News

Një burrë blinte të njëjtin buzëkuq çdo të premte: Historia përloti punonjësen

Një burrë blinte të njëjtin buzëkuq çdo të
Një grua që përdor buzëkuq; një burrë që merr një çantë dhe buzëqesh / Foto ilustruese: Pexels | (Majtas) Alena Darmel, (Djathtas) Kampus Production

Disa blerje mund të duken krejt të zakonshme, derisa mëson historinë e tyre. Pikërisht këtë tregon një video e publikuar në TikTok nga @alyrosemakeup, e cila rikrijoi një ndërveprim mes një punonjëseje të Sephora-s dhe një klienti që për një muaj me radhë shkonte çdo të premte për të blerë të njëjtin buzëkuq.

Bëhej fjalë për Gucci Velvet Matte Lipstick në nuancën Goldie Red. Pasi burri u shfaq javë pas jave, punonjësja nisi t’ia linte mënjanë buzëkuqin përpara se ai të shkonte. Derisa një ditë e pyeti pse blinte të njëjtin buzëkuq, çdo javë.

Burri i shpjegoi se nëna e tij jetonte në një institucion kujdesi dhe kishte Alzheimer. Goldie Red ishte buzëkuqi i saj i preferuar, por ajo e humbiste shpesh ose harronte ku e kishte vendosur.

“Ajo më telefonon pothuajse çdo ditë dhe më thotë se i mungon," tregoi ai. Kështu, çdo të premte, përpara se ta vizitonte, i blinte një të ri.

Edhe pse një buzëkuq kushton rreth 50 dollarë, për të nuk kishte rëndësi.

“Është e vetmja nënë që kam...ia vlen," tha ai.

Videoja preku shumë njerëz në TikTok, sidomos ata që kishin kaluar përvoja të ngjashme me familjarë me Alzheimer.

Historia lidhet edhe me diçka që studiuesit e demencës kanë vënë re prej kohësh: objektet e njohura dhe personale mund të kenë një rol të rëndësishëm emocional për njerëzit që jetojnë me demencë. Një studim i publikuar në Journal of Aging Studies ka sugjeruar se sende të përditshme si çantat, produktet e makeup-it apo objekte të tjera personale mund të shërbejnë si “objekte kujtese”, duke ndihmuar në ruajtjen e një lidhjeje me identitetin personal.