“Unë në mes të serës duke punuar dhe më merr nusja e djalit të xhaxhait dhe më thotë [në italisht] ‘Andrea, urime’. Ajo është rritur me mentalitetin që italianët duan [fëmijë] goca. [I thashë’ thuaji [gruas] të ikë te nëna e vet. Bëj valixhen gati dhe ik. Se po ta dija që në fillim…se deri në 6 muaj [unë mendoja që ishte djalë] se ia bënin [të tjerët] që e ka barkun me majë dhe është djalë. Debat i madh, derisa më morën njerëzit e mi dhe më thanë ‘mos bëj kështu’. Kur më lindi e dyta, mezi e kam pritur sepse e dija se çfarë do të thotë të kesh vajzë.”
Kjo nuk ishte ndonjë pjesë e një tragjikomedie. Jo, është një deklaratë reale, e thënë në vitin 2025 në një emision televiziv, pa ndrojtje.
Në vend që të falënderonte partneren që do të sillte në jetë një fëmijë, Andrea, anëtar i “Ferma VIP” zgjodhi një frazë që duhej të kishte ngelur në ferrin e mentalitetit të shekullit XV: “Ik te nëna jote.” Sepse, për të, fakti që do të lindte vajzë, nuk ishte lajm i gëzueshëm. Ishte arsye për t’i treguar gruas derën. Dhe ja ku vjen pjesa më tragjike: ai e rrëfen këtë si një histori interesante.
Të jemi të sinqertë: për disa prindër, zhgënjimi i momentit kur mësojnë gjininë e fëmijës nuk është diçka e pazakontë. Pritshmëritë, ëndrrat, madje dhe stereotipet e trashëguara nga rritja e tyre mund të ushqejnë një dëshirë të pandërgjegjshme për të pasur djalë apo vajzë. Por ky është një emocion i çastit, që zakonisht zhduket sapo prindi kupton se përtej gjinisë, do të bëhet baba/mama i një qenieje të vogël e të pafajshme.
Por Andrea nuk u habit, nuk u mërzit, nuk heshti për të reflektuar. Jo. Ai reagoi. Keq. U tregua i dhunshëm emocionalisht ndaj një gruaje që do të bëhej nënë. Dhe më pas, vite më vonë, zgjodhi ta ndante këtë me publikun, si të ishte ndonjë anekdotë simpatike.
Po në fakt, çfarë mund të presim tjetër nga një burrë që s’e ka idenë se gjininë e fëmijës "e përcakton" ai vetë? Po, Andrea. Kromozomi Y (që parcakton në mënyrë rastësore gjininë e bebit biologjikisht) është ekskluziviteti yt. Nëse deshe një “fajtor” për vajzën, më mirë të kishe marrë një pasqyrë.
Më pas, Andrea rrëfen që vajzën e dytë e priti me gëzim të madh. Sepse, siç thotë ai vetë, “tani e di çfarë do të thotë të kesh vajzë”. Bukur. Por kjo pjekuri e vonuar nuk e fshin të parën. Sidomos kur ajo ngjarje bëhet publike pa ndonjë reflektim shumë serioz, pa ndonjë ndjesë të sinqertë dhe mbi të gjitha, pa një thirrje për të tjerët që të mos bëjnë të njëjtin gabim.
Me këtë nuk kam për qëllim të “kryqëzoj” Andrean, por si pjesë e medias, e cila ka fuqinë dhe detyrimin të nxisë ndërgjegjësimin, është e domosdoshme që deklarata të tilla të kritikohen dhe kundërshtohen, sidomos kur bëhet fjalë për çështje që duhet të ishin arkivuar në turpin kolektiv të së kaluarës.
- Shkruar nga Sindi Salaj, kryeredaktore e Anabel.al.