Nëse raftet tuaja janë mbushur me serume, acide, kremra, maska dhe produkte që premtojnë lëkurë perfekte, nuk jeni vetëm. Por sipas ekspertëve, për një lëkurë të shëndetshme rutina nuk ka pse të duket si një laborator bukurie.
Sot, shumë prej nesh kanë në banjë një koleksion të tërë produktesh për kujdesin e lëkurës. Dhe është shumë e lehtë të ndihesh sikur, nëse nuk përdor serumin e duhur, acidin e duhur, kremin e duhur apo maskën e duhur, lëkura do të plaket para kohe, do të humbasë shkëlqimin dhe do të mbushet me rrudha apo njolla.
Por a na duhen vërtet të gjitha këto produkte për të pasur një lëkurë të shëndetshme dhe të bukur? Përgjigjja e shkurtër? Jo.
Përtej produkteve bazë që ndihmojnë lëkurën të funksionojë siç duhet, gjithçka tjetër është opsionale. “Do t’i konsideroja si gjëra të këndshme për t’i pasur, por jo të domosdoshme,” tha për NPR Dr. Saranya Wyles, dermatologe dhe studiuese e specializuar në jetëgjatësinë e lëkurës.
Këtu përfshihen produktet që premtojnë shkëlqim, lëmim, freski apo përmirësim të pamjes së lëkurës. Disa përbërës mund ta përmirësojnë pamjen e lëkurës, por ka një kufi të qartë për atë që mund të bëjë një produkt kozmetik, sepse te lëkura ndikon kryesisht dieta, stili i jetesës dhe gjenetika.
Megjithatë, lëkura ka nevojë për mbështetje nga jashtë për të ruajtur barrierën e saj mbrojtëse. Dhe sipas ekspertëve, lista e produkteve të domosdoshme është shumë më e shkurtër nga sa mendojmë.
Në thelb, rutina bazë përfshin vetëm tre produkte: një pastrues të butë, një hidratues të përshtatshëm për llojin e lëkurës dhe një krem dielli me spektër të gjerë mbrojtjeje, të paktën SPF 30.
Larësi ka një detyrë të thjeshtë: të heqë papastërtitë, djersën, grimin dhe ndotësit që mblidhen në lëkurë gjatë ditës. Ekspertët rekomandojnë një produkt të butë, pa aromë dhe me përbërës hidratues, në mënyrë që të mos irritojë lëkurën dhe të mos largojë vajrat natyralë që ndihmojnë në ruajtjen e barrierës së saj.
Sa shpesh duhet larë fytyra? Ekspertët këshillojnë larjen çdo mbrëmje, për të hequr gjithë papastërtitë e ditës. Në mëngjes, kjo varet nga lëkura. Nëse keni fjetur me fytyrë të pastër, ndoshta mjafton vetëm një shpëlarje me ujë.
Produkti i dytë është hidratuesi. Ai është një nga elementët më të rëndësishëm të rutinës, sepse ndihmon në hidratimin e lëkurës dhe në ruajtjen e lagështisë.
Sipas kimistes kozmetike Kelly Dobos, shumica e hidratuesve kombinojnë tre lloje përbërësish: ata që tërheqin ujin në lëkurë, ata që e zbusin dhe e lëmojnë, dhe ata që e “mbyllin” lagështinë për të mos u larguar shpejt.
Hidratuesit formulohen shpesh për nevoja të ndryshme të lëkurës, ndaj është e rëndësishme të kuptoni nëse lëkura juaj është e thatë, e yndyrshme, mikse apo e ndjeshme. Gjithashtu, lloji i lëkurës mund të ndryshojë në faza të ndryshme të jetës.
Ndryshe nga pastruesi, hidratuesi qëndron në fytyrë dhe nuk shpëlahet menjëherë. Prandaj, nuk është ide e keqe të zgjidhni një produkt me përbërës që ofrojnë përfitime shtesë, për shembull antioksidantë ose retinolë që ndihmojnë në përmirësimin e teksturës dhe tonalitetit.
Produkti i tretë është kremi i diellit. Ekspertët janë dakord se gjëja më e mirë që mund të bëni për lëkurën është ta mbroni nga rrezet UV. Zgjidhni një krem dielli me spektër të gjerë, që mbron si nga rrezet UVB, ashtu edhe nga ato UVA. Të dyja mund të kontribuojnë në kancerin e lëkurës dhe në shenjat e dukshme të plakjes.
Minimumi i rekomanduar është SPF 30. Nëse qëndroni jashtë, kremi i diellit duhet riaplikuar çdo dy orë.
Nëse përdorni një produkt multifunksional, për shembull një hidratues që përmban edhe SPF, mund ta përdorni pa problem. Kjo e thjeshton rutinën. Por nëse jeni jashtë, sërish duhet ta riaplikoni çdo dy orë.
-
Mendoni se deti i bën mirë lëkurës? E vërteta është pak më ndryshe
18 Qershor, 23:47 -
Kremi mbrojtës vjen i pari, por edhe këto ushqime ndihmojnë me lëkurën
17 Qershor, 12:34 -
-
-



