
Pak personazhe të famshme kanë arritur të kalojnë me sukses nga yll popi në dizajnere të respektuara. Industria e modës është brutale dhe hyrja nga “jashtë” vjen me shumë pengesa. Megjithatë, Victoria Beckham ia doli. Ish-Spice Girl gjeti vendin e saj në botën e modës dhe marka e saj përjetoi rritje të madhe gjatë viteve 2010.
Sot ajo njihet për stilin e saj të kuruar në perfeksion, por edhe pse transformimi i saj stilistik është për t’u admiruar, kjo nuk do të thotë që Posh Spice ka qenë gjithmonë imune ndaj gafave të modës. Gabimi i saj më i famshëm mbetet veshja e papërshtatshme në dasmën e djalit të saj, Brooklyn, një moment që Victoria ndoshta nuk do ta harrojë kurrë, sepse njerëzit do ia kujtojnë gjithmonë. Por kjo nuk ishte aspak zgjedhja e vetme e gabuar ndër vite.

Dhe pikërisht për këtë, po hedhim një sy te disa veshje që tregojnë se edhe Victoria Beckham është thjesht një grua që përpiqet ta kuptojë modën, si të gjithë ne.
Fustani zebra që dukej si një makth

Vitet 2000 ishin të çmendura për modën dhe, krahasuar me të tjerët, stili i Victoria-s shpesh ka qenë relativisht i përmbajtur. Por në tapetin rozë të MTV Movie Awards 2007, ajo e teproi. Fustani me print zebra, i kombinuar me sutjena rozë dhe taka metalike, ishte një look i tepërt, edhe për standardet e eventit. Rezultati? Një pamje që lodhte syrin.
Look-u “Krishtlindje” i veshur në shtator

Në shtator 2022, Victoria u fotografua në Paris me vajzën e saj Harper, e veshur me një fustan jeshil të errët, të kombinuar me aksesorë të kuq të ndezur. Një paletë tipike festive, përveç faktit që ishte fillim vjeshte. Çizmet e kuqe dhe detaji me pupla e bënë kombinimin të dukej edhe më konfuz. Spoiler: mëngët me pupla nuk e shpëtojnë asnjë veshje.
Fustani oversize që e “gëlltiti” Victoria-n

Si dizajnere, Victoria duhet ta dijë sa të rëndësishme janë proporcionet. Megjithatë, në vitin 2019, në “Jimmy Kimmel Live!”, ajo u shfaq me një fustan midi shumë të madh për trupin e saj të imët. Rezultati? Dukej më e shkurtër dhe krejtësisht e humbur brenda veshjes.
Veshje plazhi në një event të Spice Girls (në Londër!)

Në vitin 2000, gjatë lançimit të albumit "Forever", Victoria u shfaq me bikini të sipërme, minifund me gurë dhe një bluzë transparente. Problemi? Eventi u mbajt në Londër, në vjeshtë, jo në ndonjë resort tropikal.
Kur aksesorët e gabuar prishin gjithçka

Në një sfilatë mode të Jacquemus në Versajë, në vitin 2023, Victoria veshi një fustan asimetrik interesant, por syzet futuriste dhe çizmet gri me pjesën e gishtave të hapur e shkatërruan gjithë kombinimin. Një miks stilesh që nuk u bashkuan kurrë në një kombinim koherent.
Bandana që s’ishte aspak “posh”

Në vitin 2000, Victoria u fotografua në Los Angeles me pantallona cargo, bluzë të bardhë dhe bandana, shaminë e famshme të kokës, nga Burberry. Vite më vonë, ajo vetë pranoi se sot nuk do ta vishte kurrë. Dhe e kuptojmë pse.
Veshja “pa pantallona” në Glamour Women of the Year

Asnjë listë gafash nuk është e plotë pa këtë moment. Në vitin 2007, Victoria u shpall “Gruaja e Vitit”, por u shfaq me korse të zezë dhe pantallona aq të shkurtra sa dukeshin si të brendshme. Jo elegante, por padyshim e paharrueshme.
Fustani me shumë copa që nuk funksionoi

Në vitin 2018, në New York, Victoria u shfaq me një fustan të ngarkuar me stile të ndryshme. Një veshje që ndoshta do t’i shkonte Rihanna-s, por jo Victoria-s, sidomos e kombinuar me taka jeshile.
Streçe + rrip masiv lëkure = krim mode

Në një show të Chanel në vitin 2007, Victoria përqafoi plotësisht estetikën Y2K: streçe deri në pulpë, bluzë e zezë, rrip masiv, plus një xhaketë e shkurtër në ngjyrë blu-jeshile. Edhe për atë epokë, ishte një pamje e tepruar.
Pizhame të mëdha që thjesht dukeshin rrëmujë

Në vitin 2017, trendi i pizhameve në rrugë ishte në kulm. Por versioni rozë Barbie i Victoria-s, me mëngë dhe pantallona tepër të gjata, dukej më shumë si “sa u ngrita nga shtrati” sesa si pamje moderne.



