Anabelizim

Mes nesh: “Burri më tradhtoi dhe martesa jonë u përmirësua”

Shkruar nga Anabel

28 Mars 2025

Mes nesh: “Burri më tradhtoi dhe martesa jonë u

Mes nesh: “Burri më tradhtoi dhe martesa jonë u

“Burri më tradhtoi dhe martesa jonë është më e mirë se kurrë. Lexojeni përsëri. Kafshatë e vështirë për t’u kapërdirë, e di. Dhe fakti që martesa jonë po lulëzon është një tronditje e vërtetë për mua. Kjo që po më ndodh është jashtë çdo skenari.

Por, ja ku u gjenda, 11 vjet bashkëshorte dhe në martesën tonë ndodhi një pabesi. Kur e mora vesh, ishte një lehtësim. Për muaj me radhë para se të bëja këtë zbulim po shkatërrohesha si person. 

Po humbisja gjumin. Ndihesha nervoze. Zgjohesha me një dhimbje në kraharor. Madje shkova te mjeku dhe bëra analiza gjaku për të gjetur shkakun. Google-i nga ana tjetër më kishte shtyrë të besoja se ishte ose kancer, ose Alzheimer i hershëm.  

Kështu, kur u zbulua gënjeshtra, më iku një peshë nga shpatullat, u qetësova. Gjithë dhimbjet që më mundonin nuk ishin ndonjë sëmundje, ishte intuita ime.

Dhe pastaj përsëri, u largova nga skenari klasik. Unë nuk i bërtita atij. As zërin nuk ia ngrita. As skena të dhunshme nuk bëra.

Një pjesë e imja e dinte se ky njeri me të cilin isha martuar ishte vërtet një person i mirë. Hedhja poshtë e një dekade dhe gjithçkaje që kishim ndërtuar, thjesht nuk ishte një mundësi. Ne folëm. Bëmë ato lloj bisedash ku nxjerr zemrat nga gjoksi dhe i vendos në duart e njëri-tjetrit. Bëmë seksin e çmendur që njerëzit zakonisht e provojnë vetëm në grahmat e hershme të dashurisë dhe pasionit. 

Pjesa më e vështirë çuditërisht nuk ka qenë riparimi i martesës. Martesa jonë është e mrekullueshme. Ajo që nuk kam tani është mbështetja e shoqërisë. Nuk ka brohoritje kolektive të padukshme kur tregon se ka pasur pabesi të shoqëruar me pajtim në martesën tënde.

Ajo që shoqëria nuk pranon është se ky ndryshim ka ardhur pas shumë dhimbjesh dhe pasigurish. Nuk ka udhëzime për ata që duan të “riparojnë” marrëdhëniet pas tradhtisë dhe nuk ka mbështetje publike për këtë.

Sikur burri im të kishte vdekur dhe të kishte një trup për të varrosur, do të kishte lutje dhe ngushëllime për mua. Por tradhtia është një dhimbje që nuk ka formë fizike dhe kjo e bën më të vështirë për të tjerët që ta kuptojnë, sepse ata nuk e shohin procesin e ndryshimit në një marrëdhënie.

Njerëzit duan të dinë, por nuk duan të ndërhyjnë. Kështu, shumëkush e ka të vështirë të kuptojë që martesa ime është më e fortë tani, sepse kjo është një histori që nuk ka vend në normat e shoqërisë.

Përfundimisht, tradhtia na ndryshoi, por ajo na bëri gjithashtu të rishikojmë atë që kishim ndërtuar, duke e shndërruar martesën tonë në diçka më të fortë dhe më të vërtetë se kurrë. Tingëllon e rëndë, por i jam mirënjohëse tradhtisë së tim shoqi sepse gjallëroi martesën tonë në nivele që s’i kisha imagjinuar më parë.”

Shënim: Artikulli është përshtatur nga redaksia për qëllime editoriale dhe qartësie. Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.

Letra të tjera nga rubrika "Mes nesh":