Anabelizim

Revolucioni i Flamingove po ngre një pyetje më të madhe për Shqipërinë

Revolucioni i Flamingove po ngre një pyetje më të madhe për
Foto: Vlasov Sulaj / NurPhoto

Kush i thotë "jo" një projekti në Shqipëri? Teorikisht, kur një projekt prek një zonë të mbrojtur, një vijë bregdetare, një pyll apo një pasuri publike, ai duhet të kalojë nëpër filtra: juristë, biologë, urbanistë, inxhinierë, institucione, konsultim publik, vlerësime të ndikimit në mjedis, gjykata. Praktikisht, shpesh nuk ndodh kështu. 

Pikërisht kjo është arsyeja pse protesta për zonat e mbrojtura nuk mund të reduktohet më vetëm në një debat për Ligjin nr. 21/2024 apo për një resort në Zvërnec. Pas gati 1 muaji protesta brenda dhe jashtë vendit, çështja duket se ka hyrë në një fazë tjetër: ku nuk diskutohet më vetëm çfarë po ndërtohet, por si po merren vendimet. 

Që në nisje të debatit për ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura, një nga çështjet kryesore që Anabel ka ngritur ka qenë transparenca dhe jo vetëm në kuptimin e publikimit të dokumenteve, por a merren vendimet e mëdha për territorin, mjedisin dhe pasuritë publike pasi janë dëgjuar ekspertët, komunitetet, institucionet dhe publiku, apo pasi drejtimi politik është vendosur dhe pjesa tjetër e procesit shërben vetëm për ta justifikuar atë? 

Për të kuptuar nëse kjo lëvizje ka ende rrugë përpara dhe, mbi të gjitha, çfarë duhet të mbetet pas saj, kontaktuam juristë dhe ekspertë të mjedisit që kanë ndjekur nga afër çështjen që prej fillimit, përpara se të merrte përmasat e tanishme. Edhe pse vijnë nga fusha të ndryshme, përgjigjet e tyre takohen në një pikë: beteja nuk ka përfunduar dhe problemi nuk është vetëm një ligj. 

Çështja nuk ka marrë fund 

Një nga keqkuptimet më të përhapura pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese është ideja se beteja juridike ka marrë fund. Për avokaten dhe eksperten ligjore në fushën e ruajtjes së natyrës, Elvana Tivari, kjo nuk është e vërtetë. 

"Përfundoi një betejë e caktuar juridike: kërkesa për shfuqizimin në tërësi të Ligjit nr. 21/2024 nëpërmjet kontrollit kushtetues. Në fakt, shumica e Gjykatës nuk tha se ndërhyrjet e parashikuara nga ligji nuk mund të cenojnë zonat e mbrojtura."

Sipas saj, Gjykata arsyetoi se ligji është një ligj kuadër dhe se pasojat konkrete do të vlerësohen kur të miratohen aktet dhe projektet specifike. Por kjo nuk do të thotë se ligji është "certifikuar" si i padëmshëm. 

"Gjykata Kushtetuese nuk e shfuqizoi ligjin, por as nuk tha se çdo gjë që do të bëhet në emër të tij është automatikisht e ligjshme." 

Në të njëjtën linjë është edhe Dr. Irena Dule, një nga avokatet që kërkoi shfuqizimin e ligjit në Gjykatën Kushtetuese. 

"Kjo çështje është ende juridikisht e hapur, por është njëkohësisht një provë institucionale: a do të vazhdojë territori të trajtohet si objekt vendimmarrjeje të centralizuar, apo si një pasuri publike për të cilën qeveria duhet të japë llogari përpara se të vendosë?"

Me fjalë të tjera, problemi nuk është më nëse ekziston apo jo ligji, por çfarë po lejon ky ligj të ndodhë në praktikë. 

Beteja e radhës sapo ka nisur 

Sipas Elvana Tivarit, tani mund të kundërshtohen vendime konkrete: VKM, ndryshime kufijsh të zonave të mbrojtura, plane territoriale, leje zhvillimi, leje ndërtimi, procedura investimesh strategjike dhe Vlerësime të Ndikimit në Mjedis. 

"Këto akte nuk bëhen të paprekshme vetëm sepse ekziston Ligji nr. 21/2024. Ato mund të çohen në gjykatë dhe mund të kërkohet edhe pezullimi i tyre, veçanërisht kur ekziston rreziku i një dëmi të pakthyeshëm."

Por ajo ngre edhe një alarm. 

"Në çështjet mjedisore, vlen më së shumti shprehja drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar. Prandaj kontrolli gjyqësor duhet të shoqërohet me kërkesa për pezullimin e menjëhershëm të akteve dhe punimeve kur ekziston rreziku i një dëmi të tillë."

Edhe Irena Dule ndalet pikërisht këtu. 

