Gordon Ramsay ka disa yje Michelin, por kjo nuk do të thotë se çdo pjatë e tij kërkon orë të tëra në kuzhinë. Makaronat e tij me karkaleca përgatiten për vetëm 10 minuta.
Kuzhinieri i famshëm ka një dobësi të veçantë për recetat e shpejta të pastave. Kur temperaturat rriten, askush nuk dëshiron të qëndrojë gjatë përpara sobës së nxehtë.
Përbërësit për dy persona
- 225 gramë makarona shumë të holla (spaghettini, tagliolini, vermicelli etj).
- 155 gramë karkaleca të pagatuar
- 1-2 qepë
- 2 thelpinj hudhre
- 2 lugë gjelle kaperi
- 1 limon, lëkura e grirë dhe lëngu
- 1 filxhan domate qershi
- ¼ filxhani verë e bardhë
- ¼ filxhani lëng perimesh ose peshku
- gjethe borziloku
- pak spec djegës të grimcuar
- djathë parmixhan i grirë në moment, për servirje
- vaj ulliri, kripë dhe piper
Nisim nga përgatitja
Fillimisht, vendosni një tenxhere me ujë në zjarr dhe shtoni kripë. Ndërkohë, përgatitni të gjithë përbërësit, pasi gatimi zhvillohet shumë shpejt.

Ndajini domatet qershi përgjysmë, grini lëkurën e limonit, copëtoni hudhrat dhe qëroni e prisni qepujkat. Mos e hidhni limonin pasi t’i keni grirë lëkurën, sepse lëngu i tij do të përdoret në fund.


Vendosni një tigan që nuk ngjit në zjarr mesatar. Shtoni një lugë gjelle vaj ulliri dhe lëreni të nxehet.

Hidhni fillimisht qepujkat dhe rregullojini me kripë e piper. Më pas shtoni hudhrën dhe pak spec djegës të grimcuar. Lërini të gatuhen së bashku për dy minuta.

Shtoni domatet qershi dhe gatuajini për rreth 30 sekonda.

Më pas hidhni verën e bardhë për të tretur shijet e mbetura në fundin e tiganit. Lëreni të vlojë për 30 sekonda dhe shtoni lëngun e perimeve ose të peshkut.

Lëreni salcën të vlojë për dy minuta.
Ndërkohë, qëroni karkalecat dhe rregullojini me kripë e piper.

Shtoni në salcë kaperit dhe borzilokun e copëtuar, më pas hiqeni tiganin përkohësisht nga zjarri.

Në një tigan tjetër që nuk ngjit, të vendosur në zjarr të fortë, shtoni pak vaj ulliri dhe hidhni karkalecat.

Sipas Ramsay-t, atyre u duhen rreth 30 sekonda për të marrë ngjyrë të artë.
Në të njëjtën kohë, hidhni pastat në ujin e vluar dhe gatuajini derisa të jenë al dente.

Kur karkalecat të kenë marrë ngjyrë nga njëra anë, hiqeni tiganin nga zjarri dhe kthejini. Nxehtësia e mbetur do të mjaftojë për të përfunduar gatimin.

Shtoni mbi ta pak vaj ulliri dhe lëkurë limoni të grirë, më pas kalojini në tiganin ku ndodhet salca. Vendoseni sërish në zjarr.

Kullojini pastat dhe kalojini në tiganin ku u gatuan karkalecat. Shtoni pak vaj ulliri dhe përziejini.

Më pas bashkoni pastat me karkalecat dhe salcën.

Në fund, shtoni sipër parmixhan të grirë, pak lëng limoni dhe lëkurë limoni.

-
Shalqi dhe pak qumësht: Receta virale që duhet provuar këtë verë
26 Korrik, 11:46 -
Burimi: Business Insider
