Mbyllja e platformës sociale, TikTok nga qeveria shqiptare po zyrtarizohet. Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ka bërë kërkesë zyrtare për bllokimin e aksesit në TikTok, bazuar në urdhrin e Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike.
Bllokimi i aksesit kërkohet të bëhet brenda datës 13 mars të këtij viti, ndërsa vendimi iu është bërë i ditur përmes një e-mail të gjitha subjekteve që ofrojnë shërbime internet.
“Të gjithë duhet të paraqisni konfirmim me shkrim për mbylljen e aksesit dhe domaineve të platformës sociale, brenda datës 13 mars 2025″.
Qeveria ka rekomanduar mbylljen apo kufizimin e platformës TikTok për 12 muaj. Lajmi u bë i ditur disa ditë më parë nga ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu, e cila theksoi se ky vendim është marrë pas konsultimeve të vazhdueshme me prindërit.
Sipas Manastirliut, TikTok është një rrjet social që ndikon negativisht te fëmijët, duke nxitur dhunë. Si pasojë, ministrja tha se "do të duhen disa ditë apo 1 javë për të ndërprerë përkohësisht aksesin në TikTok".
“Kemi zhvilluar konsultime të gjera me prindërit, për sigurinë e fëmijëve në mjedisin digjital dhe efektet që sjellin në gjendjen psiko-emocionale te fëmijët platformat e rrjeteve sociale. Kanë qenë pro mbylljes apo kufizimit për TikTok.”, tha Manastirliu.
Sipas ministres, pjesë e konsultimeve kanë qenë 65 mijë prindër të pyetur në 1300 takime.
Artikuj të sugjeruar: