Bota

Tronditet Gjermania: Mjeku akuzohet për vrasjen e 15 pacientëve

Shkruar nga Anabel

16 Prill 2025

Tronditet Gjermania: Mjeku akuzohet për vrasjen e 15 pacientëve

Një mjek gjerman i kujdesit paliativ* është akuzuar për vrasjen e 15 pacientëve të tij duke përdorur një përzierje ilaçesh vdekjeprurëse.

Kujdesi paliativ* - një lloj i veçantë kujdesi mjekësor që u ofrohet personave me sëmundje serioze, kronike ose të pashërueshme, me qëllim që të lehtësohet dhimbja dhe simptomat, si edhe të përmirësohet cilësia e jetës.

Prokurorët në Berlin kanë akuzuar 40-vjeçarin se u ka vënë zjarrin banesave të disa prej viktimave të dyshuara, me qëllim që të fshehë gjurmët.

Ai dyshohet se ka vrarë 12 gra dhe tre burra midis shtatorit të vitit 2021 dhe korrikut të 2024-s, megjithatë prokurorët kanë deklaruar se besojnë që numri i viktimave mund të rritet.

Mjeku, emri i të cilit nuk është bërë publik për shkak të ligjeve të rrepta për privatësinë në Gjermani, nuk i ka pranuar akuzat, sipas prokurorisë.

Ai akuzohet se u ka dhënë pacientëve të tij, pa dijeninë apo pëlqimin e tyre, një medikament anestezik dhe një relaksues muskujsh. Sipas prokurorisë, relaksuesi i muskujve "paralizoi muskujt e frymëmarrjes, duke shkaktuar arrest respirator dhe vdekje brenda pak minutash".

Mjeku ka punuar në disa qytete gjermane dhe viktimat e dyshuara kanë mosha të ndryshme, nga 25 deri në 94 vjeç.

Gjithashtu, ai akuzohet se ka ndezur zjarr në apartamentet e viktimave të dyshuara në pesë raste të ndryshme, me qëllim që të zhdukte provat e krimit.

Ai akuzohet gjithashtu se ka vrarë dy pacientë në një ditë të vetme në korrik të vitit 2024 - një burrë 75-vjeçar në shtëpinë e tij në Berlin dhe një grua 76-vjeçare në një lagje fqinje vetëm disa orë më vonë.

Prokurorët thanë se mjeku tentoi të digjte shtëpinë e gruas, por nuk mundi. “Kur e kuptoi që zjarri nuk kishte shpërthyer, ai thuhet se njoftoi një të afërm të viktimës, duke pretenduar se ishte duke qëndruar para banesës së saj dhe askush nuk po i përgjigjej ziles.”

Fillimisht, mjeku dyshohej për katër vrasje kur u arrestua në gusht 2024, por hetimet e mëtejshme zbuluan vdekje të tjera dhe janë planifikuar edhe zhvarrosje të viktimave të tjera të dyshura, çka nënkupton se numri i vrasjeve të dyshura mund të rritet.

Prokuroria po kërkon që 40-vjeçarit “t’i ndalohet përjetësisht të ushtrojë profesionin” dhe të mos lirohet me kush për të paktën 15 vjet. Ai ndodhet ende në paraburgim.

Burimet: Deutsche Welle, BBC