Përmes një letre drejtuar Sekretariatit të Kuvendit të Kosovës, Albin Kurti ka dhënë dorëheqjen si kryeministër i Kosovës – një vendim ky procedurial, jo përfundimtar.
Kushtetuta e shtetit të Kosovës parashikon që secili deputet i dalë nga zgjedhjet, përfshirë edhe kryeministri i vendit, të japë dorëheqjen dhe më pas të betohet si ligjvënës.
Pas betimit, deputetët do të zgjedhin Kryetarin e ri të Kuvendit dhe me gjasë edhe qeverinë e re.
Dorëheqjen e kanë dhënë edhe anëtarët e tjerë të qeverisë në detyrë të Kosovës, që janë zgjedhur deputetë në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Megjithatë, Albin Kurti do të vijojë të jetë kryeministër në detyrë deri në krijimin e qeverisë së re. Qeveria e re krijohet nga partia me më shumë mandate, e cila në këtë rast është Vetëvendosja, parti e cila pritet të votojë si kryetar të saj, rrjedhimisht kryeministër, Albin Kurtin.