Showbiz

Surprizë nga Dua dhe Dukagjin Lipa duke kënduar “Era”? Po!

Surprizë nga Dua dhe Dukagjin Lipa duke kënduar “Era”? Po!
Foto: Dua Lipa, Dukagjin Lipa/ Instagram

Që Dua Lipa do performonte dhe vetë këtë vit në Sunny Hill Festival, e dinim. Që do këndonte një këngë shqip për të ndjekur zakonin e të kënduarit një këngë të njohur nga vendi ku ka performuar gjatë turneut të saj "Radical Optimism", gjithashtu e dinim. Por që do ngjitej në skenë me babain e saj, Dukagjin Lipa, dhe të këndonin "Era" nga grupi Gjurmët, kjo ishte një surprizë shumë e këndshme.

Gjurmët është një grup i njohur rock-u nga Kosova, i formuar në Prishtinë në vitin 1981 dhe aktiv deri më 1988, me vokalist Migjen Kelmendin, tani gazetar i njohur. Ata publikuan albumet “Gjurmët” (1984), “Gjurmët 1982-1988” (1988) dhe një përmbledhje në vitin 2002 me incizime të përmirësuara dhe reflektime retrospektive. Në fund të vitit 2015, grupi u rikthye me një koncert gala në Pallatin e Kongreseve në Tiranë.

Këngën "Era" megjithatë, njerëzit mund ta njohur më shumë prej ripërpunimit të famshëm të McKreshës në vitin 2015.

Surprizë nga Dua dhe Dukagjin Lipa duke kënduar “Era”? Po!
Grupi "ODA", i dyti djathtas, Dukagjin Lipa

Dukagjin Lipa nga ana tjetër, ka qenë gjithashtu solist i një grupi rock-u në Kosovë, "ODA", aktiv gjatë viteve '90-të, ndaj ky rikthim në skenë me siguri ka qenë një ndjesi e bukur dhe për babain e Duas, i cili meqë ra fjala, ndoshta duhet të konsiderojë një rikthim të mirëfilltë në muzikë. ;)

Ndërkohë, ja një përmbledhje e disa prej këngëve që Dua Lipa ka kënduar në shtetet përkatëse ku ka bërë koncerte gjatë turneut, duke respektuar kulturën e vendit:

Itali: “A far l’amore comincia tu” nga Raffaella Carrà.

Spanjë: “Héroe” nga Enrique Iglesias dhe “Me gustas tú” nga Manu Chao.

Francë: “Moi... Lolita” nga Alizée dhe “Dernière danse” nga Indila.

Gjermani: “99 Luftballons” nga Nena dhe “Wind of Change” nga Scorpions.

Australi: “Highway to Hell” nga AC/DC, “Torn” nga Natalie Imbruglia, “Can't Get You Out of My Head” nga Kylie Minogue.