Laert Vasili, i ftuar në “S’e Luan Topi” ka bërë një rrëfim tronditës, duke treguar një ngjarje shokuese nga regjimi komunist. Ai, dukshëm i prekur, tha se gjaku i motrës së tij 6-muajshe është përdorur për të rigjeneruar gjakun e diktatorit Enver Hoxha.
“Merrej gjaku nga foshnjat dhe i rigjenerohej gjaku diktatorit, kështu humbi jetën ime motër, 6-muajshe. Kur i çoje fëmijët për analiza u merrnin më shumë gjak dhe nuk e kuptoje”, u shpreh ai.
Më tej, ish-banori i “BBVA 4”, shtoi se kjo ka qenë një histori me të cilën janë përballur familje të shumta, të cilat gjithsesi, kanë zgjedhur heshtjen. Ai nënvizoi se kjo ngjarje e detyroi nënën e tij që të largohej nga Tirana dhe ta lindte Laertin në Delvinë, pasi aty kishte ndjesinë se ishte më e sigurt.
“Ndaj dhe nëna shkoi në Delvinë dhe më lindi atje, sepse atje ishte e sigurt.
"E dinë të gjithë çfarë ndodhte nëpër gjiret e fshehta të Liqenit Artificial, por askush nuk flet. Vdes diktatori dhe Shqipëria mbushet me njerëz që qajnë (me oi)… por me zor mund të qeshësh, jo të qash”, tha Laerti, duke vijuar:
"Nuk flet askush për ata që janë nën dhé në Malin me Gropa… Dosjet janë ende të mbyllura. Është një hipokrizi e madhe”.
Tematika e “rigjenerimit të gjakut” të Enver Hoxhës prej kohësh ka qarkulluar nëpër qytete të ndryshme, por është trajtuar gjithnjë si një mit, megjithatë, nuk ka ende prova të mirëfillta nga mjekë dhe ekspertë që kjo teknikë përdorej për të rritur jetëgjatësinë e diktatorit.