News

Rama thotë se faktet për Sazanin dhe Zvërnecin janë këto. Le t'i shohim një nga një.

Debati për projektet e propozuara nga investitorë të lidhur me Jared Kushner në Sazan dhe Zvërnec është kthyer në një nga çështjet më të diskutuara të javëve të fundit, duke nxitur protesta në Shqipëri dhe diasporë, reagime nga organizata mjedisore, raportime në mediat ndërkombëtare dhe deklarata nga institucione europiane.

Më 14 qershor, kryeministri Edi Rama publikoi një deklaratë të gjatë ku paraqiti versionin e qeverisë për çështjet e pronësisë, procedurat ligjore, statusin e zonave të mbrojtura dhe procesin e miratimit të projekteve. Sipas tij, shumë nga pretendimet e ngritura deri tani bazohen në keqinformim ose në interpretime të pasakta të fakteve.

Por sa përputhen këto pretendime me atë që kanë raportuar më herët? Cilat pyetje marrin përgjigje dhe cilat mbeten ende të hapura?

Më poshtë, një ballafaqim i deklaratave kryesore të kryeministrit me informacionet e publikuara deri tani nga burimet vendase dhe ndërkombëtare.

1. “Sazani nuk është në shitje” 

Pretendimi i kryeministrit: Sazani mbetet pronë shtetërore; nuk është menduar dhe as kërkuar kurrë për shitje. 

Çfarë e vë në pikëpyetje: Ivanka Trump e ka prezantuar publikisht si “ishulli ynë”/ “kemi këtë ishull në Mesdhe”, në një gjuhë që tingëllon si pronësi, jo si partneritet publik-privat.  

Kryeministri Rama mund të ketë të drejtë teknikisht që ishulli nuk shitet. Por kur investitorja e prezanton si “ishulli ynë” dhe “ishull privat” (ndërkohë Sazani nuk është ishull privat, është tokë që i përket Shqipërisë), qytetarët kuptojnë kontroll privat mbi një pasuri shtetërore. Deklarata e saj nuk është provë se ishulli është shitur, por është arsye pse slogani “Shqipëria nuk është në shitje” u bë kaq i fortë. 

2. “Shteti do të jetë pjesëmarrës në investim” 

Pretendimi i kryeministrit: Shteti do të marrë kuota dhe do të mbrojë interesin publik. 

Çfarë raportohet: Një projektvendim i qeverisë parashikonte kalimin e administrimit të Sazanit nga Ministria e Mbrojtjes te Ministria e Ekonomisë, si pjesë e procedurave për projektin strategjik “Tourist Resort – Sazan Island”. BIRN raporton edhe sipërfaqet konkrete të pronave shtetërore të përfshira. 

Pra, nga ana e procedurave nuk jemi te “shitja” klasike, por te vendosja në dispozicion të një prone publike për zhvillim privat. Mirëpo pyetja nuk është vetëm “a po shitet?”, por: me çfarë kontrate, për sa vite, me çfarë kuotash, me çfarë të drejtash për publikun dhe me çfarë garancish nëse projekti dështon? 

3. “Nuk ka ende projekt final” 

Pretendimi i kryeministrit: Nuk ka projekt final dhe as VNM (vlerësim të ndikimit në mjedis) të përfunduar. 

Çfarë raportohet: Rama ka deklaruar se VNM formale nuk ka nisur ende, sepse projekti është ende në proces planifikimi. Por raportimet tregojnë se puna për pastrim toke ka nisur brenda një zone natyrore.  

Këtu ka një kontradiktë: administrata thotë “nuk ka ndërtim, ka fazë përgatitore”; qytetarët shohin makineri, hapje rrugësh, buldozerë, pastrim toke dhe gardh me tela. Ligjërisht këto mund të quhen punime paraprake, por politikisht duken si fillim i projektit përpara se publiku të shohë projektin final dhe VNM-në. 

4. “Rrethimi ishte i ligjshëm” 

Pretendimi i kryeministrit: Rrethimi i pronës private është pjesë e procedurës për matje, monitorime dhe studime. 

