
Gaza nuk ka qenë kurrë më e uritur, pavarësisht paralajmërimeve të shumta për një krizë urie, ndërsa po bëhen thuajse 2 vite që kur Izraeli po kryen gjenocid në vend. Vetëm në tre ditët e fundit, zyrtarët e shëndetësisë kanë regjistruar 43 vdekje nga uria; përpara kësaj, numri i përgjithshëm ishte 68.
Faiza Abdul Rahman, e cila ka qëndruar në qytetin e Gazës gjatë gjithë luftës, thotë se edhe në periudhat me kontrollin më të rreptë ndaj ushqimit vitin e kaluar, gjendja nuk ishte kaq e keqe.
“Kemi përjetuar uri më parë, por kurrë kështu,” tha ajo. “Kjo është faza më e vështirë që kemi kaluar ndonjëherë".
Dëshmitë nga banorët dhe mjekët vendas, si dhe të dhënat nga qeveria izraelite, Fondacioni Humanitar i Gazës, Kombet e Bashkuara dhe organizatat humanitare, tregojnë se ushqimi po mbaron. Raftet bosh pasqyrohen në çmime të frikshme dhe mielli shitet më shumë se 30 herë mbi çmimin e tregut në fillim të vitit.
As paratë dhe as punëdhënësit me ndikim nuk mund t’i mbrojnë më palestinezët.
“Organizatat humanitare po shohin kolegët dhe partnerët që treten para syve të tyre,” paralajmëruan këtë javë më shumë se 100 organizata ndihme që punojnë në Gaza, përfshirë MSF, Save the Children dhe Oxfam.
Sindikata e gazetarëve të AFP-së tha të hënën se për herë të parë në historinë e agjencisë, ekziston rreziku të humbin një koleg për shkak të urisë.
Të mërkurën, drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se një “pjesë e madhe” e popullsisë së Gazës po vuan nga uria.
“Nuk di si ta quash ndryshe, përveçse një uri masive dhe është e shkaktuar nga njeriu,” u shpreh ai.
Prej muajsh, Izraeli ka bllokuar dërgesat e ushqimit. Sasia e lejuar që nga fillimi i marsit është shumë më pak se racionet minimale për të mbijetuar për 2.1 milionë banorët, të cilët janë tashmë të dobësuar nga mungesa e gjatë e ushqimit dhe zhvendosja e përsëritur.
“Për gati dy vjet, fëmijët këtu kanë vuajtur nga uria. Edhe në ditët kur ndiheshin të ngopur, nuk është vetëm çështje ngopjeje, por e marrjes së ushqimeve dhe vitaminave që i duhen trupit”, tha pediatri Farëana.
Vitet e kequshqyerjes i bëjnë më të ndjeshëm ndaj sëmundjeve të tjera dhe imuniteti i tyre i ulët rëndohet më tej nga mungesa ekstreme e ilaçeve bazë, të cilat gjithashtu janë bllokuar nga Izraeli.
“Shpesh ndihem i shkatërruar sepse fëmijës i duhet diçka kaq e thjeshtë për të mbijetuar dhe ne thjesht nuk mund ta ofrojmë,” tha ai. Tre pacientë të kequshqyer rëndë ndërruan jetë këtë javë në terapi intensive; njëra prej tyre një vajzë e vogël që ndoshta do të kishte mbijetuar nëse mjekët do të kishin pasur në dispozicion kalium intravenoz, një medikament bazë që tani është i pamundur të sigurohet në Gaza.
“U përpoqëm t’i jepnim alternativa orale, por për shkak të kequshqyerjes dhe komplikimeve që shkaktoi, ajo nuk përthithi asgjë. Këto raste më përndjekin gjithmonë. Nuk më dalin nga mendja. Ky fëmijë mund të ishte kthyer në familje dhe të kishte një jetë normale. Por, sepse një gjë e thjeshtë mungonte, nuk mbijetoi.”
Izraeli vendosi një bllokadë totale në Gaza më 2 mars. Kur kryeministri Benjamin Netanyahu e hoqi më 19 maj, ai pretendoi se qeveria po vepronte për të shmangur një “krizë urie”, pasi disa nga aleatët më të fortë të Izraelit i thanë se nuk do të toleronin më pamje urie.
