Virginia Giuffre, gruaja që akuzoi të ndjerin Jeffrey Epstein dhe princin Andrew për abuzim seksual, ndërroi jetë nga vetëvrasja, njoftoi familja e saj. Virginia ishte 41 vjeç.
"Giuffre humbi jetën për shkak të vetëvrasjes, pasi ishte një viktimë e përjetshme e abuzimit seksual dhe trafikimit të qenieve njerëzore," shkroi familja e saj në një deklaratë dhënë për People të premten (25 prill 2025).
Në deklaratë thuhej:
"Virginia ishte një luftëtare e fortë në betejën kundër abuzimit seksual dhe trafikimit të qenieve njerëzore. Pavarësisht gjithë vështirësive që përjetoi gjatë jetës, ajo shkëlqente fort. Do të na mungojë pa masë. Drita e jetës së saj ishin fëmijët Christian, Noah dhe Emily."
Më tej, familja u shpreh:
"Nuk ka fjalë që mund të shprehin dhimbjen e madhe që ndjejmë sot me ndarjen nga jeta të Virginia-s sonë të dashur. Ajo ishte heroike dhe do të mbahet gjithmonë mend për guximin e saj të jashtëzakonshëm dhe shpirtin e dashur. Në fund, barra e abuzimit ishte aq e rëndë saqë u bë e padurueshme për Virginian. Ne e dimë që ajo tani është me engjëjt."
Për vdekjen e Virginia-s, dha një deklaratë dhe avokatja e saj, e cila kishte ndjekur rastin e jashtëzakonshëm të abuzimit seksual.
"Virginia ishte shumë më tepër sesa një kliente për mua; ajo ishte një mike e dashur dhe një kampione e jashtëzakonshme për viktimat e tjera. Guximi i saj më shtyu të luftoja edhe më fort, dhe forca e saj ishte frymëzuese. Bota ka humbur një njeri të mrekullueshëm sot. Pusho në paqe, ëngjëlli im i ëmbël”, tha avokatja Sigrid McCaëley.
Lajmi për vdekjen e Giuffre vjen disa javë pasi ajo u shpreh se ishte përplasur nga një autobus shkolle dhe se kishte "vetëm disa ditë për të jetuar." Në fund të marsit, Giuffre publikoi një selfie nga spitali në Instagram, duke u treguar ndjekësve të saj për "fillimin më të keq të një viti të ri."
Megjithatë, një ditë më vonë, një zëdhënës i policisë së Australisë Perëndimore (ËAPF) hodhi dyshime mbi pretendimet e Giuffre, duke thënë se kishin marrë një raport për një "aksident të lehtë" mes një autobusi dhe një makine në Neergabby, Australi. Policia shtoi se "nuk kishte të raportuar të lënduar si pasojë e aksidentit." Virginia u kundërpërgjigj duke thënë se gjendja ishte serioze dhe se po merrte kujdes mjekësor. 6 ditë më vonë, Giuffre u lirua nga spitali.

Në vitin 2021, Giuffre paditi princin Andrew, 65 vjeç, për sulm seksual, duke pretenduar se ai e kishte përdhunuar atë kur ishte adoleshente si pjesë e rrjetit të trafikimit seksual të Epstein-it.

Ajo dhe Andrew arritën një marrëveshje jashtë gjykate për një shumë të vlerësuar rreth 12 milionë dollarë në vitin 2022. Andrew mohoi çdo fajësi, por nëna e tij e ndjerë, mbretëresha Elizabeth II, i hoqi titujt ushtarakë si pasojë e skandalit.
Artikuj të sugjeruar: