Shkova vetëm për pishinën. Ky ishte i gjithë plani. Pesë minuta larg plazhit të Golemit, parkim falas dhe 40 minuta larg nga Tirana: aq më mjaftonte për një pasdite të thjeshtë. U largova vonë, pasi kishte perënduar dielli, pa e kuptuar mirë se në ç’pikë të ditës kisha vendosur të qëndroja deri në mbrëmje.
Ndoshta kjo është mënyra më e mirë për ta shpjeguar Olivia’s Hill: nuk ke nevojë ta dish që në fillim se si do ta kalosh ditën. Mund të shkosh vetëm për të marrë pak rreze dielli pranë pishinës, më pas të ulesh për drekë, të provosh një lojë padel dhe ta gjesh veten në mbrëmje lart në kodër, me një aperitiv përpara, ndërsa perëndon dielli.

Pishina, bari, restoranti dhe fusha e padelit janë të hapura edhe për vizitorët që nuk qëndrojnë në hotel. Pra, nuk ke nevojë të rezervosh një dhomë apo të organizosh një fundjavë të tërë për ta shijuar vendin.

Rreth mesditës, kur dielli bie mbi ujë, pishina mbushet me zëra dhe me atë aromën e njohur të kremit të diellit. Ndërkohë, pjesa tjetër e resortit vazhdon me ritmin e vet. Dikush çon një pjatë drejt tavolinave në hije, dikush tjetër përgatitet për një ndeshje padeli e dikush porosit një kafe të ftohtë. Ka lëvizje, por jo rrëmujë. Gjithçka ndodh pranë njëra-tjetrës pa ta prishur qetësinë.
Kafshët, bletët dhe një fermë e vërtetë
Pak më tej nga pishina shfaqen “banorët” e tjerë të resortit: mace që kalojnë mes tavolinave, lepuj që fshihen në gjelbërim dhe pallonj që herë pas here lëshojnë një tingull aq të fortë, sa të bëjnë të kthesh kokën.

Më lart, aty ku terreni fillon të ngrihet, ndodhen kosheret e bletëve. Mjalti i prodhuar aty mund të blihet në recepsion (një kujtim shumë më i mirë për t’u marrë me vete sesa magneti i zakonshëm i frigoriferit).
Kafshët nuk duken sikur janë sjellë aty për të zbukuruar fotografitë e vizitorëve. Ato janë pjesë e vendit, e bëjnë Olivia’s Hill të ndihet më pak si një kompleks turistik i kuruar deri në imtësi dhe më shumë si një pronë me jetë, banorë dhe rutinën e vet.
Brenda resortit ka edhe një fermë, ku rriten domate, kastravecë, kungulleshka, sallatë dhe perime të tjera që më pas përdoren në kuzhinë. Pra, kur këtu flitet për produkte “bio”!

Dy kuzhina, dy atmosfera
Restoranti tradicional nuk përpiqet të të konfuzojë me një menu me dhjetëra faqe. Përkundrazi, zgjedhja është e përmbledhur dhe e përqendruar. Mua më pëlqeu kjo. Në vende turistike, menuja e gjatë shpesh duket sikur është ndërtuar për të kënaqur çdo kërkesë të mundshme, por në fund të lë të mendohesh më gjatë se ç’duhet. Këtu zgjedh më shpejt dhe e kupton se kuzhina ka vendosur të përqendrohet në një numër më të kufizuar pjatash, jo të të premtojë gjithçka.

Steakhouse-i ndodhet më lart në kodër dhe ka një atmosferë krejt tjetër. Edhe ajo ngjitje e shkurtër mjafton që ta ndiesh ndryshimin. Hapësira është më e madhe dhe më e hapur, skara punon jashtë, ndërsa menuja përfshin mishra vendas dhe të importuar.

Zona është menduar për mbrëmjet e verës, por edhe për festa e evente. Ka hapësirë të bollshme për grupe të mëdha, pa humbur ndjesinë e një darke të qetë në natyrë. Mund ta imagjinosh lehtësisht një ditëlindje, një festë familjare apo një darkë pune që vazhdon më gjatë nga sa ishte menduar.

Nga tarraca shihen njëkohësisht kodrat dhe deti. Në verë, pjesa më e bukur e ditës nis kur pasditja fillon të zbehet. Drita ndryshon ngadalë: e verdha e fortë bëhet portokalli dhe më pas ia lë vendin ngjyrave më të errëta të mbrëmjes. Aty kupton se nuk ke më ndër mend të largohesh.
Të enjteve, darka zgjat pak më shumë
Çdo të enjte ka muzikë live që nuk ndihet si një event i sforcuar, i vendosur në program vetëm për të thënë se diçka po ndodh, por më shumë si një zakon i javës, një arsye që njerëzit duan të qëndrojnë edhe pas darkës dhe tavolinat të mos zbrazen sapo mbaron ushqimi.
Gjatë verës organizohen edhe workshop-e dhe aktivitete të ndryshme. Kjo i jep resortit një jetë që nuk lidhet vetëm me hotelin, pishinën apo restorantet. Mund të shkosh çdo javë dhe përherë ta gjesh të organizuar ndryshe.
Për ata që qëndrojnë në hotel, mëngjesi shërbehet në formë bufeje dhe përfshihet në rezervim. Përgatitet nga kuzhinierët e resortit, të cilët njihen edhe për ëmbëlsirat. Tortat dhe ëmbëlsirat mund të porositen veçmas, përfshirë tortat e ditëlindjes, ndaj nuk është e vështirë të kuptosh pse vendi zgjidhet edhe për festa e organizime familjare.
Çfarë thonë ata që kanë qëndruar
Edhe komentet e vizitorëve, veçanërisht të atyre që vijnë nga jashtë, janë vazhdimisht pozitive. Në Booking, vendndodhja vlerësohet me 9.2, stafi me 9.5, pastërtia dhe komoditeti me 9.4, ambientet me 9.3.
Janë vlerësime të larta dhe, mbi të gjitha, të qëndrueshme në çdo kategori. Kjo nuk është pak për një vend që duhet të menaxhojë njëkohësisht hotelin, pishinën, fushën e padelit, dy restorante dhe hapësirat për evente. Kur një pronë përpiqet të bëjë kaq shumë gjëra, zakonisht diku fillon të çalojë. Këtu, të paktën sipas atyre që kanë qëndruar, asnjëra pjesë nuk duket se funksionon në kurriz të tjetrës.
Një mbrëmje që nuk ishte në plan
Nuk kisha ndonjë plan të veçantë për mbrëmjen. Në fakt, nuk kisha planifikuar fare të qëndroja deri vonë. Por kështu rrjedh dita në Olivia’s Hill. Pishina të mban deri në drekë. Pas drekës mendon të provosh padelin ose të ecësh pak nëpër resort. Më pas ngjitesh drejt steakhouse-it, fillimisht vetëm për të parë pamjen, dhe përfundon duke provuar lloj-lloj mishrash.
Shkova për pishinën dhe u largova pasi kishte rënë muzgu. Diku mes këtyre dy çasteve, dita kishte marrë formë tjetër, krejt të paharrueshme.