Vatikani, shteti më i vogël i pavarur në botë, është zemra shpirtërore dhe administrative e Kishës Katolike. Brenda kufijve të tij gjenden mrekulli arkitekturore si Bazilika e Shën Pjetrit, Kapela Sistine dhe Muzeumet e Vatikanit, por ekziston edhe një aspekt më i fshehtë i këtij qytet-shteti të shenjtë - legjenda që flasin për thesare të fshehura, të varrosura thellë në brendësi të tij.
Nuk bëhet fjalë vetëm për monedha ari apo gurë të çmuar, por për një koleksion artefaktesh të lashta, dorëshkrimesh dhe sekretesh që mund të ndryshojnë mënyrën se si e kuptojmë historinë, fenë dhe vetë njerëzimin.
Misteri i Vatikanit
Për shekuj me radhë, Vatikani ka pasur një perde misteri. Si seli e papatit, ai ka grumbulluar pasuri të pallogaritshme nëpërmjet donacioneve, pushtimeve dhe besimtarëve. Një pjesë e kësaj pasurie është e dukshme në koleksionet e artit dhe reliket fetare, por thashethemet thonë se pasuria e vërtetë është më e madhe sesa syri mund të shohë.
Kureshtja nis me Bibliotekën e Vatikanit dhe arkivat e saj sekrete. E themeluar në shekullin e XV, në bibliotekë ruhen dhjetëra mijëra dorëshkrime, disa prej të cilave datojnë mbi 2,000 vjet më parë. Thuhet se këto tekste përmbajnë informacione të rëndësishme, tekste të ndaluara dhe dokumente që kundërshtojnë mënyrën si na është “servirur” historia. Sipas disa teorive, këto arkiva mbajnë edhe harta që të çojnë te thesaret e lashta, relike të krishterimit të hershëm dhe madje ka prova për ekzistencën e jetës jashtëtokësore.
Çfarë thesaresh mund të fshihen?
Misteri i thesareve të fshehura në Vatikan mund të ndahet në tri kategori kryesore: artefakte shpirtërore, dokumente historike dhe pasuri materiale.
Artefakte shpirtërore: Legjendat thonë se në Vatikan ruhen objekte me vlerë të jashtëzakonshme shpirtërore. Këtu përfshihen Grali i Shenjtë, Arka e Besëlidhjes dhe relike të shenjtorëve që mund të frymëzojnë besim, ose frikë. Disa pretendojnë se edhe heshta që shpoi Jezusin në kryq ndodhet në thesaret e Vatikanit.
Dokumente historike: Arkivat sekrete të Vatikanit supozohet se përmbajnë shkrime që sfidojnë historinë tradicionale. Nga rrëfimet e vërteta për Kalorësit Templarë, deri te mësimet e fshehta të Jezusit, këto dokumente mund të rishkruanin kapituj të tërë të së kaluarës njerëzore. Disa spekulojnë se arkivat përmbajnë letra mes papëve të hershëm dhe figurave si Leonardo da Vinçi, Galileo apo madje edhe mbretër të qytetërimeve të lashta.
Pasuri materiale: Si qendër ku janë sjellë dhurata fetare dhe plaçka lufte, Vatikanit i atribuohen thesare me ar, gurë të çmuar dhe artefakte të rralla të grumbulluara gjatë shekujve. Gjatë Kryqëzatave, për shembull, besohet se u sollën thesare nga Jeruzalemi dhe Kostandinopoja për t’u ruajtur në Vatikan. Disa mendojnë se këto gjenden të fshehura në katakombet nëntokësore apo në dhoma sekrete.
Legjenda dhe teori
Shumë rrëfime e ushqejnë mitin për thesaret e fshehura të Vatikanit. Njëra ndër to përmend një dhomë të fshehtë nën Bazilikën e Shën Pjetrit, që mendohet se përmban pasuri të grabitura nga Tempulli i Dytë i Jerusalemit gjatë pushtimit romak në vitin 70 të erës sonë. Kjo dhomë, e njohur si “Thesari i Tempullit,” besohet se ruan Menorahun, enë të shenjta dhe dorëshkrime me vlerë të madhe fetare.
Një tjetër teori ka të bëjë me dokumentet e humbura të Kalorësve Templarë. Si një urdhër ushtarak i krishterë, Templarët ishin të njohur për pasuritë dhe dijen që supozohet se zbuluan gjatë qëndrimit në Tokën e Shenjtë. Kur u shpërbënë në shekullin XIV, disa besojnë se thesaret dhe sekretet e tyre ranë në duart e Vatikanit.
