. Nëse dëgjoni një tingull të lartë vetëm në mëngjes, mund të jetë për shkak të një shtrese të hollë ndryshku në disqet e frenave. Por nëse zhurma vazhdon, duhet ta kontrolloni sa më parë.

7. Zhurma e përplasjes (“clunking”)

Një zhurmë e tillë mund të vijë nga disa pjesë të sistemit të pezullimit, si p.sh. nyjat, amortizatorët ose shufrat stabilizuese. Këto pjesë ndihmojnë makinën të lëvizë në mënyrë të qetë dhe të qëndrueshme. Nëse njëra prej tyre është dëmtuar, mund të shkaktojë lëvizje të paqëndrueshme të makinës, duke rritur rrezikun e aksidenteve.

8. Zhurma e përplasjes metalike (“rattling”)

Një tingull i tillë mund të vijë nga një pjesë e vogël e liruar në sistemin e shkarkimit ose nga një problem më serioz si tensionuesi i zinxhirit të kohës. Nëse kjo pjesë dëmtohet, mund të shkaktojë mosfunksionim të motorit dhe ta bllokojë atë plotësisht.

Nëse makina juaj po ju “flet” me aroma dhe tinguj të pazakontë, mos e injoroni. Një kontroll i shpejtë mund t’ju kursejë shumë para dhe probleme në të ardhmen!

Burime: HuffPost