Të gjithë kemi ditë kur zgjohemi pa ndonjë plan dhe e dimë që nuk do ndodhë asgjë. Ajo ditë nisi si gjithë të tjerat, derisa mora një mesazh nga shoqja ime Alba: “Do pimë një kafe aty në qendër te Toptani, s’kam asgjë për të bërë sot.” Nuk e dija se do të ishte një ditë që nuk do ta harroja për shumë gjatë.
Toptani, si gjithmonë, ishte plot ngjyra, dritë dhe me njerëz me energji të mirë. Ora 10.30 e mëngjesit, u ulëm në katin 0 dhe po pinim kafe. E humba për një moment fillin e historisë që po tregonte Alba dhe ngrita kokën. U ndesha me dy sy të mprehtë që dukej sikur po më skanonin. Djali me buzëqeshjen flirtuese te tavolina ngjitur më bëri të ndihesha pak e ndrojtur.
Gjithsesi, vendosa ta injoroj dhe vazhdoj ditën time.
Ngjitemi në katet e sipërme për të parë dyqanet. “Vetëm do shohim” tha Alba, por askush prej nesh s’e besoi. Sigurisht që nuk do të largoheshim nga Toptani pa i parë të gjitha! Kishin mbërritur koleksionet e reja të pranverës dhe nuk lamë vend pa kontrolluar, nga street style te veshjet elegante për evente.
Ai djaloshi misterioz i katit 0 u harrua mes gamës së gjerë të veshjeve, derisa u rishfaq papritur në momentin më të keq: unë po provoja një palë atlete të kuqe!
“Nuk të shkojnë fare ato,” më tha, dhe bëri dy hapa të ngadaltë para. Zëri ishte tmerrësisht tërheqës dhe për një moment, pata një impuls të menjëhershëm për t’u përgjigjur me arrogancë: “Më fal, të kërkova mendim?”
Ai thjesht qeshi dhe tha: “Pa merak, e ke falas.” Pas atij momenti, për një çast, mendova se nuk mund ta injoroja për shumë gjatë. Dhe pavarësisht se e injorova, diçka më bëri të ndihesha mirë që më foli. Nejse, ai u largua sërish, por diçka më tha që ky nuk ishte fundi (spoiler: rishfaqet më vonë).
Dikush mund të thotë që shopping-u lodh, por unë them që është thjesht një justifikim i mirë për t’u ulur dhe për të shijuar diçka të shijshme! Nga ushqimi i shpejtë te një drekë elegante me pamje nga Tirana jonë e dashur, unë dhe Alba kishim plot opsione. Zgjodhëm një snack të shpejtë sa për të pushuar.
Më vonë, vendosëm të argëtoheshim pak me botën virtuale, por më mbaruan energjitë. “I provojmë herë tjetër këto syzet VR,” i thashë Albës dhe u nisëm për te parkingu, ku ndodhi e papritura.
Kur po shkoja afër makinës sime, një makinë kaloi me shpejtësi dhe m’u afrua shumë. M’u duk sikur do të më përplaste, por ndaloi në kohë. Ai djaloshi arrogant po kalonte aty pranë. “Fëmijët dhe të marrët i ruan Zoti” më tha. Doja të qeshja, por jooo – thjesht i buzëqesha me ironi.
“Do të ta jepja numrin,” – shtoi ai, duke shkuar në drejtim të makinës – “por s’ka gjë, do shihemi sërish këtu vërdallë.” Dhe iku.
Ai, me gjithë natyrën ngacmuese, më pëlqeu se kishte një mënyrë të veçantë për të shprehur interesin. Duhet thënë: unë i urrej fjalët e sheqerosura.
Dhe tani, përpos të gjithë arsyeve që shkoj çdo fundjavë te Toptani - nga kafenetë që më bëjnë të ndihem si në shtëpi, te dyqanet me koleksionet e fundit dhe mundësia për të kaluar kohë me miqtë e familjen - më vjen inat me veten që do të shkoj atje edhe me shpresën se ndoshta do ta rishoh këtë djalin misterioz. E di, kam parë shumë filma.
Kush e di, mbase një ditë, do t'ju rishkruaj për t'ju thënë nëse historia vazhdoi.