
Regjisori i njohur shqiptar, Leka Bungo, ka ndërruar jetë në moshën 81-vjeçare.
Lajmin e ka bërë të ditur vajza e tij përmes rrjeteve sociale.
Po ashtu, familja njoftoi se ceremonia mortore do të zhvillohet këtë të mërkurë, më 11 qershor, në orën 16:00, në varrezat e Sharrës, ku regjisori do të përcillet për në banesën e fundit.
“Luftove me sëmundjen më të rëndë të shekullit dhe humbe! U prehsh në paqe dhe faleminderit që ishe babai im. Gjithmonë pafundësisht krenare për ty, mirënjohëse përulësisht për çdo gjë që më mësove dhe më dhurove. Ishe dhe do të jesh dashuria më e madhe në dynja," shkruan vajza e tij, Alba Bungo.
Jeta dhe vepra e tij
Leka Bungo lindi më 28 shkurt 1944 në Vlorë dhe mbetet një prej figurave më të spikatura të artit shqiptar, me një karrierë të pasur në teatër, film dhe televizion. Ai përfundoi studimet për aktor në shkollën “Aleksandër Moisiu” dhe më pas ndoqi një kurs regjie në Institutin e Lartë të Arteve.
Gjatë karrierës së tij, ai punoi si regjisor në teatrin “Bylis” në Fier dhe më vonë në Estradën e Shtetit, ku solli shfaqje me tematikë sociale dhe nota të theksuara satire. Pas viteve ’90, themeloi teatrin privat “Rubairat” pranë Teatrit Kombëtar, një përpjekje për të sjellë risi në skenën shqiptare, që megjithatë nuk arriti të mbijetonte gjatë.
Në vitin 2002 emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por vazhdoi të qëndronte aktiv në botën e artit. Ai është autor i disa dramave dhe skenarëve filmikë, përfshirë “Pabesia” dhe “Pas fasadës”, si dhe është kujtuar për rolin e Bardhylit në filmin “Një djalë edhe një vajzë” (1990).