
Një video e një djali 7-vjeçar palestinez nga Gaza, i cili vuan nga një problem i rëndë në shikim dhe qan me dëshpërim për syzet e tij të thyera, ka tërhequr vëmendjen e miliona njerëzve në rrjetet sociale dhe mediat ndërkombëtare.
Pamjet e Ayoub Junaid kanë nxjerrë në pah vështirësitë me të cilat përballen shumë fëmijë me probleme të shikimit në Gaza, të cilët, për shkak të bllokadës izraelite dhe shkatërrimeve të luftës, nuk kanë mundësi të kryejnë kontrolle okulistike, të sigurojnë syze të përshtatshme apo të kryejnë ndërhyrje të specializuara kirurgjikale.
Pasi videoja u pa nga dhjetëra milionë njerëz, Ayoub mori një palë syze të reja. Megjithatë, kjo nuk e zgjidh problemin e tij kryesor, pasi ai ka nevojë urgjente për një operacion.
Nëna e tij, Eman Junaid, 30 vjeçe, e zhvendosur së bashku me familjen në zonën e portit të qytetit të Gazës, tregon se problemet e djalit nisën kur ai ishte vetëm dy vjeç.
“Ayoub vuan nga miopia shumë e rëndë që pas një sëmundjeje të shoqëruar me temperaturë të lartë. Mjekët na thanë se shikimi do të përmirësohej gradualisht me kalimin e viteve, por ndodhi e kundërta. Numri i syzeve vazhdoi të rritej dhe lentet që i duhen sot nuk gjenden në Gaza”, thotë ajo.
Familja po përgatitej ta dërgonte për trajtim jashtë territorit, por shpërthimi i luftës ndërpreu gjithçka.

Sipas nënës së tij, Ayoub rrallë largohet nga tenda ku jeton familja. Kur dëshiron të luajë me vëllezërit, motrat apo fëmijët e tjerë, ai mban fort syzet dhe lëviz me shumë kujdes. Nuk vrapon, nuk kërcen dhe nuk lëviz lirshëm si bashkëmoshatarët e tij.
Mjekët i kanë paralajmëruar prindërit që të shmangin aktivitetet e rënda fizike, pasi një rrëzim apo goditje mund t’i dëmtojë edhe më shumë retinën e syrit.
Ayoub shpesh e pyeste nënën pse ishte ndryshe nga fëmijët e tjerë.
“Pse fëmijët e tjerë nuk mbajnë syze si unë? Pse nuk mund të lëviz si ata? Pse nuk mund të shkoj në shkollë si ata?” janë pyetjet që ai i bën vazhdimisht.
Në fund të prillit, ndërsa po ecte me një të afërm në një rrugë të mbushur me rrënoja, ai u rrëzua dhe goditi fytyrën në tokë, duke thyer syzet.
“Ai shpërtheu në lot, u rrotullua në tokë dhe përpiqej me dëshpërim t’i bashkonte pjesët e thyera. Për Ayoub-in ato syze ishin gjithçka. Edhe me to ai nuk shikon qartë dhe shpesh duhet t’i afrojë objektet shumë pranë fytyrës për t’i dalluar. Pa to, pothuajse nuk mund të lëvizë fare”, tregon e ëma.
Familjarët thonë se ditët pa syze ishin tepër të vështira për të. Për tre ose katër ditë ai qëndroi pothuajse gjithë kohën në një cep të tendës dhe nuk mund të lëvizte pa ndihmën e të tjerëve.
Kur përpiqej të ecte vetë, përkulej pranë tokës duke afruar sytë sa më shumë për të dalluar ambientin përreth. Të afërmit u përpoqën disa herë t’i riparonin syzet, por lentet e dëmtuara nuk mund të rregulloheshin.
“Videoja që publikova u filmua pasi arritëm në tendë. Në rrugë ai qante edhe më shumë dhe thoshte vazhdimisht se donte t’i rregullonte syzet sepse nuk mund të shihte pa to. Pasi videoja u përhap, disa donatorë na ndihmuan dhe arritëm të siguronim një palë syze të reja, por ato ende nuk janë numri i duhur që i nevojitet”, thotë nëna.
