Ushqim & Pije

Akullore para apo pas ushqimit? Ç’thotë dietologia

Akullore para apo pas ushqimit? Ç’thotë dietologia
FOTO: Shutterstock

Akullorja është një nga ato “mëkatet” e ëmbla të verës që është vështirë t’i rezistohet! Por, përtej shijes apo freskisë që jep gjatë këtyre ditëve të verës, gjithmonë ka një paqartësi në lidhje me kohën se kur duhet të konsumohet.

Fanny Baillancourt një dietologe në SHBA, beson se koha ideale për të shijuar akulloren varet nga lloji i vaktit.

“Nëse keni ngrënë një drekë të bollshme, shtimi i më shumë karbohidrateve me një ëmbëlsirë si akullorja, është e panevojshme. Por, nëse vakti juaj ka qenë i lehtë, pra sallatë apo disa proteina, të ngrënit e një sasie të vogël akulloreje nuk do të prishë asnjë ekuilibër,” shpjegon ajo.

Por, konsumimi i akullores menjëherë pas një vakti mund të parandalojë edhe rritjen e glicemisë, njësoj siç ndodh edhe me çdo ëmbëlsirë tjetër. Kur karbohidratet përzihen me pjesën tjetër të ushqimit në stomak, si fibra, proteina dhe yndyra, kjo ndikon në stabilizimin e niveleve të sheqerit në gjak.

Nga ana tjetër, ngrënia e sheqerit në mes të vakteve mund të shkaktojë rritje të glicemisë, e ndjekur nga një rënie e sheqerit në gjak.

"Njerëzit e prirur ndaj diabetit duhet të kenë kujdes: një kulm hiperglicemik mund të jetë i rrezikshëm për shëndetin e tyre," paralajmëron ajo.

Për sa i përket shpeshtësisë, është mirë që akullorja të mos konsumohet çdo ditë.

“Akullorja mund të zëvendësojë ushqime të tjera që zakonisht konsumohen në vend të ëmbëlsirave si kosi apo frutat. Është e mirë që ta kufizoni konsumin e akullores në maksimum një herë në tre ditë gjatë pushimeve verore, pra rreth dy herë në javë,” shton ajo.

Për ata që kërkojnë të mbajnë ose humbasin peshë, Baillancourt sugjeron kufizimin e akullores në vetëm një herë në javë.

Artikuj të sugjeruar: 

 

Burimi: Grazia