Showbiz

“Shihemi në kapitullin tjetër”: Pas 8 vitesh, Tayna merr një vendim për karrierën

“Shihemi në kapitullin tjetër”: Pas 8 vitesh, Tayna merr
Foto: Tayna / Instagram

Pas tetë vitesh me performanca të vazhdueshme në diskoteka dhe mbrëmje muzikore, Tayna ka vendosur të tërhiqet për pak kohë.

Këngëtarja ka pwrfunduar turneun e saj veror “Genesis Summer Tour” dhe, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka treguar se ndien se ka ardhur momenti të shkëputet për pak nga ritmi intensiv i performancave në klube.

“8 vite aktive, 8 vite duke u parë me ju në diskoteka...mendoj që e meritoj një pushim prej tyre. Kjo verë ka qenë e lodhshme, kaotike, por shumë e bukur. Kam takuar kaq shumë prej jush, kam kënduar me ju, kam qeshur, kam bërë foto dhe kam marrë dashuri në çdo vend ku kam shkuar”, shkroi ajo.
 

Një pjesë e rëndësishme e kësaj vere ka qenë edhe albumi “Genesis”, i publikuar në maj me 13 këngë. Tayna tregoi se një nga momentet më të bukura për të ka qenë të shihte se sa shpejt publiku i kishte mësuar këngët e reja.

“Ta nxjerrësh një album prej shpirtit tim dhe pastaj të vish në klub e t’ju dëgjoj juve duke i ditur fjalët më mirë se unë ndonjëherë...është një ndjenjë që nuk di si ta shpjegoj”, u shpreh reperja, duke falënderuar të gjithë ata që e kanë ndjekur gjatë turneut.

Megjithatë, nuk duket se bëhet fjalë për një tërheqje nga muzika. Mesazhi i saj lë të kuptohet se Tayna thjesht po mbyll përkohësisht kapitullin e performancave të shpeshta në diskoteka, përpara se të nisë diçka të re.

“Tani po ju lë pak rehat prej meje...edhe diskotekat pak rehat prej meje. Shihemi në kapitullin tjetër”, përfundoi Tayna.