A e kujton puthjen tënde të parë? Ishte romantike apo super e sikletshme? Po e fundit? A ka ndryshuar mënyra se si e përjeton puthjen?
Edhe pse duket si diçka e natyrshme, puthja është një aftësi që mund të përmirësohet. Sipas psikoterapistëve, shumë njerëz e anashkalojnë rëndësinë e puthjes, sidomos kur kalojnë në fazat e tjera të intimitetit - por në fakt, puthja është thelbësore për lidhje, pasion dhe kënaqësi.
Frekuenca e puthjeve lidhet ngushtë me lidhjen emocionale në çift. Me këtë në mendje, ja 8 hapa për të përmirësuar stilin tënd të puthjes, sipas ekspertëve:
1. Mos nxito – merr kohën tënde
Puthjet më të mira janë të qeta dhe të ndjeshme. Njerëzit që ndihen të pasigurt shpesh nxitohen, por është e rëndësishme të qëndrosh i pranishëm dhe të ndjesh momentin.
2. Përdor sasinë *e duhur* të pasionit

Shumë gabojnë duke qenë ose shumë agresivë, ose shumë të butë. Puthja duhet të jetë e balancuar - jo shumë e egër, por as pa energji. Mund të praktikosh në pjesën e butë të dorës për të kuptuar ndjesinë.
3. Përdore gjuhën me zgjuarsi
Fillimisht përqendrohu vetëm në buzë. Gjuha shtohet më vonë dhe duhet përdorur butësisht, si një përkëdhelje e lehtë, jo si “gjuha e gjarprit”. Mund të praktikosh sërish në dorën tënde për të kuptuar forcën që po përdor.
4. Mbylli sytë

Kontakti vizual mund të jetë i bukur në momente të caktuara, por për shumicën e kohës, mbyllja e syve ndihmon që të përqendrohesh në ndjesi dhe të përjetosh momentin.
5. Përfshi gjithë trupin
Puthe partnerin/en, por përdor edhe duart - ledhatoji flokët, faqet, shpatullat. Mund ta përqafosh, ta përkëdhelësh, apo ta puthësh në qafë dhe veshë për ta bërë përvojën më të pasur.
6. Luaj pak mes puthjeve

Tërhiqu pak, për ta bërë më intriguese gjënë. Lëvizje si ledhatimi i buzës së poshtme me gisht apo një buzëqeshje flirtuese e shoqëruar me kontakt me sy, janë mënyra lozonjare për të ruajtur tensionin erotik.
7. Përshtat teknikat sipas personit
Çdokush ka stil të ndryshëm. Vëzhgo reagimet e partnerit/es dhe përshtatu. Nëse diçka i pëlqen, vazhdo - nëse jo, ndrysho qasjen. Puthja është si një vallëzim, ku të dy duhet të sinkronizoheni.
8. Mos e gjyko veten

Edhe nëse ndihesh i/e pasigurt, përpiqu t'i zhdukësh mendimet dhe të jetosh momentin. Nëse ndihesh në siklet, fol hapur me partnerin/en. Komunikimi ndërton besim dhe ndihmon që puthja të bëhet më e natyrshme.
Këshilla shtesë:
Komunikimi është kyç
Shpreh çfarë të pëlqen dhe inkurajo partnerin/en kur bën diçka mirë. Sugjerimet e buta gjatë puthjes janë mënyra efektive për të drejtuar pa prishur magjinë.
Nuk është vetëm për buzët

Ekspertët sugjerojnë të eksplorosh edhe pjesë të tjera të ndjeshme të trupit si: qafa, veshi, balli, faqet, nofulla, klavikulat, kraharori, barku, beli, kofshët dhe më shumë. Këto shtojnë intensitet dhe variacion.
Mos harro kujdesin për buzët
Për një puthje të mirë, buzët duhet të jenë të buta, të hidratuara dhe të kujdesura. Në fund të ditës, puthja është një përvojë intime që lidhet me ndjeshmërinë, komunikimin dhe praninë në moment. Dhe gjithmonë ka vend për përmirësim!