Një ndryshim i ri në sistemin publik shëndetësor shqiptar pritet t’u japë mundësi personave transgjinorë të kryejnë terapinë hormonale, një shërbim që deri më sot nuk ofrohej në institucionet publike të vendit.
Përmes një urdhri të miratuar nga Ministria e Shëndetësisë, është përcaktuar për herë të parë protokolli zyrtar për trajtimin hormonal të personave transgjinorë. Shërbimi do të ofrohet në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe, sipas dokumentit (via Shqiptarja.com), do të mbulohet nga fondet publike përmes sigurimeve të detyrueshme shëndetësore.
Deri tani, persona transgjinorë në Shqipëri u janë drejtuar klinikave private jashtë vendit ose i kanë siguruar trajtimet në mënyra jozyrtare, shpesh pa mbikëqyrjen e duhur mjekësore. Kjo ka qenë prej vitesh një nga kërkesat kryesore të komunitetit LGBT+ në vend.
Çfarë parashikon protokolli?
Sipas udhëzimit, terapia hormonale do të jetë e disponueshme për:
- burrat transgjinorë (person i lindur femër që identifikohet si burrë), përmes trajtimit me testosteron;
- gratë transgjinore (person i lindur mashkull që identifikohet si grua), përmes estrogjenit dhe anti-androgjenëve.
Si rregull, trajtimi mund të nisë nga mosha 16 vjeç. Në raste të veçanta, pas vlerësimeve të specializuara dhe me përfshirjen e familjes, mund të merret në konsideratë edhe për adoleshentë më të rinj.
Dokumenti thekson se vendimmarrja kërkon vlerësim të kujdesshëm të pjekurisë emocionale, psikologjike dhe njohëse të pacientit, si dhe bashkëpunim mes ekipit mjekësor, familjes dhe vetë personit që do t’i nënshtrohet trajtimit.
Përpara nisjes së terapisë, pacientët do t’u nënshtrohen analizave hormonale, ekzaminimeve laboratorike dhe vlerësimeve mjekësore e psikosociale. Gjithashtu, ata duhet të firmosin një formular, ku konfirmojnë se janë njohur me efektet, rreziqet dhe pasojat afatgjata të trajtimit, përfshirë ndikimin e mundshëm në fertilitet.
Protokolli parashikon edhe monitorim të rregullt mjekësor, pasi terapia hormonale mund të shoqërohet me rreziqe të caktuara shëndetësore, si probleme kardiovaskulare, hipertension apo çrregullime metabolike.
Reagimet
Si shumë çështje që lidhen me identitetin gjinor dhe politikat publike, edhe ky vendim ka sjellë reagime të ndryshme në opinionin publik.
Nga njëra anë, përfaqësues të komunitetit LGBTQI+ dhe aktivistë e kanë konsideruar një hap të rëndësishëm drejt aksesit më të barabartë në kujdesin shëndetësor.
Nga ana tjetër, nuk kanë munguar as zërat kritikë. Disa kundërshtime lidhen me bindje fetare, morale apo kulturore, ndërsa të tjerë argumentojnë se shoqëria shqiptare nuk është ende e përgatitur për vendime të tilla.
Një argument në debat lidhet me faktin se përpara zgjerimit të shërbimeve specifike, Shqipëria duhet të garantojë më shumë mbrojtje sociale, ligjore dhe institucionale për personat transgjinorë, në mënyrë që ata të kenë mundësi të barabarta për arsimim, punësim dhe jetë të përditshme, pa diskriminim.
Ka edhe nga ata që nuk e kundërshtojnë domosdoshmërisht trajtimin, por ngrenë pyetje mbi prioritetet e sistemit shëndetësor. Në diskutimet e zhvilluara në rrjetet sociale, disa qytetarë kanë përmendur problematika të kahershme të shëndetësisë, si vështirësitë në trajtimin e pacientëve me kancer, mungesat e herëpashershme të medikamenteve, listat e pritjes për shërbime të caktuara apo nevojën për investime më të mëdha në infrastrukturën spitalore.
Pavarësisht qëndrimeve të ndryshme, vendimi shënon herën e parë që terapia hormonale për personat transgjinorë përfshihet zyrtarisht në sistemin publik shëndetësor shqiptar, duke hapur një debat më të gjerë mbi të drejtat, shëndetin publik dhe prioritetet e shoqërisë shqiptare.