
Një tavolinë vetëm në një restorant, një fundjavë pa plane apo një pasdite pa shoqëri mund të tingëllojë si luks për disa njerëz. Për të tjerë, megjithatë, këto momente shoqërohen me pasiguri, ankth apo edhe frikë. Prandaj, nuk janë të paktë ata që mbushin çdo minutë të lirë me takime, aktivitete apo biseda, vetëm për të shmangur qëndrimin vetëm me veten.
Sipas psikoterapistes Alli Spotts-De Lazzer, e cituar nga Psychology Today, shmangia e vetmisë lidhet shpesh me mendime si: “Çfarë do të mendojnë të tjerët nëse më shohin vetëm?”, “Me kë do t’i ndaj mendimet e mia?” ose “Po sikur askush të mos dojë të më afrohet?”. Këto pyetje mund të krijojnë ndjesinë se të qenit vetëm është diçka negative, kur në fakt nuk është gjithmonë kështu.
Të jesh vetëm nuk do të thotë të ndihesh i vetmuar
Ekziston një dallim i rëndësishëm mes vetmisë dhe ndjenjës së vetmisë. Të qenit vetëm është një gjendje momentale: thjesht nuk ke njerëz pranë teje në atë moment. Ndërsa vetmia është një ndjenjë emocionale, që lidhet me mungesën e lidhjes apo afërsisë me të tjerët.
Një person mund të jetë vetëm dhe të ndihet plotësisht i qetë e i përmbushur. Po ashtu, mund të jetë i rrethuar nga njerëz dhe sërish të ndihet thellësisht i vetmuar.
Psikoanalisti britanik Donald Winnicott e konsideronte aftësinë për të qenë vetëm si një shenjë të pjekurisë emocionale. Nuk bëhet fjalë për izolim apo refuzim të marrëdhënieve, por për aftësinë për të qenë mirë me veten pa pasur nevojë vazhdimisht për praninë e të tjerëve.
Çfarë përfitojmë nga koha me veten?

Koha që kalojmë vetëm na jep mundësinë të dëgjojmë më mirë nevojat dhe dëshirat tona, pa u ndikuar nga pritshmëritë e të tjerëve. Krijon hapësirë për reflektim, organizim të mendimeve dhe zhvillim të ideve të reja.
Në të njëjtën kohë, na ndihmon të kuptojmë më mirë veten, të njohim kufijtë tanë dhe të dallojmë se çfarë duam realisht nga jeta. Kjo vetëdije shpesh na ndihmon të marrim vendime më të mira dhe të ndërtojmë marrëdhënie më të shëndetshme.
Kur kalojmë kohë vetëm, kemi mundësinë të përballemi me pjesë të vetes që shpesh i lëmë në hije mes angazhimeve dhe ndërveprimeve të përditshme. Dhe pikërisht aty fillon njohja më e thellë e vetes.
Si mësohet aftësia për të qenë vetëm?

Aftësia për të qenë vetëm nuk lind automatikisht. Ajo zhvillohet gradualisht, përmes përvojave ku ndihemi të sigurt edhe kur nuk kemi dikë pranë.
Sipas specialistëve, njerëzit që kanë pasur marrëdhënie të sigurta dhe mbështetëse gjatë jetës e kanë më të lehtë të qëndrojnë vetëm pa u ndier të braktisur. Ndërsa ata që e shmangin vazhdimisht vetminë mund të mos kenë mundësinë të zbulojnë se janë në gjendje të mbështeten edhe te vetja.
Kjo është arsyeja pse disa njerëz qëndrojnë në marrëdhënie jo të shëndetshme apo kërkojnë vazhdimisht shoqëri, jo sepse ndihen mirë, por sepse kanë frikë nga vetmia.
Si të pajtohemi me kohën që kalojmë vetëm?

Nëse nuk jeni mësuar të rrini vetëm, nuk është e nevojshme të bëni ndryshime drastike. Filloni me hapa të vegjël: një kafe vetëm, një shëtitje pa shoqëri, disa minuta pa telefon apo rrjete sociale.
Qëllimi nuk është të ndiheni menjëherë rehat, por të vëzhgoni mendimet dhe emocionet që shfaqen. Me kalimin e kohës, kjo hapësirë bëhet më e njohur dhe më pak e frikshme.
Në një botë të mbushur me zhurmë, njoftime dhe kontakte të vazhdueshme, koha me veten mund të jetë një nga format më të rëndësishme të kujdesit personal. Sepse, fundja, marrëdhënia që kemi me veten është ajo që na shoqëron gjatë gjithë jetës.




