
Një video e publikuar në portalin JOQ, ku pretendohej se disa gra (ose burra të maskuar si gra) po komunikonin në mënyrë të dyshimtë me të mitur, ka nxitur reagimin e menjëhershëm të policisë.
Strukturat e specializuara nisën verifikimet dhe hetimet përkatëse menjëherë pas publikimit të rastit, me qëllim sqarimin e plotë të situatës dhe vlerësimin e çdo rreziku të mundshëm, thuhet në njoftim.
Si rezultat i veprimeve të kryera, u bë i mundur identifikimi i dy shtetaseve që shfaqeshin në video, me inicialet M. G. dhe A. G. Nga verifikimet e deritanishme të policisë, rezulton se dy shtetaset janë me shtetësi iraniane dhe zotërojnë leje qëndrimi në Shqipëri për arsye humanitare.
Pas përfundimit të veprimeve hetimore paraprake, autoritetet kanë bërë të ditur se nuk rezulton që këto shtetase të kenë kryer veprime të kundërligjshme ndaj të miturve.
Policia e Shtetit ka garantuar qytetarët se, në këtë rast, nuk ekziston asnjë rrezik për sigurinë e të miturve, duke qetësuar qytetarët e frikësuar nga videoja e shpërndarë në rrjet.
Policia njoftoi se materialet janë referuar pranë Prokurorisë së Tiranës për vlerësim dhe ndjekje të mëtejshme, në përputhje me procedurat ligjore.