"Një gjykatë që anulon një leje pas dhjetë vjetësh, kur ndërtimi ka përfunduar dhe territori është transformuar, nuk kontrollon më pushtetin; ajo vetëm konstaton me vonesë atë që nuk arriti ta ndalonte." 

Në këtë kuptim, thotë ajo, problemi nuk është vetëm ekzistenca e instrumenteve ligjore, por aftësia e tyre për të vepruar në kohë. 

Problemi nuk nisi me Zvërnecin  

Për hidrobiologun dhe drejtorin ekzekutiv të EcoAlbania, Olsi Nika, kufizimi i debatit vetëm te Ligji 21/2024 do të ishte gabim. 

"Kufizimi i kësaj lëvizjeje vetëm te kërkesa për shfuqizimin e ligjit 21/2024 do të ishte një reduktim i padrejtë i asaj që në të vërtetë ka artikuluar protesta." 

Ai kujton se Zvërneci nuk është një rast i izoluar: "Përpara tij kanë qenë protestat në Gjirin e Lalëzit, Rrjoll, Valbonë, Vjosë, Butrint, Lurë, Mirditë, Zall-Gjoçaj, Librazhd dhe shumë raste të tjera ku komunitetet lokale, ekspertët dhe shoqëria civile kanë kundërshtuar vendimmarrje të marra pa transparencë, pa konsultim real dhe shpesh në kundërshtim me interesin publik."

"Zvërneci ishte pika që derdhi gotën." 

Dhe ndoshta citimi më domethënës i tij është ky: "Natyra nuk është thjesht shkaku i protestës; ajo është pasqyra ku shfaqen problemet më të thella të shtetit dhe të demokracisë shqiptare." 

Po ekspertët, kur pyeten? 

Këtu përgjigjet e të tre ekspertëve bashkohen dhe jo rastësisht. 

Sipas Olsi Nikës, në teori institucionet ekzistojnë. 

"Ministritë, agjencitë publike, gjykatat, parlamenti, presidenti, media dhe shoqëria civile duhet të funksionojnë në mënyrë organike." 

Por problemi, sipas tij, është se ato funksionojnë gjithnjë e më pak si mekanizma kontrolli dhe gjithnjë e më shumë si mekanizma që legjitimojnë vendime të marra diku tjetër. 

Edhe Irena Dule ngre të njëjtin shqetësim. 

"Ndryshimi duhet të nisë nga vetë mënyra se si merren vendimet. Ekspertiza, publiku duhet të përfshihet përpara se projekti të jetë përcaktuar politikisht, jo pasi ai paraqitet si fakt i kryer. Po aq e rëndësishme është ndarja reale ndërmjet institucionit që promovon investimin dhe atij që duhet të kontrollojë ndikimin e tij në mjedis. Sot kjo ndarje është zhbërë. Kryeministri merr vendimin politik dhe më pas ministrave u kërkohet ta certifikojnë, ta arsyetojnë ose thjesht ta përsërisin atë publikisht. Është bërë pothuajse normë që ministri përgjegjës të sillet si avokat i kryeministrit apo i investitorit, kur funksioni i tij institucional, për shembull ai i mjedisit duhet të jetë pikërisht mbrojtja e mjedisit dhe përfaqësimi i interesit publik përballë presionit zhvillimor."

Dhe shton: 

"Një autoritet mjedisor që mbron projektin përpara se ta ketë vlerësuar atë nuk ushtron më kontroll, por legjitimon një vendim të marrë diku tjetër." 

Kur protesta nuk mjafton 

Të tre ekspertët bien dakord: Problemi nuk zgjidhet vetëm duke fituar ose humbur një betejë gjyqësore, por vetëm nëse ndryshon mënyra se si merren vendimet. 

Irena Dule thotë se ekspertiza dhe publiku duhet të përfshihen përpara se projekti të jetë vendosur politikisht. 

"Duhet të ndryshojë edhe mënyra se si kuptohet zhvillimi. Jo çdo ndërtim është zhvillim dhe jo çdo investim përfaqëson interes publik. Kur preket një pasuri e pazëvendësueshme, institucionet duhet të provojnë se ndërhyrja është e nevojshme, se nuk ka alternativa më pak të dëmshme dhe se përfitimi publik është real. Nuk mund të privatizohet përfitimi, ndërsa humbja e territorit dhe dëmi mjedisor t’i ngarkohen publikut," shton ajo.

Olsi Nika flet për kalimin nga vendimmarrja e bazuar te politika te vendimmarrja e bazuar te shkenca. 

"Në vendet demokratike, studimet shkencore, analizat e kostove dhe përfitimeve dhe opinionet e ekspertëve shërbejnë për të orientuar politikën. Tek ne ndodh e kundërta: politika përcakton rezultatin dhe më pas kërkohet një ekspertizë që ta justifikojë atë." 

