Të gjithë duam që të tjerët të na shohin pozitivisht, por duam që edhe vetë ta shohim veten po njësoj. Ky është çelësi për të kuptuar taktikën e thjeshtë të Jonah Berger që i bën njerëzit të thonë atë që ju kërkoni prej tyre.
Berger shpjegoi teknikën duke përdorur një studim të Universitetit Stanford që përfshinte fëmijë parashkollorë. Studiuesit u bënë grupeve të fëmijëve 5-vjeçarë të njëjtën pyetje: A do të ndihmoni në pastrim?
Dallimi ishte në mënyrën e të shprehurit. Një grup u pyet: "A mund të ndihmoni me pastrimin?" Grupi tjetër u pyet: "A mund të bëheni asistent pastrimi?"
Fëmijët që u pyetën nëse dëshironin të ishin "asistent" kishin 30% më shumë gjasa të dëshironin të pastronin klasën. Ata nuk ishin aq të interesuar për pastërtinë, por donin të njiheshin si "ndihmës/asistent".
Eksperti beson se riformulimi i pyetjes ishte kyç për përfshirjen e fëmijëve në pastrimin e klasës.
“Ka të bëjë me dallimin mes veprimeve dhe identiteteve. Ne të gjithë duam ta shohim veten si të zgjuar, të aftë dhe inteligjent në një sërë gjërash të ndryshme," tha Berger.
Me pak fjalë, nëse mësoni të riformuloni kërkesat për t'iu drejtuar identiteteve të njerëzve, do të bëheni më bindës.
Kjo teknikë nuk funksionon vetëm sepse njerëzit duan ta shohin veten pozitivisht. Funksionon edhe për të kundërtën. Njerëzit gjithashtu duan të shmangin etiketimet negative.
"Të tradhtosh është e keqe, por të jesh mashtrues është më keq." “Të humbësh është negative, të jesh humbës është edhe më keq”, thotë Berger.
E njëjta taktikë mund të përdoret gjithashtu për të bindur veten për të ndryshuar perceptimin tonë. Të thuash që të pëlqen të gatuash është një gjë, por të quash veten kuzhinier është një identitet.
"Unë jam një vrapues. Unë jam një student i shkëlqyer. Ju duhet të fokusoheni në këto gjëra sepse ky është identiteti që keni”.
Shpjegimi i Berger tregon se sa e rëndësishme është të përmirësojmë aftësitë tona të komunikimit. Duke ndryshuar thjesht një fjalë, ne mund t'i bëjmë njerëzit të përmbushin kërkesat tona në mënyrë më efektive. Fjalët janë magjike dhe ne duhet t'i përdorim ato me mjeshtëri.
Burimi: Marie Claire