Anabelizim

Kur fantazma AI shëtit në Prishtinë, mediat vrapojnë pas saj

Kur fantazma AI shëtit në Prishtinë, mediat vrapojnë pas saj

Me dhjetëra media në Kosovë dhe Shqipëri arritën të zbulojnë një fenomen të ri në rrugët e Kosovës: një fantazmë me këmbë dhie që shëtiste lirshëm nëpër Prishtinë. Një imazh i çuditshëm, mjaftueshëm tronditës për të tërhequr vëmendje dhe bindës aq sa për të mos ngritur një pyetje të thjeshtë: a është i vërtetë?

Çfarë mungoi, edhe këtë herë, ishte një element themelor i gazetarisë: verifikimi. Një foto e gjeneruar përmes inteligjencës artificiale u shpërnda dhe u trajtua si lajm, pa kontekst, pa burim të qartë dhe pa asnjë filtër profesional.

Pas raportimeve të fundit, Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës reagoi duke sqaruar se e ashtuquajtura “Fantazma e Prishtinës” ishte, në fakt, një foto e gjeneruar përmes Inteligjencës Artificiale (AI), e shpërndarë dhe e trajtuar si lajm pa asnjë kontroll paraprak.

Megjithatë, dëmi tashmë ishte bërë: qytetarët ishin të shqetësuar dhe ne dëshmuam një tjetër shembull se sa lehtë një përmbajtje e rreme mund të fitojë statusin e lajmit, mjafton të publikohet shpejt dhe pa asnjë pyetje.

Ky rast nuk flet vetëm për fuqinë gjithnjë në rritje të teknologjisë, por edhe për mungesën e profesionalizmit në një pjesë të medias. Në një kohë kur AI është gjithnjë e më e aftë të krijojë foto/video bindëse, pritshmëria minimale nga mediat mbetet po ajo e vjetra: të ndalen, të pyesin dhe të verifikojnë.

Sepse kur imagjinata raportohet më shpejt se realiteti, realiteti mbetet pa zë.