
Ka udhëtime që nuk rezervohen me nxitim. Janë ato destinacione që përfundojnë në listën e ëndrrave dhe planifikohen për një moment të veçantë të jetës: një aventurë në Ishujt Galapagos, një muaj mjalti në Maldive apo një natë nën Dritat Veriore. Por sa duhet të shpenzosh realisht për t'i kthyer këto ëndrra në realitet?
Për t'iu përgjigjur kësaj pyetjeje, kompania e udhëtimeve SquareMouth analizoi mbi 100 mijë blerje sigurimesh, një sondazh me më shumë se 6 mijë udhëtarë, si dhe të dhëna nga platforma si Google Flights dhe Kayak Hotels. Rezultati është lista e destinacioneve më të shtrenjta për të udhëtuar gjatë vitit 2026.
Nuk është çudi që vendet e para dominohen nga destinacione të largëta dhe të vështira për t'u arritur. Kostot e transportit, akomodimit dhe logjistikës janë shumë më të larta, ndërsa këto vende tërheqin kryesisht udhëtarë që kërkojnë eksperienca unike, luksoze ose ekspedita në natyrë.
Në krye të renditjes qëndron Groenlanda, ku një udhëtim kushton mesatarisht 1,171 dollarë në ditë. Vetëm marrja me qira e një makine arrin rreth 110 dollarë në ditë, një natë hoteli kushton afërsisht 227 dollarë, ndërsa edhe një vakt mjaft i thjeshtë në restorant shkon mesatarisht në 36 dollarë.
Vendin e dytë e zënë Ishujt e Virgjër Britanikë, ku një natë hoteli gjatë javës kushton mesatarisht 1,137 dollarë, ndërsa shpenzimi ditor i një udhëtari arrin në rreth 925 dollarë.
Në podium renditet edhe Polinezia Franceze, me një kosto mesatare prej 756 dollarësh në ditë dhe çmime hotelesh që mund të arrijnë deri në 1,382 dollarë për natë.
Pesëshen e parë e plotësojnë Antarktida dhe Maldivet. Për Antarktidën, vetëm bileta e avionit kushton mesatarisht 1,899 dollarë, ndërsa shpenzimi ditor arrin në 1,511 dollarë. Ndërkohë, në Maldive, udhëtarët duhet të llogarisin rreth 1,072 dollarë në ditë, ndërsa një natë hoteli kushton mesatarisht 1,249 dollarë.
Lista e 15 destinacioneve më të shtrenjta për vitin 2026 përfshin: Groenlandën, Ishujt e Virgjër Britanikë, Polinezinë Franceze, Antarktidën, Maldivet, Zvicrën, Zimbabvenë, Ishujt Turks dhe Kaikos, Botsvanën, Anguillën, Shën Luçian, Namibinë, Islandën, Norvegjinë dhe Zambian.
Nëse i keni zgjedhur si vende, urojmë të kaloni bukur, nëse i keni në "wish list", sugjerojmë të manifestoni.



