
Kur ishim fëmijë, të gjithë kemi luftuar për vendin e pasagjerit me vëllezërit e motrat tona, duke u përpjekur të fitojmë “vendin e parë” në makinë. Nuk na ka interesuar nëse udhëtimi zgjaste me orë të tëra apo thjesht deri në shtëpi, rëndësi kishte vetëm të uleshim përpara.
Në moshë të rritur, kjo dëshirë zbehet. Nuk ka më rëndësi kush ulet përpara, sidomos nëse makina është e jona. Të paktën, derisa të udhëtojmë me dikë tjetër.
Kur në timon është dikush nga familja apo shoqëria, zakonisht ekzistojnë disa “rregulla të pashkruara” mirësjelljeje që shumica përpiqen t’i ndjekin. Për shembull, shumë njerëz ua lënë me dëshirë vendin e pasagjerit dikujt më të moshuar ose atyre që u ndihen keq gjatë udhëtimit.
Por kur nuk ka asnjë arsye të tillë, a ka vërtet rëndësi kush ulet përpara? Sipas qindra njerëzve në internet, po, ka.
Çështja e vendit të pasagjerit shpesh ngre debate, sidomos kur përfshihen partnerët dhe prindërit e tyre.
Në forumin Mumsnet, një përdoruese ngriti pyetjen: “A jam e paarsyeshme? Kush duhet të ulet përpara, partneri apo prindi?”

Ajo shpjegoi se gjithmonë ia ofron vendin nënës së burrit, por kjo e fundit refuzon dhe preferon të ulet pas. Ndërkohë, vjehrri nuk ngurron asnjëherë të ulet përpara, gjë që ajo e konsideron si shenjë “seksizmi”.
“Më bezdis sepse duket sikur burrat marrin përparësinë, ndërsa unë dhe vjehrra ime, gratë, duhet të qëndrojmë mbrapa,” – shpjegoi ajo.
Debate të ngjashme janë parë edhe në Reddit dhe në grupe në Facebook si Etiquette and Manners dhe The Dull Men’s Club. Disa komente mbronin idenë që partnerët duhet të ulen bashkë përpara, ndërsa të tjerë këmbëngulnin se gruaja duhet t’ua lërë vendin prindërve të burrit, “nga respekti”, një rregull që në disa kultura është shumë i rëndësishëm, pasi të moshuarit gjithmonë ulen përpara.
Në TikTok, shumë burra kanë shprehur të njëjtin qëndrim, duke thënë se do t’ua linin vendin prindërve ose të moshuarve, jo partneres.
Çfarë thonë ekspertët?

Sipas terapistes së marrëdhënieve Gigi Engle, çështja e “vendit të parë” ka rëndësi vetëm kur partneri juaj ju bën të ndiheni më pak të rëndësishëm, duke ju detyruar gjithmonë të uleni pas.
“Nuk ka të bëjë me vetë vendin, por me atë që ai simbolizon,” – shpjegon Engle.
“Për shumë njerëz, sedilja e pasagjerit lidhet me respektin dhe vendin që zë një partner në marrëdhënie. Nëse, për arsye praktike, vjehrri është shumë i gjatë dhe ka më shumë nevojë për hapësirë, s’ka asgjë të keqe.
Por nëse nuk ka arsye praktike dhe partneri vendos që gjithmonë prindërit të ulen përpara, mund të ndiheni të pavlerësuar dhe kjo ndjenjë nuk duhet injoruar.”
Ajo shton se shpesh kjo s’është vetë problemi, por një simptomë e diçkaje më të thellë në marrëdhënie: mungesë komunikimi ose respekti.
“Në një lidhje të shëndetshme, duhet të jemi të hapur për të folur dhe për të dëgjuar njëri-tjetrin. Nëse diçka ju bën të ndiheni të pavlerësuar, duhet ta shprehni me qetësi, jo me sulme apo akuza.”
Në fund, Engle përmbyll:
“Një partner që të respekton dhe të vlerëson, nuk e injoron shqetësimin tënd. Ai do të dëgjojë dhe do të krijojë mënyra që ti të ndihesh i respektuar.”