Bota

Funerali *modest* i Papa Françeskut: Gjithçka që duhet të dish

Shkruar nga Anabel

25 Prill 2025

Funerali *modest* i Papa Françeskut: Gjithçka që duhet

Papa Françesku, i cili ndërroi jetë të hënën e 21 prillit në moshën 88-vjeçare, do të varroset të shtunën në Romë. Ceremonia e varrimit pritet të sjellë në Romë personalitete nga e gjithë bota, si dhe dhjetëra mijëra besimtarë. Ja çfarë pritet të ndodhë atë ditë dhe çfarë mund të vijë më pas për Kishën Katolike.

Kur dhe ku do të zhvillohet varrimi i Papa Françeskut?

Ceremonia e varrimit do të mbahet në sheshin e Shën Pjetrit në Romë në orën 10:00 me orën lokale. Ceremonia do të drejtohet nga kardinali Giovanni Battista Re e dekani i Kolegjit të Kardinalëve dhe pritet të ndiqet nga përfaqësues të 170 delegacioneve të huaja, si dhe dhjetëra mijëra qytetarë që duan të nderojnë Papën.

Rreth 50,000 vetë morën pjesë në varrimin e paraardhësit të menjëhershëm të Françeskut, Papa Benediktit, i cili u zhvillua gjithashtu në sheshin e Shën Pjetrit, në janar të vitit 2023.

Në ditët para varrimit të Françeskut, mijëra njerëz u rreshtuan për t’i bërë nderimet e fundit Papës, trupi i të cilit ishte vendosur në një arkëmort prej druri. Arkëmorti qëndronte i hapur në Bazilikën e Shën Pjetrit që nga mëngjesi i së mërkurës. Brenda 24 orëve të para, më shumë se 50,000 njerëz kaluan pranë arkëmortit për t’i bërë nderimet.

Funerali *modest* i Papa Françeskut: Gjithçka që duhet

Cilët liderë të huaj dhe anëtarë të familjeve mbretërore do të marrin pjesë?

Donald Trump – presidenti amerikan, politikat e të cilit për emigracionin dhe dëbimet masive ishin kritikuar nga Papa i ndjerë – do të jetë në Romë për varrimin, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Melania Trump.

Të tjerë të pranishëm do të jenë sekretari i përgjithshëm i OKB-së, António Guterres; presidenti i Francës, Emmanuel Macron; presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy; presidenti dhe kryeministrja e Italisë, Sergio Mattarella dhe Giorgia Meloni; mbreti Felipe dhe mbretëresha Letizia e Spanjës; presidenti dhe kryeministri i Irlandës, Michael D Higgins dhe Micheál Martin; Nga Mbretëria e Bashkuar do të jenë prezentë kryeministri Keir Starmer dhe princi William. Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, presidenti e kryeministri i Portugalisë, Marcelo Rebelo de Sousa dhe Luís Montenegro, do të jenë gjithashtu të pranishëm.

Nga Amerika Latine, do të marrin pjesë presidenti i Brazilit, Luiz Inácio Lula da Silva, dhe presidenti i Argjentinës, Javier Milei – i cili më parë e kishte quajtur Papën e ndjerë “komunist” dhe “idiot”. Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, nuk do të jetë e pranishme, por do të përfaqësohet nga ministrja e Brendshme, Rosa Icela Rodríguez.

Presidenti i Filipineve, Ferdinand Marcos Jr – një vend me një nga popullsitë më të mëdha katolike në botë – do të jetë gjithashtu në Romë.

Rusia do të përfaqësohet nga ministrja e kulturës, Olga Lyubimova. Presidenti i saj, Vladimir Putin, nuk ka udhëtuar në një vend perëndimor që kur urdhëroi pushtimin e Ukrainës tre vite më parë dhe është subjekt i një urdhër-arresti ndërkombëtar për luftën në Ukrainë.

Çfarë masash sigurie janë marrë?

Barriera janë vendosur brenda dhe jashtë bazilikës së Shën Pjetrit për të kontrolluar turmat.

Mekanizma moderne të mbrojtjes dhe sigurisë janë vendosur në gjithë Romën dhe në hapësirën ajrore mbi kryeqytet, përfshirë armë kundër dronëve; si dhe zonë e patrulluar nga avionë luftarakë dhe teknologji të sofistikuara bllokuese. Njësi kundër terrorizmit janë gjithashtu të pranishme në terren.

