Mijëra besimtarë i japin lamtumirën e fundit Papa Françeskut në Bazilikën e Shën Pjetrit
Më shumë se 60,000 njerëz kanë vizituar bazilikën e Shën Pjetrit për t'i dhënë lamtumirën Papa Françeskut. Radha filloi përsëri në orën 6 të mëngjesit të së enjtes me shumë besimtarë që kërkonin të përshëndeteshin me Atin e Shenjtë.
Bazilika ka qëndruar e hapur që prej të mërkurës në mëngjes. Secili besimtar priti në radhë të gjatë. Më pas, të gjithë patën rastin të ndalonin për disa çaste përpara trupit të Papës, i shtrirë në prehje, duke bërë lutjet e tyre.
FMN paralajmëron se tarifat e Donald Trump po dëmtojnë ekonominë globale
Fondi Monetar Ndërkombëtar njoftoi se ekonomia globale do të rritet vetëm 2.8% këtë vit, ndryshe nga sa kishte parashikuar në janar, kohë në të cilin pretendohej një rritje prej 3.3%. Po kështu, në vitin 2026, rritja globale do të jetë 3%, parashikon fondi, ndonëse më herët kishte parashikuar rritje me 3.3%.
Rritja ekonomike e SHBA-së do të jetë vetëm 1.8% këtë vit, duke rënë ndjeshëm nga parashikimi i saj i mëparshëm prej 2.7%. FMN nuk pret një recesion të SHBA-së, megjithëse ka rritur shanset e saj për një te tillë. Shkak për këtë “tkurrje” të ekonomisë globale janë bërë tarifat e Donald Trump.
Trump i kërkon presidentit rus të ndalojë bombardimet: “Vladimir, stop”
Rusia goditi Kievin me raketa dhe dronë, duke vrarë të paktën 12 persona, në sulmin më të madh në kryeqytetin ukrainas këtë vit. Si pasojë, presidenti amerikan, Donald Trump, qortoi publikisht homologun e tij rus, Vladimir Putin, duke i kërkuar të ndalonte sulmet.
Trump u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se administrata e tij po ushtronte "shumë presion" mbi Rusinë dhe përsëriti pakënaqësinë e tij me sulmin. Megjithatë, ai shtoi se dy vendet po përparojnë në negociatat për paqe.
Gjykata e Hagës: Të rishikohet urdhër-arresti për Netanyahun
Gjykata e Apelit në Hagë ka vendosur të rishqyrtojë urdhër-arrestet kundër kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant.
Urdhër-arrestet mbeten në fuqi, por Gjykata e Apelit ka vendosur ta kthejë çështjen tek shkallë më të ulëta të gjyqësorit, të cilat do të duhet të rishqyrtojnë çështjen kryesore: nëse Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka juridiksion mbi çështjen, duke qenë se Izraeli nuk bën pjesë në Statutin e Romës, që përcakton bazën ligjore për punën e Gjykatës.
Urdhër-arrestet u lëshuan nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC) më 21 nëntor 2024, pas një hetimi për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit lidhur me luftën në Gaza.