Mama Talk

Mes nesh: “Bebushi im ishte perfekt, por unë vetëm pas 1 muaji fillova ta doja”

Shkruar nga Anabel

21 Mars 2025

Mes nesh: “Bebushi im ishte perfekt, por unë vetëm pas 1 muaji

Mes nesh: “Bebushi im ishte perfekt, por unë vetëm pas 1 muaji

"Solla në jetë djalin tim të parë një të shtunë të zakontë. M’u deshën 40 orë dhe e përballova përgjithësisht mirë. Kur ma vendosën djalin mbi kraharor për kontaktin e parë lëkurë më lëkurë, mbaj mend që lëshova thjesht një “Oh!” pa kuptuar as vetë emocionin që qëndronte pas saj. Mendova se reagimi im, që s’ishte ndonjë reagim dhe lotët që s’i derdha dot ishin thjesht prej rraskapitjes së madhe.

Mendoja se për pak orë do të ndjeja atë “Ti je dashuria më e madhe në botë që kam ndjerë ndonjëherë” që ndiejnë gjithë nënat e reja, por kaluan ditë dhe s’po vinte ky moment për mua. Nuk mendoj se ndihesha as në depresion, nuk është se isha e trishtuar, por isha plotësisht e mpirë nga gjithë emocionet, veçanërisht javën e parë.

Djali im nga ana tjetër ishte gjëja më perfekte në botë. Mësoi shpejt të pinte gji, ushqehej bollshëm dhe s’qante pothuajse kurrë. Një engjëll i vërtetë. Por unë hiç. Rrija dhe e shikoja me minuta të tëra ndonjëherë dhe vrisja mendjen “Ku dreqin e kam problemin?!”. Burri im nga ana tjetër tashmë ndihej shumë i lumtur dhe krenar, i reflektohej si në fjalë, ashtu dhe në vepra.

Ndjenja më e tmerrshme e fajit më vinte atëherë kur më pyesnin mami, vjehrra, koleget: “A je e lumtur?”, “A e do fort?” në mënyrë retorike dhe mua më vinte të plasja e t’u thosha ç’ndieja vërtet. S’guxova ta bëja sepse pikërisht këto pyetje të tyret më bënin të kuptoja se ato s’kishin kaluar një eksperiencë të ngjashme si e imja dhe po t’u shprehesha do më merrnin për të çmendur.

Dhe dyshoja dhe vetë se isha çmendur në fillim. Isha e dëshpëruar për të gjetur një mami tjetër që kishte kaluar këtë që po kaloja unë dhe ta pyesja se a mbaronte ndonjëherë ky ferr. Ngushëllimi im u bënë video You Tube-i të mjekëve të certifikuar që shpjegonin se shumë nga gjërat që po kaloja, ishin gjëra normale që i kalon çdo grua. Ndihmë e madhe u bë dhe një shoqe e imja që më siguronte se me kohën do më zhdukej çdo re e zezë që më kishte mbuluar kokën.

Dhe lajm i mirë: ferri mbaron. Do të ndodhë sërish një ditë të zakontë, do të zgjohesh në mëngjes dhe do të mësohesh me atë qenien e vogël që fle qetë përbri teje. S’do të rrini dot po s’i ndjetë aromën qiellore të voglit tuaj. Përkujdesi, që e kishit me aq merak dhe frikë që në fillim për t’ia dhënë të voglit, pas një muaji, apo edhe më shumë në varësi të personit, do të bëhet një kohë që do filloni ta shijoni vërtet shumë.

Jo shumë mama apo doktorë flasin për shokun e madh që ndjen gruaja pasi sjell një qenie njerëzore në këtë botë. Është normale që trupit dhe mendjes tënde t’i duhet kohë që të marrë veten prej gjithë traumës, veçanërisht pas lindjes së parë.

Tani, nuk e imagjinoj dot jetën time pa këtë engjëll 9-muajsh që kam sjellë në dritë, por na u desh pak kohë të dyve që të arrinim në këtë pikë. Mos u bëni shumë kritike ndaj vetes suaj mama dhe kërkoni ndihmë nëse e ndjeni të nevojshme: nuk ekziston turpi kur nëna do të bëjë atë që është e nevojshme për të voglin e saj."

Shënim: Artikulli është përshtatur nga redaksia për qëllime editoriale dhe qartësie. Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.