Bazilika dhe zona përreth po patrullohen nga mbi 2,000 oficerë policie deri në përfundim të konklavës që pritet të mbahet në fillim të muajit të ardhshëm për të zgjedhur pasardhësin e Papa Françeskut. Ata do të mbështeten nga 400 oficerë të policisë së trafikut për të ndihmuar në menaxhimin e lëvizjes së karvanëve diplomatikë.

Funerali *modest* i Papa Françeskut: Gjithçka që duhet

A do të jetë varrimi dhe ceremonia si ato të paraardhësve të tij?

Jo – dhe kjo ishte një zgjedhje e qëllimshme. Papa Françesku vendosi të thyejë traditat që lidhen me varrimet papnore në prill të vitit të kaluar, kur miratoi një grup rregullash të thjeshtuara që lejojnë një Papë të varroset “si çdo bir apo bijë e kishës”, pa përdorimin e platformës së ngritur me jastëkë. Siç e shprehu vetë Papa Françesku: “Me dinjitet, por jo mbi jastëkë. Sipas meje, rituali ishte tepër i sofistikuar.”

Varrimet papnore tradicionalisht përfshijnë tre arkëmorte: trupi i Papës vendoset në një arkëmort prej druri qiparisi, i cili më pas vendoset brenda një arkëmorti prej plumbi dhe ky i fundit brenda një arkëmort prej lisi. Papa Françesku, megjithatë, kërkoi që trupi i tij të vendosej në një arkivol të vetëm, të thjeshtë, prej druri, i veshur me zink.

Ku do të varroset Papa Françesku?

Zgjedhja e vendit të varrimit nga Françesku përfaqëson një tjetër thyerje nga tradita. Shumica e Papëve janë varrosur në grotën nën Bazilikën e Shën Pjetrit. Por Françesku zgjodhi Bazilikën e Santa Maria Maggiore në lagjen “Esquilino” të Romës, jashtë Vatikanit.

Kjo kishë, që ruan një ikonë të famshme të Virgjëreshës Mari dhe një relike të grazhdit ku u vendos Jezusi foshnjë, ishte një vend i dashur për Françeskun, i cili shpesh lutej atje para dhe pas udhëtimeve të tij.

“Siç ia kam premtuar gjithmonë Virgjëreshës, vendi është tashmë i përgatitur,” tha ai në një intervistë për gazetarët meksikanë para dy vitesh. “Dua të varrosem në Santa Maria Maggiore sepse ajo është përkushtimi im më i madh.”

Papa Françesku kërkoi të varrosej “në tokë, pa ndonjë dekorim të veçantë”, por me mbishkrimin e emrit të tij papnor në latinisht: *Franciscus*.

Pasi të përfundojë mesha e varrimit, arkivoli i Françeskut do të çojë në procesion drejt Santa Maria Maggiore. Vatikani njoftoi se njerëzit do të mund ta vizitojnë varrin e tij në bazilikë që nga mëngjesi i së dielës.

Çfarë ndodh më pas?

Varrimi do të shënojë fillimin e *Novemdiales* – nëntë ditëve të zisë dhe meshave të ofruara për shpirtin e Papa Françeskut. Vëmendja më pas do të përqendrohet te zgjedhja e pasuesit të tij.

Konklava për zgjedhjen e Papës së ri zakonisht fillon midis 15 dhe 20 ditë pas vdekjes së paraardhësit. Pasi të jenë mbledhur në Kapelën Sistine, 135 kardinalë votues – ata nën moshën 80 vjeç – do të betohen për fshehtësi absolute dhe do të fillojnë diskutimet.

Pas çdo raundi votimi sekret, fletët digjen dhe shtohen kimikate që e bëjnë tymin të zi ose të bardhë. Tymi i zi tregon që nuk është arritur marrëveshja. Tymi i bardhë sinjalizon se 1.4 miliardë katolikë në botë kanë një Papë të ri.

Kush janë kandidatët kryesorë për Papën e ri?

Ashtu siç tregoi filmi “Conclave”, parashikimi i Papës së ardhshëm nuk është aspak i lehtë.

Françesku ishte një zgjedhje surprizë; diçka që ai vetë e pranoi kur bëri shaka se kardinalët kishin shkuar “në fund të botës” për të gjetur peshkopin e ri të Romës. Por ndër emrat që përmenden më shpesh si pasues të mundshëm janë Matteo Zuppi, një kardinal italian progresist; Pietro Parolin, sekretari i shtetit të Vatikanit dhe Luis Antonio Tagle, nga Filipinet.

Artikuj të sugjeruar: