Anabelizim

Mes nesh: "Kapa tim bir duke parë porno dhe nuk dija si të reagoja"

Shkruar nga Anabel

11 Prill 2025

Mes nesh: "Kapa tim bir duke parë porno dhe nuk dija si të

"Të jesh prind i vetëm i dy djemve është një aventurë më vete. Për një çast mendova se i kisha parë të gjitha – zënka pafund, çanta të hedhura nëpër shtëpi, gota të thyera, net pa gjumë e shumë lodhje. Siç kam dëgjuar një shprehje: të kesh fëmijë është si të jetosh në një shtëpi studentësh – askush nuk fle dhe gjithçka është rrëmujë!

Por, siç ndodh shpesh me prindërimin, ka situata që të kapin krejtësisht të papërgatitur.

Ishte një natë fundjave. U ktheva vonë nga puna. Shtëpia e qetë, dritat e korridorit të fikura, dyert e dhomave të fëmijëve të mbyllura. Si zakonisht, para se të bie të fle, hyj t’i përqafoj për t’u uruar natën e mirë. E kam rutinë. Fillova me dhomën e djalit të madh.

Kur hapa derën, vura re që llamba e vogël ishte ndezur. Dhe aty, në një cep të krevatit, e pashë duke u masturbuar teksa shikonte porno. U shokova. Ngriva. Nuk dija si të reagoja. Ai më pa, u tremb dhe ngriu njësoj si unë.

I thashë që po dal nga dhoma duke i dhënë mesazhin se do kthehesha sërish për disa minuta. Dhe në ato minuta, ndjeva çdo lloj emocioni – hutim, inat, turp, por edhe shqetësim të madh. Im bir është vetëm 9 vjeç!

Nuk doja të reagoja me nerva dhe pse realisht ai ishte reagimi im i parë. I dhashë pak kohë dhe vetes dhe u përpoqa të mendoja si t’i qasesha kësaj situate. Sepse po, duhet të flisnim për këtë. Nuk mund të sillesha sikur nuk ndodhi.

Dhe problemi më i madh ishte se s’dija ç’t’i thoja. Ku na kanë folur ndonjëherë ne prindërit për seksin, mastrubimin, apo pornografinë? Po më luante mendsh ideja që ishte ekspozuar ndaj gjithë atyre materialeve jorealiste dhe të dhunshme në një moshë aq të njomë, sepse pjesa e masturbimit është mëse normale. Aq më keq nëse kishte kohë që shihte video të tilla, po sikur të kishte krijuar varësi? Dhe e gjitha kjo para syve të mi e unë s’kisha kuptuar asgjë.

Kur i vajta sërish në dhomë, ishte strukur në krevat dhe qëndronte aty me një fytyrë fajtori. Më dhimbsej. Nuk doja të ndjehej sikur kishte bërë ndonjë krim. Ishte momenti për një bisedë të ndjeshme – dhe më mirë që ndodhi tani.

U ula pranë tij, i mora dorën dhe i thashë me zë të qetë: 

“E di që ishte një moment i sikletshëm për të dy, por është në rregull. Duhet ta flasim pak. Nuk është turp. Është një pjesë e natyrshme e rritjes dhe ndodh me çdo djalë apo vajzë.”

U zverdh në fytyrë. Natyrisht dhe unë s'ia thashë dot kaq bukur sa ç'po e shkruaj tani, po me një zë të mekur, se kështu të nxjerr zbuluar... injoranca për të trajtuar tema kaq delikate me fëmijët e tu.

I shpjegova që nuk kishte bërë asgjë të keqe. I tregova se është pjesë e zhvillimit të tij si djalë, se trupi i tij po ndryshon dhe se është mëse normale që të ndjejë kureshtje për trupin e vet. I theksova që është një gjë personale dhe që ka rëndësi të ruajë privatësinë, por nuk është as turp, as faj.

Megjithatë, e kisha shumë të rëndësishme t’i sqaroja shumë gjëra dhe për pornografinë, që ma merrte mendja se duhej ta bëja një ditë si bisedë, por kurrë kaq herët, ndaj dhe e kapa veten kaq të zënë ngushtë.

I shpjegova që gjithçka ndodh nëpër ato video është tejet jorealiste. Që personat që ndodhen aty aktrojnë. Që materiale të tilla janë shumë të dëmshme dhe të dhunshme për fëmijë aq të vegjël dhe seksi është një eksperiencë kaq personale dhe intime, saqë kur të vijë shumë natyralisht dita që ta provosh dhe vetë, do kesh një ide më të qartë, të shëndetshme dhe në fund të fundit realiste për të.

E pashë që u qetësua disi dhe aty kuptova sa e rëndësishme është që të jemi të pranishëm si prindër, me qetësi dhe mirëkuptim. M’u hap dhe tha që i kishin treguar shokët për faqen dhe detaje të tjera. E vërtetë ose jo, nuk kishte rëndësi, dëmi tashmë ishte bërë dhe ndoshta më mirë që ndodhi kështu.

Më habiti maturia me të cilën fliste në fakt – dhe ndjeva një lloj sigurie që ky brez po rritet më i vetëdijshëm për veten. Vërtet kishte bërë një “gabim”, ama u çlirova kur përmes komunikimit e kuptova se ishte sërish biri im, atë që e kam rritur për ta bërë një djalë të edukuar dhe qytetar mbi të gjitha.

Dhe tani e di që shumë shpejt, më pret edhe një bisedë e ngjashme me djalin e vogël...

Ky ishte një moment që si nënë nuk do ta harroj kurrë – jo për sikletin, por për rëndësinë që pati për marrëdhënien time me djalin. Në fund të ditës, është detyra jonë të jemi aty për ta – jo për t’i gjykuar, por për t’i udhëzuar me qetësi. Si shqiptarë që jemi dhe edukata seksuale shikohet akoma si tabu, apo nuk trajtohet as nëpër shkolla, na duket e rëndë të përballemi me të tilla situata. Ama, si prindër që jemi, e shoh se është shumë e rëndësishme t’u tregojmë fëmijëve që s’jemi ne armiqtë e tyre dhe interneti i vetmi realitet ku mund ta gjejnë veten.

Është e vështirë kjo kohë ku po jetojmë, ama të gjithëve na duhet të përballemi me sfida të ndryshme. E vetmja gjë që na mbetet për të bërë për fëmijët tanë, është t’u tregojmë se na kanë pranë, çfarëdo që të ndodhë, sado e sikletshme të jetë biseda. Nuk është turp t’i flasësh gjërat, dëmi më i madh bëhet kur jetojmë 3 veta në një familje dhe secili është i izoluar brenda 4 mureve të veta," shkruar nga një mama e sinqertë.

Shënim: Artikulli është përshtatur nga redaksia për qëllime editoriale dhe qartësie. Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.

Letra të tjera nga rubrika "Mes nesh":