Vera mund të ketë mbaruar, por kjo nuk do të thotë se jemi gati t’i themi lamtumirë nxirjes. Pas javësh të tëra nën diell, pranë detit apo pishinës, jemi mësuar ta shohim lëkurën me atë ngjyrën e artë që na jep menjëherë pamjen e pushimeve.
Lajmi i mirë është se nuk duhet të bëjmë asgjë të komplikuar për ta ruajtur nxirjen edhe për pak kohë. Disa ndryshime të vogla në rutinën e kujdesit për trupin mund të ndihmojnë që lëkura të duket më e shëndetshme, ndërsa ngjyra e saj të zbehet më gradualisht.
Theksi te hidratimi
Lëkura e thatë ka tendencë të "qërohet" më shpejt dhe, bashkë me qelizat e vdekura, humbet gradualisht edhe pamja e nxirjes. Për këtë arsye, gjatë kësaj periudhe hidratimi duhet të jetë prioritet.
Pas dushit, aplikoni një sasi të bollshme kremi ose vaji për trupin, mundësisht kur lëkura është ende pak e lagur. Në këtë mënyrë, ajo ruan më mirë hidratimin dhe duket më e butë për më gjatë.