Në një botë ku gjithçka lëviz me shpejtësi, Albani dhe Bieta kanë një zakon të përditshëm që e ruajnë prej vitesh. Alban Dudushi tregoi në podkastin “The Dalina Show” në Andale Media se çdo mëngjes, ata ulen dhe e pinë kafenë bashkë, në shtëpi.
“Mëngjesi me Bietën nis me një lloj rituali me kafenë e mëngjesit, e pimë në shtëpi. Kemi një ekspres të mirë dhe që kur ka lindur djali, qëndrojmë në shtëpi dhe e pimë kafenë e mëngjesit bashkë,” u shpreh ai.
Ky zakon kaq i thjeshtë, mund të ketë një ndikim të madh në marrëdhënien në çift.
1. Një çast i përbashkët: Në mes të angazhimeve të përditshme, një moment i qetë ku të dy uleni dhe pini kafenë bashkë është si një oaz në shkretëtirën e ditës. Ky është çasti kur nuk ka telefonata, mesazhe apo angazhime të tjera, vetëm ju të dy dhe një filxhan kafe.
2. Gjithçka nis me komunikimin: Marrëdhëniet që zgjasin ndërtohen mbi komunikimin. Ky ritual i thjeshtë është një mundësi për të folur për gjithçka: që nga ëndrrat e natës e deri tek planet e ditës. Një bisedë e thjeshtë, pa ngut, krijon hapësirën për të ndarë mendime, shqetësime apo edhe të qeshura.
3. E bukura e momenteve të thjeshta: Puna, fëmijët, detyrimet e shumta shpesh e bëjnë të vështirë gjetjen e kohës për çiftin. Por një moment i vogël, i përditshëm, si pirja e kafesë së mëngjesit, është një kujtesë se dashuria nuk ka nevojë për gjeste madhështore. Romanca nuk është vetëm darka të shtrenjta apo pushime ekzotike.
Nuk ka rëndësi nëse jeni adhurues të kafesë apo jo. E rëndësishme është rutina e përbashkët, ai moment i thjeshtë për ju të dy. Mund të jetë çaj, një gotë lëng, apo thjesht disa minuta bashkë duke u zgjuar ngadalë. Qëllimi është të krijoni një zakon që ju bashkon çdo ditë.