Ndërsa Elvana Tivari propozon rikthimin serioz të instrumenteve të demokracisë së drejtpërdrejtë. 

“Nëse sot flitet për një lloj rithemelimi të sistemit, atëherë duhet të flasim edhe për kthimin e instrumenteve të demokracisë së drejtpërdrejtë. Në këtë kuptim, mendoj se një gjë që do ndryshoja, do ishte përdorimi seriozisht i instrumentit të referendumit. Qytetarët nuk mund të thirren vetëm për të votuar një herë në katër vjet dhe pastaj të protestojnë kur vendimet janë marrë,” thotë ajo. 

"Sigurisht, jo çdo leje apo projekt mund të hidhet në referendum. Por vendimet që prekin në mënyrë të pakthyeshme zona të mbrojtura, pasuri kombëtare, trashëgiminë kulturore, planet dhe strategjitë kombëtare shumevjecare, bregdetin apo territore me vlerë të veçantë nuk duhet të varen vetëm nga vullneti i shumicës politike së momentit," thekson Tivari.

Çfarë mbetet kur turma largohet? 

Revolucioni i Flamingove ia doli të hapë një debat më të thellë për mënyrën si merren vendimet në Shqipëri dhe duhet të lërë pas diçka më të rëndësishme se thjesht një protestë: duhet të vendosë një standard të ri. Nga përgjigjet e ekspertëve, disa kërkesa duken të qarta: 

Së pari, çështja ligjore nuk duhet konsideruar e mbyllur. Çdo akt konkret që prek zonat e mbrojtura duhet të jetë i kontrollueshëm, i kundërshtueshëm dhe, kur ka rrezik dëmi të pakthyeshëm, i pezullueshëm në kohë. 

Së dyti, transparenca nuk duhet të jetë publikim dokumentesh pasi vendimi është marrë, por përfshirje reale e ekspertëve dhe publikut përpara vendimit. 

Së treti, institucionet që duhet të kontrollojnë projektet nuk mund të sillen si zëdhënëse të tyre. 

Së katërti, Shqipëria ka nevojë për një kulturë tjetër vendimmarrjeje, ku shkenca, ekspertiza dhe interesi publik nuk trajtohen si pengesë për zhvillimin, por si kusht për zhvillim të qëndrueshëm. 

Matësi i vërtetë i kësaj lëvizjeje nuk do të jetë vetëm nëse një projekt ndalet apo një ligj ndryshohet. Do të jetë nëse, pasi turma të shpërndahet, Shqipëria do të ketë procese më transparente, institucione që kontrollojnë realisht pushtetin dhe vendimmarrje ku ekspertiza dëgjohet përpara se dëmi të bëhet i pakthyeshëm.

REELS

Dua Lipa ka shprehur mendimin e saj lidhur me aktualitetin politik e social në Shqipëri, duke theksuar gjatë podkastit @service95bookclub se ligji për të hequr sipërfaqe të ndryshme nga harta e zonave të mbrojtura përbën një shqetësim të madh. All rights reserved to @service95bookclub

Pas fitores së Spanjës ndaj Belgjikës në gjysmëfinale, Lamine Yamal ngriti sytë drejt tribunës dhe pa vëllain e tij të vogël, Keyne, i cili po festonte në mënyrën më epike të mundshme. Reagimi i tij u bë menjëherë viral, duke treguar se mes gjithë emocioneve të një ndeshjeje historike, familja mbetet gjithmonë ndjesia dhe mbështetja më e bukur. 🥹⚽

Trashëgimia shqiptare, e sjellë me një frymë moderne. ✨ @dorentinabrand frymëzohet nga veshjet tradicionale të grave shqiptare, duke ruajtur identitetin përmes krijimeve handmade, jo të prodhuara në masë, me elemente autentike (fije, copa, breza, sumbulla dhe detaje dekoruese) të mbledhura nga krahina të ndryshme të Shqipërisë. Çdo veshje mbart një histori. 🤍

Kjo është një nga ato pajisje që s’e dije që të duhej… por tani e pe. 👀✨

Si duken konferencat tuaja?! 🦦 Video by @kyannademi

🌋 Etna ka shpërthyer sërish. Vullkani më aktiv i Europës ka nxjerrë sasi të mëdha hiri dhe tymi, ndërsa aktiviteti vullkanik po monitorohet vazhdimisht nga autoritetet italiane. Deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa situata mbetet nën vëzhgim. 📹 Pamjet nga vendi i ngjarjes po bëjnë xhiron e rrjetit.

Do paguanit?! 🤓 Video by @coquicultcoffee

Dita 35 🦩 📸 @erald.halili

Video Credits: @_skerditopalli_