Familjarët tregojnë se gjendja emocionale e Ayoub-it është përmirësuar disi pas marrjes së syzeve të reja. Ai është bërë më i gatshëm të komunikojë me vizitorët dhe njerëzit që i kanë ofruar ndihmë. Edhe pse ndryshimi është i vogël, familja thotë se kjo u ka kthyer pak shpresë.

Ndërkohë, zyrtarët e shëndetësisë në Gaza thonë se lufta ka shkatërruar rëndë shërbimet okulistike, duke lënë mijëra pacientë me probleme të shikimit pa trajtim për shkak të mungesës së pajisjeve mjekësore dhe materialeve kirurgjikale.
Spitalet përballen me mungesa të mëdha të pajisjeve thelbësore, ndërsa më shumë se 2.800 pacientë janë në pritje vetëm për operacione të kataraktit. Numri total i personave që presin ndërhyrje të ndryshme okulistike, përfshirë transplantet e kornesë, operacionet e glaukomës dhe kirurgjitë rindërtuese, i kalon 4.000 raste.
Për më tepër, bombardimet pranë institucioneve shëndetësore kanë detyruar mbylljen e përkohshme të Spitalit Qeveritar të Syve në qytetin e Gazës, i vetmi qendër publike e specializuar për trajtimin e syve në territor.
“Situata aktuale tregon mungesë të theksuar të materialeve mjekësore dhe instrumenteve kirurgjikale. Aktualisht po ofrojmë vetëm rreth 60% të shërbimeve që ofronim para luftës. Arsyeja kryesore është se Izraeli po pengon hyrjen e pajisjeve dhe instrumenteve mjekësore”, thotë okulisti dhe kirurgu i syve, Hussam Dawoud.
Mjekët raportojnë gjithashtu një rritje të ndjeshme të infeksioneve të rënda të kornesë, të lidhura me mbipopullimin, kushtet e dobëta higjienike dhe mungesën e ilaçeve. Në disa raste, pacientët kanë humbur shikimin përgjithmonë.
Situata e Ayoub-it është pjesë e një krize shumë më të gjerë humanitare që prek fëmijët e Gazës. Territori ka numrin më të lartë të fëmijëve të amputuar në raport me popullsinë në botë. Dhjetëra mijëra fëmijë të sëmurë ose të plagosur kanë nevojë urgjente për trajtim mjekësor, ndërsa shumë prej atyre që kanë nevojë për kujdes të specializuar jashtë Gazës ende nuk janë evakuuar.
Sipas të dhënave më të fundit të autoriteteve shëndetësore në Gaza, rreth 4.000 fëmijë kanë nevojë urgjente për evakuim mjekësor.
“Një fëmijë që thyen syzet mund të mbetet praktikisht i verbër për një kohë të gjatë, sepse është pothuajse e pamundur të gjenden syze zëvendësuese”, thotë kirurgu Irdi Memaj, i cili punon në Gaza me organizatën humanitare “Emergency”.
Ai shton se rreth 40% e pacientëve që trajtohen në klinikën e tyre në al-Qarara janë fëmijë nën moshën 14 vjeç. Një nga problemet më shqetësuese të kohëve të fundit është shtimi i parazitëve dhe minjve, me shumë raportime për fëmijë që kafshohen nga brejtësit gjatë gjumit.
Nga ana tjetër, Koordinatori i Aktiviteteve Qeveritare në Territore pranë Ministrisë së Mbrojtjes së Izraelit hodhi poshtë akuzat për kufizimin e ndihmave në Gaza.
Sipas deklaratës së tyre, Izraeli po punon për të lejuar dhe lehtësuar hyrjen e të gjitha pajisjeve mjekësore të nevojshme dhe vazhdon të mundësojë hyrjen e kamionëve me furnizime mjekësore në Gaza pa kufizime sasiore.