Çfarë ndodhi realisht: Protestat nisën kur u ngrit gardhi në maj, duke bllokuar një zonë të madhe rreth Zvërnecit dhe duke kufizuar aksesin në det. Pati përplasje me roje private, një qytetar u tërhoq zvarrë në prani të policisë e cila nuk ndërhyri, gardh që më pas u hoq dhe buldozerë që kishin hapur një rrugë të re. 

Edhe nëse leja e rrethimit ekzistonte, lindin këto dyshime: pse u zgjodh një formë kaq agresive, me tela me gjemba dhe roje private që ushtruan dhunë, në një zonë ku ka banorë, pretendime pronësie dhe akses publik në bregdet? 

5. “Zvërneci është pronë private” 

Pretendimi i kryeministrit: Investitorët kanë blerë nga pronarë të regjistruar në kadastër; qeveria nuk ka lidhje. 

Çfarë raportohet: Banorë të Zvërnecit janë shprehur për mediat vendase dhe ndërkombëtare se toka ishte shitur gabimisht nga një pretendues rival; disa treguan dokumente pronësie dhe taksash. Reuters thekson se nuk gjeti prova për shkelje nga Kushner, por as nuk mundi të përcaktojë pronarin e ligjshëm përfundimtar, sepse çështja është në proces gjyqësor.  

Rama e ngushton çështjen te regjistri kadastral. Por raportimet tregojnë se në Shqipëri regjistri nuk e mbyll gjithmonë konfliktin, sidomos kur ka kthim pronash, vendime gjykatash dhe pretendime historike. Pra “private” nuk do të thotë automatikisht “pa konflikt”. 

6. “Pretendimet në gjykatë nuk e ndalojnë zhvillimin” 

Pretendimi i kryeministrit: Palët e treta mund të ndjekin gjykatën, por kjo nuk e pezullon shitjen/zhvillimin. 

Çfarë del nga hetimet: Banorët pretendojnë se në vitin 2013 një gjykatë u ka njohur pronësinë, por çështja mbetet në apel. Rama tha se vetëm ekzistenca e një gjyqi nuk e ngrin automatikisht pronën.  

Juridikisht, kryeministri mund të jetë duke iu referuar parimit të regjistrimit kadastral. Por politikisht, ky është një nga pikat më të dobëta të narrativës së tij: një projekt miliarda dollarësh në një zonë që ka konflikte pronësie krijon përshtypjen se shteti po nxit të ashtuquajturin zhvillimin përpara zgjidhjes së pronësisë. 

7. “Zona nuk është hequr nga mbrojtja” 

Pretendimi i kryeministrit: Pishë Poro–Nartë mbetet Peizazh i Mbrojtur, Kategoria V. 

Çfarë do të thotë kjo: Në vitin 2024, Shqipëria lehtësoi ligjet e mbrojtjes për të lejuar hotele me 5 yje dhe “turizëm elitar” edhe në zona të mbrojtura. Komisioni Europian i kërkoi Shqipërisë të veprojë për t’u afruar me legjislacionin mjedisor të BE-së.  

Rama ka të drejtë që emërtimi “Peizazh i Mbrojtur” nuk është hequr. Por kritikët nuk po flasin vetëm për emrin e statusit, por për uljen praktike të mbrojtjes përmes ndryshimeve ligjore dhe lejeve zhvillimore. Pra, sa realisht mbron ky status?

8. “Nuk ka rrezik për flamingot dhe habitatet” 

Pretendimi i kryeministrit: Do të bëhet Vlerësim i Thelluar i Ndikimit në Mjedis dhe çdo vendim do të bazohet në të. 

Çfarë raportohet: Zona përfshin laguna, duna, kripore e habitate të rëndësishme; 279 nga 2,529 specie në deltë janë ndërkombëtarisht të kërcënuara. Biologët paralajmërojnë se presioni nga ndërtimi, makinat, turistët dhe infrastruktura mund të largojë shpendët. 

VNM-ja e thelluar është domosdoshmëri, por nuk është garanci automatike. Pyetja është: a do të jetë VNM-ja një filtër real që mund ta ndryshojë ose ndalojë projektin, apo thjesht një dokument që i përshtatet një vendimi tashmë të marrë? 

9. "Këshilli Kombëtar i Territorit kërkoi uljen e intensitetit të zhvillimit"

Pretendimi i kryeministrit: KKT nuk e miratoi masterplanin e vitit 2024 dhe kërkoi ulje të intensitetit të zhvillimit.

