Ermal Meta, në një intervistë për Vanity Fair, ka ndarë një histori emocionuese, ku ka rrëfyer se është edhe babai i dy vajzave, të cilat i ka adoptuar nga një jetimore në Shqipëri. Ermali e nisi historinë duke thënë se ka pasur shumë frikë të bëhej baba, sepse nuk donte të bëhej si i ati.
“Për vite me radhë kam menduar se nuk doja fëmijë, sepse kisha frikë se mos bëhesha si im atë. Nuk doja të riprodhoja atë model”, u shpreh këngëtari.
Më tej, tregoi se së bashku me partneren, kanë njohur 2 vajza dhe së shpejti ato do t’i bashkohen familjes së tyre në Itali.
“Unë dhe Chiara, partnerja ime, për pak kohë do të kemi me vete dy vajzat tona të tjera, që deri tani kanë qenë në një jetimore në Shqipëri. I kemi njohur kur ishin 15 vjeçe, por për shkak se nuk jemi të martuar, nuk mund t’i adoptonim. Në qershor mbushin 18 vjeç dhe do të mund të vijnë të jetojnë me ne. Por, po ju them, ato janë vajzat tona prej tre vitesh. Nuk kam folur kurrë më parë për këtë…”
Ai tregoi edhe se si është ndjerë pa prezencën e dy vajzave, duke u shprehur:
“Një verë, vajzat u larguan për të qëndruar me familje të tjera për disa javë. Kur ikën, unë dhe Chiara mbetëm në një heshtje totale. Bënin një zhurmë të madhe kur ishin aty, dhe papritur gjithçka u bë e heshtur. Fillova të qaj si fëmijë, nuk ndalesha dot. U mbylla në banjë sepse ndieja dhimbje”.
Ermali u ndal për pak çaste te një histori e bukur dhe domethënëse me një nga vajzat, e cila është tip i mbyllur:
“Njëra nga dy vajzat, ajo më e mbyllura, nuk pranonte kontakt fare. Me Chiaran ishte pak më mirë, me mua – hiç. E kuptova menjëherë çfarë traume kishte. Kur u ndamë, ajo doli nga shtëpia… dhe pastaj u kthye. E pyes: ‘Ke harruar diçka?’. ‘Jo’, tha. ‘Atëherë pse u ktheve?’. Dhe në atë moment, pa thënë asgjë, më vendosi kokën këtu (tregon gjoksin – dhe emocionohet). Aty unë u bëra babai i saj.”
Ai rrëfeu edhe se për shkak se ai dhe Chiara nuk janë të martuar, nuk mundet që të adoptohen vajzat kur janë nën 18 vjeç. Megjithatë, Ermali tha një shprehje shumë të bukur, që të gjithë duhet ta lexojnë: “Nuk është statusi civil ai që të bën një prind të mirë, por dashuria”.
“Kemi ndjekur këshillat e murgeshës që kujdesej për to. Vajzat kanë mbaruar shkollën e mesme në Shqipëri, dhe tani që bëhen madhore, do të mund të jetojnë me ne”, tha gjithashtu ai.
Ermali foli edhe për momentin kur vajzat morën lajmin se Chiara ishte në pritje të ëmbël me Fortuna-n: “Kur u thamë vajzave që Chiara ishte shtatzënë, u panë me njëra-tjetrën… Unë i sigurova menjëherë: “Nuk ndryshon asgjë. Do keni një motër më shumë”, tha Ermali.
“Ato përpiqeshin të tregonin gëzim, por e kuptoj… në jetimore, kur vijnë çifte, vajzat më të mëdha rrinë gjithmonë në një cep, sepse e dinë që askush nuk i zgjedh. Ma kishin thënë vetë: “Të mëdhatë nuk i do askush’” Dhe unë iu përgjigja instinktivisht: “Po unë ju dua”.
Ermali tha edhe se shtëpia dhe dhomat janë gati për vajzat nga Shqipëria, duke e përmbyllur: “Ka shumë dashuri që i pret”.
Artikuj të sugjeruar: