
Gigi Hadid dhe Bradley Cooper po rikthehen në qendër të vëmendjes, këtë herë për shkak të spekulimeve se marrëdhënia e tyre mund të ketë hyrë në një fazë të re.
Çifti u fotografua më 3 gusht në Paris, ndërsa shëtisnin të kapur për dore. Ajo që tërhoqi menjëherë vëmendjen e fansave ishte një detaj në duart e tyre: të dy mbanin unaza në gishtin e majtë, duke ndezur thashethemet për një fejesë të mundshme.

Në fotot e publikuara nga blogu i njohur DeuxMoi, Hadid duket me një unazë argjendi, ndërsa Cooper me një unazë të artë. Asnjëri prej tyre nuk ka komentuar mbi spekulimet dhe përfaqësuesit e tyre nuk kanë bërë ende një deklaratë publike.
Për daljen e tyre në Paris, Gigi zgjodhi një look sportiv me një kanotierë të bardhë, reçipeta sportive të zezë dhe geta gri, ndërsa Bradley u shfaq me një bluzë blu të errët, pantallona të shkurtra dhe kapele sportive. Të buzëqeshur dhe të afërt me njëri-tjetrin, ata dukeshin më të lumtur se kurrë.
Hadid dhe Cooper janë në një lidhje që prej vitit 2023. Edhe pse e kanë mbajtur romancën larg vëmendjes së tepërt mediatike, burime pranë çiftit kanë treguar më herët se ata kanë gjetur një ekuilibër mes jetës personale, angazhimeve profesionale dhe fëmijëve të tyre.

Modelja ka një vajzë, Khai, nga lidhja me Zayn Malik, ndërsa aktori është baba i Lea-s, të cilën e ka me ish-partneren Irina Shayk. Sipas burimeve, fëmijët kalojnë shpesh kohë së bashku dhe kjo ka ndihmuar që marrëdhënia e çiftit të zhvillohet natyrshëm.

Thashethemet për një hap më serioz vijnë vetëm disa muaj pasi Gigi u shfaq me një varëse të personalizuar me inicialet e saj dhe të Bradley Cooper, një gjest që shumë e interpretuan si një deklaratë të qartë dashurie. Tani, fansat po pyesin nëse unazat e reja janë thjesht aksesorë apo shenja e një fejese që ende nuk është bërë publike.
E po, koha do e vërtetojë!



