Në një kohë kur do të duhej të kishim kaluar fazën ku diagnozat mjekësore përdoren si fyerje, kryeministri Edi Rama vendosi t’i japë një shtysë tjetër normalizimit të gjuhës përjashtuese. Gjatë një deklarate publike, ai iu referua mbështetësve të opozitës duke thënë: "Të zgjedhësh midis BE-së dhe kënetës, të zgjedhësh kënetën d.m.th nuk je mirë, politikisht je autik, nuk je mirë."
Në vitin 2025. Nga një kryeministër. Në publik. Me mikrofon. Pse është problematike?
1. Të jesh autik nuk është sharje
Spektri i çrregullimeve të autizmit është një gjendje neurozhvillimore, jo një tipar negativ, as një “defekt” që mund të përdoret si metaforë për paaftësi politike. Kur një lider përdor fjalën “autik” si sinonim për “të paaftë për të marrë vendimin e duhur”, ai jo vetëm që banalizon realitetin e njerëzve me spektrin e autizmit, por nxit stereotipet e dëmshme.
2. Gjuhë përçmuese nga maja e pushtetit
Kur një qytetar anonim përdor terma të tillë, është shqetësuese. Kur këtë e bën kryeministri, është alarmante. Sepse nuk është më çështje “lapsusi”, por konceptohet si mesazh institucional dhe institucionet duhet të jenë model i përfshirjes, respektit dhe ndjeshmërisë sociale.
3. Forcimi i stereotipeve
Në një vend ku ende mungon edukimi rreth diversitetit neurozhvillimor dhe ku prindërit e fëmijëve autikë përballen çdo ditë paragjykime, ky lloj komunikimi nga një figurë publike dhe politike vetëm sa forcon më tej normalizimin e diskriminimit. Po dërgohet një mesazh shumë i qartë: të jesh ndryshe = të mos jesh “mirë”.
4. Një sinjal alarmi për mënyrën si i perceptojmë njerëzit “ndryshe”
Kur një lider mendon se është në rregull të përdorë diagnoza si krahasime për përbuzje, kjo tregon shumë më tepër për mendësinë kolektive sesa për individin që flet. Dhe pikërisht për këtë arsye, është e nevojshme të reagojmë. Nuk është hera e parë që politikanët tanë flasin me gjuhë denigruese, por kjo nuk do të thotë që duhet ta normalizojmë. Duhet ta kalojmë fazën e "eh, kështu e kanë këta". Sepse fjalët ndërtojnë realitete. Dhe realiteti që po ndërtojmë sot me këtë gjuhë, është një realitet që lëndon.
Kryeministri kërkoi ndjesë duke thënë ndër të tjera: “Nuk mund të mos e ndaja dot këtë reflektim. Të gabosh është njerëzore, ndërsa të mos kërkosh ndjesë nuk është burrërore. Krejt pa dashje, sot kam cenuar fëmijët autikë dhe kam lënduar prindërit e tyre duke folur për autizëm politik dhe më doli sot krejt padashje. Por ja, u desh të gaboja dhe pastaj të mësoja. Prej vitesh është e papërshtatshme dhe në fakt me plot të drejtë. Ju kërkojë ndjesë dhe kam jo vetëm respekt, por edhe admirim për ta dhe për prindërit e fëmijëve me aftësi të veçanta.”
Kjo gjë padyshim nuk do ta zhbëjë dëmin, por mund të jetë një hap i vogël drejt ndërgjegjësimit të vonuar, por të nevojshëm. Nëse jo për të mirën e të gjithëve, të paktën për ata që janë lodhur duke u ndjerë të përjashtuar, edhe nga vetë ata që duhet t’i përfaqësojnë.
Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.