Po mendonit se keni parë gjithçka? TikTok sapo provoi të kundërtën. Një trend i ri po qarkullon mes çunave që kanë vendosur të shkurtojnë qerpikët e tyre për të dukur më “burrërorë.” Po, po, e lexove mirë.
Nëse hap TikTok-un, do gjesh plot video ku djem të ndryshëm tregojnë me krenari se si i shkurtojnë qerpikët me gërshërë ose makina rroje. Dhe ndërsa dikush mund të thotë “trupi im, zgjedhja ime,” pyetja mbetet: Kur u bënë problem për burrërinë qerpikët e gjatë? Dhe më e rëndësishmja, pse është kaq e tmerrshme të kesh një tipar që perceptohet si pak më femëror?
Po mirë, kush e vendosi që qerpikët e gjatë janë “femërorë”?
Nëse e analizojmë pak më thellë, çështja nuk është thjesht qerpikët, por pritshmëritë gjinore që shoqëria ka ndërtuar. Dr. Christina Geiselhart, eksperte në shëndetin mendor të burrave, shpjegon se ka një theks të madh tek sytë si një tipar “femëror,” gjë që ka bërë që gratë të përdorin rimel, shtesa qerpikësh dhe trajtime të ndryshme për t’i bërë ata më të gjatë dhe më të dendur. Ndërkohë, për meshkujt, qerpikët e gjatë as që përmenden në diskursin e tyre estetik, e aq më pak përshkruhen si “tërheqës” apo “burrërorë.”
Por, përpara se t’ju kapë paniku dhe të kapni gërshërët, ka disa arsye shumë të mira pse nuk duhet t’i afroheni qerpikëve me objekte të mprehta.
Rreziku është real dhe sytë tuaj s’meritojnë këtë
E para dhe më e dukshmja: Po i afroni diçka të mprehtë syrit tuaj. Pse? Një lëvizje e gabuar dhe përfundon me një dëmtim, gjë që nuk është aspak argëtuese.
E dyta, qerpikët nuk janë aty për estetikë - kanë një funksion mbrojtës. Ata ndihmojnë që pluhuri, papastërtitë dhe irrituesit e tjerë të mos futen në sy. Duke i prerë, po i hap rrugën të gjitha këtyre të bien direkt mbi sytë e tu, duke të krijuar shqetësime, skuqje dhe madje edhe infeksione.
Pra, çuna, le të biem dakord për diçka…
Nëse doni të ndiqni një trend të ri bukurie, ka kaq shumë opsione më të zgjuara se sa të shkurtoni qerpikët.