
Pas vitesh pritjeje dhe spekulimesh, fansat e Rihanna-s më në fund kanë një arsye për t'u entuziazmuar: albumi i ri duket se është më afër se kurrë.
Lajmi erdhi nga personi që ndoshta e di më mirë se kushdo tjetër se çfarë po ndodh në jetën e këngëtares, partneri i saj A$AP Rocky. Gjatë një interviste në emisionin The Jason Lee Show, reperi zbuloi pa dashje se Rihanna është rikthyer në studio.
"Po, ajo është në studio tani. Po punon. Po 'gatuan' diçka," tha Rocky, duke shtuar me humor se ndoshta do të kishte probleme pasi e zbuloi këtë informacion.
Kur moderatori sugjeroi që çifti të publikonte një album së bashku, Rocky e hodhi menjëherë poshtë idenë.
"Askush nuk do të na dëgjojë bashkë. Unë bëj rap alternativ," u shpreh ai.

Albumi i fundit në studio i Rihanna-s, "Anti", u publikua në vitin 2016. Që atëherë, artistja është përqendruar te bizneset e saj, Fenty Beauty dhe Savage X Fenty, si edhe te familja e saj me A$AP Rocky, me të cilin ka tre fëmijë.
Në vitet e fundit ajo ka publikuar vetëm disa këngë për kolona zanore, si "Lift Me Up" për Black Panther: Wakanda Forever dhe "Friend of Mine" për filmin The Smurfs.

Në një intervistë për Harper's Bazaar në fillim të këtij viti, Rihanna la të kuptohej se më në fund kishte gjetur drejtimin artistik të albumit të ri. Ajo tha se projekti nuk do të ndjekë një zhanër të caktuar dhe se dëshiron që pritja shumëvjeçare të shpërblehet me një album që "ia ka vlejtur të pritet".