Në të vërtetë, qeveria izraelite thjesht ndryshoi strategji, duke e zvarritur krizën e urisë me dërgesa minimale ndihme, në mënyrë që rënia e Gazës drejt urisë totale të ndodhte më ngadalë.
Qeveria izraelite shpalli plane për të kanalizuar të gjithë ndihmën përmes një organizate të mbështetur nga SHBA, që operon në katër pika shpërndarjeje të militarizuara. Qindra njerëz janë vrarë duke u përpjekur të marrin ushqim në këto pika, të cilat palestinezët i përshkruajnë si “kurthe vdekjeje” dhe që shpërndajnë ndihma që përmbushin vetëm një pjesë të vogël të nevojave të Gazës.
Më 22 korrik, GHF kishte operuar për 58 ditë, por ushqimi që kishte futur do të mjaftonte për më pak se dy javë për të gjithë popullsinë e Gazës edhe sikur të shpërndahej në mënyrë të barabartë.
Të martën, Umm Youssef al-Khalidi po përgatitej të provonte për herë të parë fatin e saj në një qendër shpërndarjeje të GHF. Ajo i kishte shmangur ato për muaj të tërë sepse fëmija më i vogël është dy vjeç, më i madhi 13, dhe bashkëshorti është i paralizuar dhe në karrocë.
“Ne po e qetësojmë urinë me ujë,” tha ajo. “Frika për familjen time është më e madhe se frika për veten. Kam frikë se mos më ndodh diçka mua dhe do t’i lë pa askënd që të kujdeset për ta.”
Por familja nuk kishte ngrënë për katër ditë javën e kaluar dhe kur e çelën agjërimin, tetë vetë ndanë një qese oriz dhe dy patate që ua kishte dhuruar një kalimtar i panjohur.
Fëmijët ishin nxënës të shkëlqyer para luftës, që gjithmonë fitonin bursa. Tani, ditët i kalojnë ulur në rrugë pranë një xhamie të bombarduar në lagjen al-Ëehda të qytetit të Gazës, ku vajzat përpiqen të shesin byzylykë në vend që të lypin.
Sot, në Gaza ka pak kërkesë për bizhuteri të lira dhe ndonëse ndonjë kalimtar mund të ketë mëshirë për grupin e fëmijëve të dobët, me fytyra të pista dhe rroba të grisura, çmimet e larta bëjnë që të mund të blihet shumë pak ushqim.
“Fëmijët e mi janë bërë skelete, lëkurë dhe kockë,” tha Khalidi, duke shtuar: “Edhe përpjekja më e vogël i bën t’u merren mendtë. Ulen përsëri, duke kërkuar ushqim dhe unë nuk kam asgjë për t’u dhënë. Nuk mund të gënjej dhe t’u them se do t’ju sjell diçka kur e di që nuk do të mundem. Është e dhimbshme t’i shohësh duke vuajtur dhe shëndeti i tyre përkeqësohet çdo ditë që kalon pa ushqim.”
Një tjetër rast tejet i dhimbshëm është ai i Mohammed-it, i veshur me një kostum të verdhë, ku në bluzë shihet një emoji i buzëqeshur me shprehjen “djalë i gëzuar”, një ironi mizore në spitalin e Gazës. Ai kalon shumicën e ditës duke qarë nga uria, ose duke kafshuar gishtat e tij të dobësuar.
Në moshën shtatë muajshe, ai peshon mezi 4 kg dhe kjo është hera e dytë që është shtruar për trajtim. Fytyra e tij është e rrudhur, gjymtyrët janë vetëm eshtra të mbuluar me lëkurë të varur dhe brinjët i dalin nga kraharori.
“Frika ime më e madhe tani është të humbas nipin tim nga kequshqyerja”, tha gjyshja e tij, Faiza Abdul Rahman, e cila edhe vetë ndien marramendje të vazhdueshme nga mungesa e ushqimit. Të njëjtën ditë, e vetmja gjë që kishte ngrënë ishte një copë bukë, që i kushtoi 15 shekel (rreth 3 euro).
Rreth 100 organizata i kanë bërë thirrje Izraelit që ta ndalojë mizorinë, por nuk kanë marrë asnjë reagim nga Benjamin Netanyahu, presidenti i vendit.