Mendja

5 mesazhe që po përcjell me sjelljen tënde pa e kuptuar fare

Shkruar nga Anabel

14 Mars 2025

5 mesazhe që po përcjell me sjelljen tënde pa e kuptuar fare

Kur flasim për komunikimin, zakonisht mendojmë për fjalët, por e vërteta është që një pjesë e madhe e asaj që themi ndodh pa nxjerrë asnjë zë. Është sikur të ketë dy biseda në të njëjtën kohë: njëra me fjalë dhe tjetra me gjuhën e trupit.

Problemi është se ndonjëherë trupi ynë mund të thotë gjëra që nuk i kemi me mendje, duke çuar në keqkuptime e sinjale të përziera. Prandaj, pak më shumë ndërgjegjësim mbi atë që po përcjellim pa dashje mund të na ndihmojë të komunikojmë më qartë dhe të kuptojmë më mirë të tjerët.

Ja disa mesazhe që po dërgon pa e kuptuar:

1. Trupi yt tregon sa i përfshirë je në një bisedë

Nëse ke kthyer të gjithë trupin nga personi me të cilin po flet, kjo tregon që je i pranishëm dhe i përqendruar. Nga ana tjetër, nëse vetëm koka është kthyer ndërsa pjesa tjetër e trupit është gati për arratisje, sinjali është i qartë: s’je plotësisht aty ose mezi pret të largohesh.

2. Telefoni yt flet për ty (dhe jo në mënyrën më të mirë)

Të gjithë e kemi bërë të paktën një herë: dikush po flet dhe ndërkohë ne shohim njoftimet në telefon. Edhe nëse s’po e prek, fakti që e ke pranë ose mbi tavolinë, tregon se vëmendja jote është pjesërisht diku tjetër. Dhe besoji, askujt nuk i pëlqen të ndihet sikur po garon me një ekran.

3. Sytë që tregojnë mungesë interesi

Nëse gjatë një bisede shikon vazhdimisht rrotull, tregon që s’je dhe aq i përfshirë. Edhe nëse po dëgjon me vëmendje, personi tjetër mund të mendojë se je i mërzitur ose i shpërqendruar. Nga ana tjetër, nëse je ti ai që flet dhe sheh drejtpërdrejt në sy gjatë gjithë kohës, kujdes - kjo mund të ndihet si përballje e pakëndshme.

4. Pohimet me kokë, por pa e tepruar

Tundja e kokës është një mënyrë e mirë për të treguar që je duke dëgjuar dhe kuptuar. Por nëse tund kokën si të ishe në një festival muzike, mund të duket sikur po përpiqesh të përshpejtosh bisedën ose nuk ke durim të dëgjosh më.

5. Distanca ka kuptim

Si rregull i pashkruar, sa më të afërt të jeni me dikë, aq më pranë mund të qëndroni pa e bërë situatën të sikletshme. Nëse i afroheni shumë dikujt me të cilin s’keni intimitet, kjo mund të duket si agresivitet ose mungesë respekti për hapësirën personale. Nga ana tjetër, nëse qëndroni shumë larg, mund të duket sikur po mbani distancë qëllimisht.

Në fund të fundit, gjuha e trupit është një komunikim më vete. Ndaj, herën tjetër që je në një bisedë, përpiqu të vëresh çfarë po thotë jo vetëm goja jote, por edhe trupi!