Gati 30 vite pas vrasjes së Tupac Shakur, një trup gjykues në Las Vegas ka shpallur fajtor Duane Keith Davis për vrasjen e reperit legjendar amerikan.
Vendimi i trupit gjykues u mbështet te deklaratat e vetë Davis ndër vite, përfshirë rrëfimet e tij në librin e vitit 2019, Compton Street Legend.
Tupac Shakur, i lindur në vitin 1971 në East Harlem të New York-ut, u bë një nga figurat më të rëndësishme të hip hop-it në fillim të viteve ’90. Tekstet e tij trajtonin shpesh racizmin, dhunën e policisë dhe problemet sociale të komuniteteve të margjinalizuara.
Ai ishte vetëm 25 vjeç kur vdiq në spital, disa ditë pasi u qëllua katër herë ndërsa ndodhej në një makinë pranë Las Vegas Strip. Për dekada me radhë, vrasja e tij u shoqërua me teori të shumta konspirative dhe pyetje se kush ishte përgjegjës dhe pse çështja mbeti e pazgjidhur për kaq gjatë.
Çfarë ndodhi natën e vrasjes
Gjatë procesit disajavor, prokuroria thirri 25 dëshmitarë, disa prej të cilëve u detyruan nga gjykata të paraqiteshin për të dëshmuar. Davis, 63 vjeç, akuzohej se kishte nxitur sulmin që çoi në vdekjen e Tupac, edhe pse prokurorët nuk pretenduan se ishte ai që tërhoqi këmbëzën e pistoletës.
Sipas akuzës, gjithçka nisi më 7 shtator 1996, pas një përplasjeje në hollin e hotelit MGM Grand. Tupac dhe njerëzit e tij kishin sulmuar Orlando “Baby Lane” Anderson, nipin e Davis dhe anëtar të një bande rivale.
Tupac dhe Marion “Suge” Knight, themeluesi i shtëpisë diskografike Death Row Records, kishin qenë atë mbrëmje në një ndeshje boksi të Mike Tyson dhe po shkonin drejt një feste pas eventit. Ndërsa makina e tyre ndaloi në një semafor, një Cadillac i bardhë u afrua dhe nga brenda u qëllua disa herë.
Në librin e tij, Davis deklaroi se ndodhej në makinë dhe se kishte me vete një armë zjarri të tipit Glock me kalibër .40. Ai kishte shkruar gjithashtu se sulmi ndaj nipit të tij i kishte shtyrë të kërkonin hakmarrje.
Prokurorët i paraqitën trupit gjykues rreth tetë orë regjistrime nga katër raste të ndryshme ndër vite, ku Davis për çfarë kishte ndodhur atë natë. Avokati i tij, Michael Sanft, argumentoi se këto rrëfime ishin të ekzagjeruara dhe të zbukuruara nga një njeri që kërkonte të përfitonte nga interesi publik për vrasjen e Tupac.
Reagimi i familjes
Motra e Tupac, Sekyiwa “Set” Shakur, shpërtheu në lot kur u lexua vendimi, ndërsa djali i Davis mbuloi fytyrën me dorë. Jashtë gjykatës, një fanse e Tupac, Jessica Martin, tha se ishte e vështirë të ndiente gëzim për faktin që dikush do të kalojë shumë vite në burg, por pamja e familjes së reperit i kujtoi gjithçka që ata kishin përjetuar gjatë këtyre dekadave.
Seanca për shpalljen e dënimit të Davis është caktuar për më 13 tetor. Prokuroria nuk ka kërkuar dënimin me vdekje. Në Nevada, vrasja e shkallës së parë mund të dënohet nga 20 vite burg deri në burgim të përjetshëm.
Davis ka bërë të ditur se synon ta apelojë vendimin.
“Kemi pritur 30 vite që të mund të vajtojmë siç duhet”
Familjarët e Tupac kanë folur prej vitesh për frustrimin e tyre me mënyrën si është trajtuar çështja. “Kemi pritur 30 vite që të mund të vajtojmë siç duhet”, tha kushëriri i tij, Zayd Akinyela, gjatë procesit.
Një hetim i Los Angeles Times i publikuar në vitin 2015 vuri në dukje disa gabime të policisë, përfshirë faktin se autoritetet nuk kishin hetuar seriozisht për Orlando Anderson, edhe pasi ishte bërë e njohur përplasja mes tij dhe grupit të Tupac.
Policia gjithashtu nuk kishte ndjekur siç duhet një dëshmi nga një person i afërt me reperin, i cili pretendonte se mund të identifikonte personat që qëlluan. Ai dëshmitar u vra disa javë më vonë në një tjetër incident me armë.
Për shumë fansa, familjarë dhe figura të komunitetit afro-amerikan, vonesat dhe dështimet në hetim janë parë prej kohësh si një tjetër shembull i pabarazive dhe racizmit brenda sistemit të drejtësisë.
Hetuesit, nga ana tjetër, kanë deklaruar se çështja ishte jashtëzakonisht e vështirë për t’u provuar, për shkak të mungesës së provave fizike dhe refuzimit të shumë dëshmitarëve për të bashkëpunuar.
Në fund, rrëfimet e vetë Davis u kthyen në një nga provat më të rëndësishme kundër tij. Siç tha prokurori Marc DiGiacomo gjatë procesit: po të mos kishte shkruar librin e tij, ndoshta Davis nuk do të ishte ndjekur kurrë penalisht për vrasjen.
-
Jada Pinkett Smith zbulon sëmundjen nga e cila vuante 2Pac
15 Tetor, 15:43 -
-