Natyra sekrete e Vatikanit
Pikërisht fshehtësia e Vatikanit i jep jetë këtyre spekulimeve. Qasja në arkivat sekrete është shumë e kufizuar, e rezervuar vetëm për studiues të kualifikuar dhe klerikë, dhe madje edhe ata mund të kenë qasje vetëm në dokumente të caktuara. Katakombet nëntokësore të Vatikanit janë ende të paarritshme për shumicën e botës, duke lënë të hapur pyetjen: çfarë fshihet aty?
Kjo rezervë nuk është pa arsye. Vatikanit i është besuar ruajtja e besimit dhe e objekteve që, nëse bien në duar të gabuara, mund të trondisin sistemet fetare apo politike. Megjithatë, kritikët argumentojnë se kjo fshehtësi i mohon njerëzimit të drejtën për të kuptuar historinë dhe trashëgiminë e vet të vërtetë.
Gjuetia për thesare: fakt apo fantazi?
Edhe pse ideja e thesareve të fshehura në Vatikan mbetet intriguese, provat për ekzistencën e tyre janë kryesisht tërthorazi. Sceptikët argumentojnë se Vatikanit nuk i mungon as pasuria dhe as ndikimi, përse do t’i duhej të fshihte diçka?
Megjithatë, historia na mëson se institucionet shpesh fshehin informacion ose objekte për t’i mbrojtur, për të ruajtur kontrollin apo nga frika e keqpërdorimit. Pavarësisht mungesës së provave konkrete, teoritë dhe kureshtja nuk kanë rreshtur kurrë.
Çfarë e bën tërheqëse legjendën e thesareve të Vatikanit nuk është vetëm ideja e pasurisë, por ajo që simbolizojnë: misterin e besimit, lidhjen mes fesë dhe historisë dhe kërkimin e pandërprerë të së vërtetës nga njerëzimi.
Si vendi më i vogël në botë, Vatikani ka një ndikim të jashtëzakonshëm në jetën e miliona njerëzve. Thesaret e tij, qofshin të vërteta apo të imagjinuara, pasqyrojnë kompleksitetin e një vendi që është njëkohësisht strehë shpirtërore dhe rojtar sekretesh.
A do të zbulohet ndonjëherë e vërteta mbi thesaret e tij të fshehura? Kjo nuk dihet Por një gjë është e sigurt: Vatikani do të vazhdojë të magjepsë breza të tjerë me radhë.
Fjalorth:
Artefakte – objekte të krijuara nga dora e njeriut, zakonisht me rëndësi historike, kulturore ose fetare; shpeshherë të gjetura në gërmime arkeologjike.
Grali i Shenjtë – një objekt legjendar, shpesh i përshkruar si kupa që përdori Jezusi në Darkën e Fundit. Sipas miteve, ka fuqi të mbinatyrshme dhe është kërkuar për shekuj nga kalorësit dhe aventurierët.
Arka e Besëlidhjes – një kuti e shenjtë sipas traditës hebraike, ku ruheshin pllakat me Dhjetë Urdhërimet. Thuhet se ishte shenjë e pranisë së Zotit dhe simbol i besëlidhjes me popullin izraelit.
Kalorësit Templarë – urdhër ushtarak dhe fetar i themeluar në shekullin XII, i njohur për mbrojtjen e pelegrinëve në Tokën e Shenjtë dhe për pasurinë, fuqinë dhe misteret që i rrethojnë.
Toka e Shenjtë – rajoni që përfshin pjesë të Izraelit, Palestinës, Jordanisë dhe vende të tjera përreth, me rëndësi të veçantë për judaizmin, krishterimin dhe islamin.
Kryqëzatat – fushata ushtarake të organizuara nga të krishterët europianë mes shekujve XI-XIII, me qëllim rimarrjen e Tokës së Shenjtë nga kontrolli musliman.
Katakomb – galeri nëntokësore që shpesh përdoreshin si vende varrimi në kohët e lashta; në Vatikan, ato janë pjesë e mistereve që përmbajnë relike dhe ndoshta thesare të fshehura.
Tempulli i Dytë i Jeruzalemit – faltorja e rindërtuar nga hebrenjtë pas kthimit nga mërgimi në Babiloni; u shkatërrua nga romakët në vitin 70 të erës sonë dhe ka një simbolikë të fuqishme në historinë fetare.
Menorahu – një shandan me shtatë degë që përfaqëson një nga simbolet më të vjetra të judaizmit. Përdorej në Tempullin e Jeruzalemit dhe është ende simbol shtetëror i Izraelit.