A je personazhi kryesor në jetën tënde apo figuranti që nuk e mban mend askush në fund të filmit? Nëse je ndjerë si ky i fundit herë pas here, të japim mundësinë ta ndryshosh këtë fakt. Në “Mes nesh”, ti mund të ndash mendimet e tua më të sinqerta, të sigurojmë një ambient 0 gjykues ku ti mund të shprehesh për gjërat që ndjen aq shumë se duhet t’i ndash me dikë, sidomos kur të duket se askush nuk të kupton, apo interesohet për detajet e përditshmërisë tënde.
Të vodhën biçikletën mes qytetit dhe kishe shumë turp të ndiqje hajdutin nga mbrapa? Na intereson! Të tha i dashuri “Të dua” për herë të parë, po ty s’po të vinte t’ia ktheje mbrapsht? Na intereson! Të pëlqen herë pas here ta teprosh me alkoolin dhe të bësh prapësira vetëm për të shtuar pak adrenalinë në jetën tënde? Na intereson! E rëndësishme është që ti po bën diçka në jetë dhe ne jemi gjithë sy e veshë për t’i dhënë rëndësinë e duhur historisë tënde. :)
"Dita kur çova vajzën në çerdhe për herë të parë ishte dita më e tmerrshme e jetës sime. Guxoj ta pranoj që nuk isha ndjerë kurrë aq keq në gjithë përvojën time si nënë. Mendoja se isha gati, pasi të gjithë (të afërmit, vjehrra, mami, miqtë) më kishin dhënë këshilla, por askush s’më kishte thënë çfarë realisht doja të dëgjoja. Fjalitë klishé po jua kursej, ndaj po tregohem shumë e drejtpërdrejtë.
1. Ndjesia e fajit është e pashmangshme: Do të të thonë “është më mirë për zhvillimin e fëmijës”, “do të mësohet me fëmijët e tjerë”. Por askush nuk të thotë sa shumë fajtore do të ndihesh. Nuk është vetëm dita e parë, është çdo ditë. Mbaj mend kur vajza m’i ngulte sytë dhe unë lexoja në sytë e saj sikur më thoshte: “Mami, ku po shkon?”. Do qash dhe do qash pafund. Kjo ndjenjë faji do të të shoqërojë gjatë gjithë ditës. Për ditë me radhë. Më frikësonte ideja që do hidhte hapat e parë dhe unë s’do isha aty. Do mësonte ndonjë fjalë të re dhe s’do isha unë personi i parë që do ta dëgjoja. Nuk ka rëndësi sa shumë të këshillojnë të tjerët – ndjesia e fajit do të jetë aty. Por askush nuk do të të thotë: po bën më të mirën që mundesh dhe kjo është më se e mjaftueshme.
2. Do të jesh e pasigurt: Sado të kesh bërë kërkime në internet dhe të kesh marrë sugjerime, do të pyesësh veten për çdo gjë: A është vendi më i mirë? A kam bërë zgjedhejn e duhur? Askush nuk të thotë se është normale të dyshosh dhe të jesh e pasigurt. Dyshimi është pjesë e procesit dhe ashtu si fëmija, po mësoni të dy. Shumë shoqe mund të të thonë se “fëmija i saj u përshtat menjeherë” apo “nuk është sëmurur fare” ndërkohë që këtej nga shtëpia jote ka vetëm viroza. Mos lejo që përvoja e të tjerëve të të bëjë të dyshosh. Mos krahaso përvojat dhe mos merr si shembull të tjerët. Çfarë funksionon për dikë tjetër, nuk mund të funksionojë për fëmijën tënd.
3. Do të të mungojë më shumë seç ke menduar: Mendoja se pasi ta çoja në çerdhe, do kisha më shumë kohë për veten. Të them të drejtën më kishte munguar koha me veten, më kishte munguar pjesa ku "nuk jam nënë me kohë të plotë". Por askush nuk më tha se do të më mungonte aq shumë vajza. Është një boshllëk i çuditshëm - sikur zemra jote ka mbetur diku tjetër.
4. Do kesh ndjesi të përziera: Do të ketë ditë kur nga pesha e shumë gjërave (të qenit mami, grua, punonjëse etj.) do të ndjesh një lloj lehtësimi kur të çosh fëmijën në çerdhe. Një lehtësim sikur ke një përgjegjësi më pak. Pastaj fill pas kësaj, do të të duket vetja sikur je nënë e keqe. Sikur po neglizhon fëmijën. Është OK të kesh ndjesi të tilla. Sidoqoftë, kjo nuk të bën nënë të keqe – kjo të bën thjesht njeri. Bëj paqe me këtë.
5. Bëhet më e thjeshtë, por jo mënjëherë: Më dukej sikur tranzicioni do të zgjaste përgjithmonë. Por ngadalë, me kalimin e kohës, lotët m’u pakësuan dhe “mirupafshim” në mëngjes nuk ishte më aq dramatike. S’dua t’ju frikësoj, por do të ketë ditë që fëmija s’do të dojë të vijë me ju, por do të dojë të qëndrojë më shumë me edukatoren. Ti do të frikësohesh që papritur nuk je më qendra e botës së tyre, por pastaj do të gjesh paqe në faktin që bebushi yt po rritet dhe po ndërton botën e tij të vogël.
Si një nënë që e ka përjetuar këtë fazë, di të të them që kujtoji vetes se dashuria jote nuk matet me orët që kalon pranë fëmijës, por me kujdesin dhe përkushtimin që i jep, pavarësisht distancës. Ti je dhe do të mbetesh gjithmonë qendra e botës së tij/saj, zëri yt do ta ngushëllojë, përqafimi yt do të mbetet vendi më i sigurt për të. Thjesht përpiqu të jesh më e butë me veten dhe beso që po bën më të mirën tënde." – shkruar nga një nënë e re.
Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.