Pyetja që lind: Sa i madh ishte projekti fillestar dhe sa është zvogëluar? Rama nuk jep asnjë shifër konkrete për numrin e njësive akomoduese, sipërfaqen e ndërtimit apo parametrat që u ndryshuan pas kërkesës së KKT-së.

10. “Kjo është histeri/dezinformim” 

Pretendimi i kryeministrit: Kritikat janë nxitur nga dezinformimi, anti-Trumpizmi dhe përgojimi i shtetit shqiptar. 

Çfarë tregojnë burimet: Protesta lidhet me disa shqetësime konkrete: mjedisin, mungesën e transparencës, pronësinë e tokës, gardhin, makineritë dhe hetimin e SPAK. AP raporton se Rama i quajti kundërshtimet mjedisore rezultat të keqinformimit, por njëkohësisht pranon se VNM nuk ka nisur dhe se punime pastrimi kanë ndodhur. 

Pra, ta reduktosh të gjithë protestën në “kanale të turbullta interneti” është problematike, sepse shqetësimet janë ngritur edhe nga banorë, ambientalistë, organizata ndërkombëtare dhe Komisioni Europian. 

Me fjalë të tjera... 

Deklarata e Ramës është e fortë në aspektin formal: ai bën dallimin shitjes dhe partneritetit, lejes zhvillimore dhe lejes së ndërtimit, pronës kadastrale dhe pretendimeve gjyqësore, statusit si zonë e mbrojtur dhe ndalimit absolut të zhvillimit. 

Por shumica e kritikave nuk janë për formalitetin ligjor, por për kontradiktën mes asaj që qeveria thotë se “ende nuk ka ndodhur” dhe asaj që publiku ka parë në terren: gardh, tela me gjemba, makineri, rrugë të hapura, akses të bllokuar, roje private të dhunshme, tokë me probleme pronësie dhe një investim të promovuar më herët nga Ivanka/Kushner si projekt pothuajse personal. 

Deklarata e Ramës vendos theksin te procedurat ligjore dhe administrative. Por, siç tregojnë edhe raportimet, çështja nuk lidhet vetëm me atë që është miratuar në letra, por edhe me çfarë mund të ketë ndodhur përpara se qytetarët të kishin mundësi t’i shihnin ato letra. 

REELS

Dua Lipa ka shprehur mendimin e saj lidhur me aktualitetin politik e social në Shqipëri, duke theksuar gjatë podkastit @service95bookclub se ligji për të hequr sipërfaqe të ndryshme nga harta e zonave të mbrojtura përbën një shqetësim të madh. All rights reserved to @service95bookclub

Pas fitores së Spanjës ndaj Belgjikës në gjysmëfinale, Lamine Yamal ngriti sytë drejt tribunës dhe pa vëllain e tij të vogël, Keyne, i cili po festonte në mënyrën më epike të mundshme. Reagimi i tij u bë menjëherë viral, duke treguar se mes gjithë emocioneve të një ndeshjeje historike, familja mbetet gjithmonë ndjesia dhe mbështetja më e bukur. 🥹⚽

Trashëgimia shqiptare, e sjellë me një frymë moderne. ✨ @dorentinabrand frymëzohet nga veshjet tradicionale të grave shqiptare, duke ruajtur identitetin përmes krijimeve handmade, jo të prodhuara në masë, me elemente autentike (fije, copa, breza, sumbulla dhe detaje dekoruese) të mbledhura nga krahina të ndryshme të Shqipërisë. Çdo veshje mbart një histori. 🤍

Kjo është një nga ato pajisje që s’e dije që të duhej… por tani e pe. 👀✨

Si duken konferencat tuaja?! 🦦 Video by @kyannademi

🌋 Etna ka shpërthyer sërish. Vullkani më aktiv i Europës ka nxjerrë sasi të mëdha hiri dhe tymi, ndërsa aktiviteti vullkanik po monitorohet vazhdimisht nga autoritetet italiane. Deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa situata mbetet nën vëzhgim. 📹 Pamjet nga vendi i ngjarjes po bëjnë xhiron e rrjetit.

Do paguanit?! 🤓 Video by @coquicultcoffee

Dita 35 🦩 📸 @erald.halili

Video Credits: @_skerditopalli_