School & Career

Të rinjtë nuk ëndërrojnë më të bëhen influencues: Një tjetër profesion po fiton popullaritet

a2b4d2513a369313329b0003104396bf.jpg

Deri vonë, të bëheshe influencues/e dukej si një nga karrierat më tërheqëse për brezat e rinj. Në vend të një pune tradicionale në zyrë, ideja ishte të ndërtoje një audiencë në rrjetet sociale dhe ta ktheje popullaritetin online në të ardhura, udhëtime, produkte luksoze dhe mundësi të tjera.

Por duket se kjo ëndërr po humbet pak nga shkëlqimi i saj. Sipas Raportit të të Rinjve nga Pacsun, bazuar në një sondazh me më shumë se 6,000 amerikanë të moshës 11 deri në 24 vjeç, marketingu i influencuesve nuk është më zgjedhja kryesore e karrierës.

Të rinjtë po ndryshojnë prioritetet

f3a7fb992d8ee5e8ffbcbfb39269a424.jpg

Vitin e kaluar, 22.2% e të anketuarve e rendisnin marketingun e influencuesve si karrierën që do të donin të ndiqnin. Këtë vit, shifra ka rënë në 18.8%, duke bërë që kjo fushë të humbasë vendin e parë.

Në krye kanë kaluar profesionet e kujdesit shëndetësor, të cilat u zgjodhën nga 19% e të rinjve. Diferenca është e vogël, por sinjalizon një ndryshim interesant në mënyrën se si brezi i ri e sheh të ardhmen profesionale.

Një nga arsyet mund të jetë fakti se realiteti i jetës si influencues është shumë më pak ideal sesa duket në Instagram apo TikTok.

Jo gjithçka është aq “glamour” sa duket

828755b091b6e926ce821a827b472d14.jpg

Të ardhurat e një influencuesi nuk janë të garantuara, nuk ka orar të përcaktuar pune dhe as një siguri të madhe financiare në rast se interesimi i publikut bie. Për më tepër, për të pasur sukses duhet të kthesh veten në një markë dhe të jesh vazhdimisht i pranishëm online.

Kjo do të thotë edhe të ekspozohesh ndaj komenteve negative, kritikave dhe, në disa raste, urrejtjes nga njerëz që nuk i njeh fare. Në një industri ku vëmendja është monedha kryesore, një valë reagimesh negative mund të ndikojë shumë shpejt te imazhi dhe vlera e një krijuesi.

AI po ndryshon edhe mënyrën si mendojmë për karrierën

Një tjetër faktor është inteligjenca artificiale. Teksa AI po hyn gjithnjë e më shumë në tregun e punës dhe po automatizon një sërë detyrash, brezat e rinj duket se po tregojnë më shumë interes për profesione që kërkojnë aftësi praktike, teknike ose njerëzore.

Këtu përfshihen profesionet manuale dhe teknike, por edhe ato që lidhen me kujdesin ndaj të tjerëve. Në këtë kuadër, profesionet e kujdesit shëndetësor mund të duken si një zgjedhje më e sigurt për të ardhmen, sidomos duke pasur parasysh plakjen e popullsisë dhe nevojën në rritje për shërbime shëndetësore.

34a62c15a54587a57f66750243ec9610.jpg

Edhe rrjetet sociale po shihen me më shumë skepticizëm

Ndikimi i mediave sociale në shëndetin mendor mund të jetë një tjetër pjesë e këtij ndryshimi. Brezat e rinj janë gjithnjë e më të vetëdijshëm për anët negative të qëndrimit të vazhdueshëm online dhe disa po zgjedhin edhe të reduktojnë përdorimin e telefonave inteligjentë.

Interesi për të ashtuquajturit “dumbphones”, telefonat me funksione bazë dhe pa akses të gjerë në internet, është një nga shembujt e këtij reagimi.

Sigurisht, është ende herët për të thënë se influencuesit po dalin nga moda si profesion. Ata nuk do të zhduken nga rrjetet sociale, por mënyra se si brezi i ri e sheh këtë karrierë duket se po ndryshon.

Dhe me zhvillimin e AI-së, pyetja mund të mos jetë më vetëm nëse të rinjtë duan të bëhen influencues, por edhe nëse kjo industri do të ketë nevojë për po aq njerëz sa më parë.